Diversiteti, barazia dhe gjithpërfshirja

Futboll

Diversiteti, barazia dhe gjithpërfshirja

Më: 16 maj 2024 Në ora: 16:59
Pamje

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një workshop me temë “Diversiteti, barazia, gjithëpërfshirja dhe mbrojtja e fëmijëve”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e barazisë gjinore dhe mbrojtjes së fëmijëve, duke dhënë shembullin e një futbolli gjithëpërfshirës.

Në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e stadiumit “Air Albania” morën pjesë përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, drejtorë klubesh, trajnerë, futbollistë dhe futbolliste. ]

Gjithashtu, e pranishme në punimet e workshop-it ishte edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv në FSHF, znj. Anila Basha, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse, duke theksuar rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i komunitetit të futbollit për çështje e barazisë gjinore dhe gjithëpërfshirjes.

“Politikat e çështjeve gjinore janë diskutime që i diskutojmë çdo ditë më njëri-tjetrin brenda Federatës, por kemi nevojë për më shumë trajnim, orientim, ndërgjegjësim, ndaj dhe workshop-i i shërben më shumë këtij qëllimi. Në FSHF kemi miratuar pak kohë më parë strategjinë e përgjegjësisë sociale, që është një dokument i rëndësishëm e gjithëpërfshirës, por edhe me detyra e afate konkrete, ndaj na takon të bëjmë një punë madhore për të ndërgjegjësuar aktorët tanë për të përcjellë këto objektiva të vendosura.

Fillimisht e rëndësishme është njohja e koncepteve, për të kaluar më pas në aplikimin e politikave përkatëse në terren. FSHF është pararojë në trajtimit të çështjeve të tilla, si politikat sociale, gjinore, anti-diskriminimi dhe një aktivitet si ky i sotmi merr vlerë akoma më të madhe”, – tha anëtarja e KE-së duke folur për Fshf.org.

Ndërsa zyrtari i KF Egnatia, Xhevdet Zeka u shpreh se këto trajnime kanë rëndësi për rregullimin e vetëdijes te njerëzit dhe kanë vlerë të madhe për të gjitha klubet me futbollin që po hedh hapa të rëndësishëm në barazinë gjinore në sport.

“Nuk është hera e parë që FSHF zhvillon trajnime të tilla, të cilat kanë rëndësi për rregullimin e vetëdijes te njerëzit. Ka vlerë të madhe për të gjitha klubet, duke qenë se futbolli po hedh hapa të rëndësishëm në barazinë gjinore në sport, duke parë rritjen e përfshirjes së vajzave. Ky trajnim u jep motivim dhe vetëbesim vajzave për të qenë më aktive dhe për të rritur rolin e tyre në futboll. Së shpejti do të zhvillojmë një projekt në Rrogozhinë, së bashku me FSHF me fokus në futbollin e vajzave”, – tha Zeka.

Gjithashtu, edhe ish-futbollistja dhe aktualisht trajnere U-17 për vajza, Rabie Tota vlerësoi nismën e FSHF për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit të futbollit në këto çështje. “Ishte një workshop shumë i vlefshëm i organizuar nga FSHF për përfshirjen e vajzave në futboll, pasi shohim së fundmi që futbolli i vajzave është duke u masivizuar dhe po përfshihet nëpër shkolla, kampionate dhe aktivitete të ndryshme”.

Saqkaq, lektori Rezart Xhelo prezantoi në këtë workshop disa tema qe lidhen me përkatësinë, rolet dhe stereotipat gjinorë, diskriminimi gjinor dhe politikat që ndërmerren në raste të tilla.

Ndërsa lektorja Edlira Ngjeci Shima referoi mbi barazinë gjinore në sport dhe integrimin e çështjeve të tilla në projekte apo programe sportive.

FSHF i jep rëndësi të veçantë trajtimit të çështjeve të tilla, pasi synon të ndikojë pozitivisht në shoqëri me thyerjen e stereotipave, uljen e diskriminimit dhe mbështetjen e futbollit të vajzave. Gjatë këtij workshop-i të gjithë pjesëmarrësit diskutuan mbi temat dhe folën për problematikat që hasin në përditshmëri si edhe ndanë idetë për mënyrën dhe strategjitë që mund të ndiqen për të përmirësuar shoqërinë me anë të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat