Bekim Balaj karikon Vllazninë

Futboll

Bekim Balaj karikon Vllazninë

Më: 16 maj 2024 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Te Vllaznia ka entuziazëm dhe besim për fitimin e titullit kampion, trofe që në qytetin më të madh verior mungon prej vitit 2001. Shumë breza të tifozëve të zjarrtë kuqeblu presin rikthimin në majë të skuadrës së tyre të zemrës.

Vllaznia përballet të dielën me Egnatian në gjysmëfinalen e “Final 4”, duke nisur nga ora 20:00 në “Air Albania”. Sfidë ku vlen vetëm fitorja. Dhe ekipi i Thomas Brdaric është gati ta sigurojë atë bashkë me ndihmën e tifozëve shkodranë, të cilët pritet të mbushin tribunat e kryeqytetit.

Nëse ia del, Vllaznia do të gjejë përballë në finalen e madhe (26) për titullin kampion fituesin e çiftit Partizani-Skënderbeu. Kapiteni i skuadrës shkodrane, Bekim Balaj ka zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme.

Duke shijuar emocione të forta me klubet dhe kombëtaren kuqezi. Por, titulli kampion me Vllazninë e tij të zemrës i mungon. Një Kupë Shqipërie e ka fituar në 2008, dhe tani është momenti për t’u shpallur kampion Shqipërie bashkë me shokët e skuadrës.

Në një video të postuar në faqen zyrtare, sulmuesi 33-vjeçar thekson se nuk ka më bukur se fitimi i titullit me Vllazninë, që do të ishte qershia mbi tortë në karrierën e tij.

“Gjatë karrierës kam provuar shumë emocione, por një titull me Vllazninë do më shijonte më shumë. Jemi vetëm një javë larg finales, luftojmë të gjithë në ‘Air Albania’. Bashkë ia dalim. Forca Vllaznia”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat