Masimiliano Allegri ofroi njK shou të vërtetë në atë që mund të ketë qenë edhe finalja e tij e fundit me Juventusin, në pritje të lamtumirës.
Pas spektaklit që ofroi në fushë, duke i dhuruar skuadrës trofeun e parë pas 3 sezonesh, në minutën e 95-të ai u pa i tërbuar me arbitrimin e Mareskës, por në këtë rast jo vetëm që iu hakërrye kryesorit dhe arbitrit të katërt, por përveç hedhjes tradicionale të xhaketës, hoqi edhe kravatën dhe shqeu këmishën: “Që tani ishte gjithçka e planifikuar nga unë, – përgjigjet Alegri, ndaj një pyetje të Ravanelit, pas ndeshjes.
– Ishte një moment i nxehtë i ndeshjes dhe duhej bërë pak rrëmujë që të ndërpriste vrullin e sfidës. Mendoj se ia arriti”, deklaroi trajneri duke qeshur. Duke qenë se vetë livornezi kishte deklaruar se pas finales së Kupës së Italisë do të zbardhte dhe të ardhmen e tij, 56-vjeçari dukej se e dha atë mes fjalëve.
“Nuk e di nëse do të jem unë trajneri sezonin e ardhshëm apo jo, pasi këto gjëra i vendosin drejtuesit e klubit. Prandaj pyesni ata më mirë. Unë jam i lumtur që pashë djemtë e mi të gëzohen, pas një sezoni shumë të gjatë dhe di të them vetëm që nëse më largojnë, atëherë jam i sigurt se kam lënë një skuadër të fortë në shumë aspkte”.
Por ajo që mund të jetë konfirmimi i divorcit me Alegrit dhe Juventusit është një video e bërë virale pas mesnatës, në të cilën trajneri bardhezi i drejtohet me tone nervoze drejtorit sportiv, Kristiano Xhuntoli. Me dorën drejtuar nga ky i fundit që po duartrokiste lojtarët bardhezi, Alegri shihet teksa i thotë: “Ik, ik… Larg, larg”.
“Jo, nuk mendoj se ndodhi gjë në fund. Ka qenë vetëm një moment në të cilin po festoja me lojtarët dhe mund të jetë keqkuptuar”, e justifikoi këtë moment Allegri.