Shpaloset plani i donatorëve të rinj për ringjalljen e Trepçes

Futboll

Shpaloset plani i donatorëve të rinj për ringjalljen e Trepçes

Më: 16 maj 2024 Në ora: 17:00
Avni Haxhiu

I themeluar në vitin 1932, KF Trepça ishte klubi i parë kosovar që ishte ngjitur në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Trepça u shpall kampione e Ligës së Dytë të Jugosllavisë në sezonin 1976/77, i vetmi klub nga Kosova që e kishte bërë këtë gjë. Po ashtu, “Xehetarët” janë të vetmit që kanë arritur në finalen e Kupës Jugosllave në sezonin 1977/78, në të cilën ishin mposhtur nga HNK Rijeka me rezultat minimal 1:0. E në periudhën e pasluftës, Trepça kishte batica dhe zbatica të shumta, ku pas së gjithash, tani garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Por, për klubin mitrovicas tani është shfaqur dritë në fund të tunelit. Trepçës i është bashkuar një donator i fuqishëm, i cili ndër të tjera ka dashuri të madhe për Mitrovicën dhe klubin e Trepçës. Këtë gjë për KosovaPress e konfirmuar njëri nga donatorët dhe koordinatori i Trepçës, Avni Haxhiu.

Haxhiu: Donatori është nga Mitrovica sepse Mitrovica e mban rekordin për sport

"Faktikisht ne çdo vit kemi pasur kontakte me njerëz që kanë shfaqur interesim për të ardhur në klub, por ashtu ka qenë si të them e shkruar që nuk ka ndodh me paraqit dikush seriozitet për me u ofru në klub. Në këtë rast gjatë bisedimeve që i kishim me një donator tani të ri, me ndërmjetësimin e punëtorëve të klubit dhe adhuruesit e klubit, faktikisht pjesë të tifozëve, kanë arrit me ofru një donator i cili na ka premtuar, dhe kemi arrit marrëveshje momentalisht gojore, që do të na përcjellë në të gjitha projektet tona të cilat i kemi të planifikuara për të ardhmen... Donatori është i Mitrovicës sepse Mitrovica e mban rekordin për sport dhe personi në fjalë është ai i cili e do Mitrovicën dhe klubin Trepça", Haxhiu.

Haxhiu sqaroi edhe njoftimin në "Facebook" nga KF Trepça, ku u paralajmërua për shtrëngim.

Haxhiu: Do ju tregojmë të tjerëve që ne do ta marrim seriozisht këtë punë

"Ju e dini që Mitrovica është vatër e sportit dhe e sportistëve dhe ata kur e kanë marrë informatën që do të ketë përmirësime dhe në gjendjen financiare, në gjendjen e kuadrove, do të ketë sigurisht ofrim edhe të kuadrove të reja, ata kanë thënë që tash duhet mu shtrëngu ma seriozisht, ashtu e kanë pasur një plan këta të stafit të klubit tonë, bashkë me tifozë e kanë dhënë atë foto aty që me ju tregu edhe të tjerëve që ne do ta marrim edhe më seriozisht këtë punë", tha Haxhiu.

Haxhiu vazhdoi të tregonte edhe synimet e klubit për sezonin e ardhshëm, ku qëllimi i vetëm është Superliga.

Haxhiu: Qëllimi i madh te Superliga

"Momentalisht edhe me këto kushte, me përkrahjen e donatorëve të rinj, besoj që shumë me qasje serioze kemi mu kyç për synimin për qëllimin e madh për Superligë", tha ai.

Sa i përket çështjes së trajnerit, Haxhiu e konfirmoi se klubi do të vazhdojë me Emin Baliqin.

Haxhiu: Trajneri momentalisht vazhdon punën, është i arsyeshëm

"Me trajnerë ne nuk kemi pasur probleme. Trajneri momentalisht vazhdon punën, është i arsyeshëm, ka dhënë atë se çka kemi pritur na prej tij. Asnjëherë nuk është faji te trajneri në këto vitet e fundit, por janë veprimet e mungesës së stadiumit, dhe ndoshta pak edhe çështja financiare, por më shumë çështja e fushës stërvitore dhe stadiumit", tha Haxhiu.

Një nga temat më të përfolura të këtij sezoni ishte edhe kurdisja e ndeshjeve, rasti konkret ajo mes Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit, gjë që çoi në përjashtimin e dy klubeve nga Liga e Parë - Grupi B. E a ndikoi kjo në rënien e formës së Trepçës pas një starti të mirë të sezonit? Sipas Haxhiur, faji qëndron te kryesia e klubit që nuk e ka dhënë motivin e duhur.

Haxhiu: Nuk e kemi dhënë motivin e duhur, fajin e kemi ne udhëheqësit

"Jo, mendoj se duhet ta marr në këtë rast përgjegjësinë për këtë gjë, sepse në fazën e tretë të zhvillimit të garave ne e humbëm motivin se nuk mund të arrijmë qëllimin, sepse ne atëherë kemi qenë 10 pikë nga Dinamo larg dhe kemi qenë katër pikë nga Suhareka dhe nuk e di ashtu nuk e kemi dhënë motivin e duhur dhe nuk e kemi zhvilluar organizimin në atë nivelin që duhet dhe mendoj që fajin e kemi ne si udhëheqës që nuk e kemi vazhduar ritmin e njëjtë sikur në dy fazat e grupeve më herët", tha Haxhiu.

Tash e disa vita Trepçës i mungon Superliga dhe kësaj të fundit klubi mitrovicas. Në vitin 2010 Trepça ishte kampione, ndërsa më pas filloi rënia e klubit. Përveç problemit që i mungon stadiumi, ndër faktorët kryesorë për rënien e Trepçës sipas Avni Haxhiut. Ky i fundit e konfirmoi për KosovaPress se Frderata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka dëmtuar rëndë Trepçën në mënyrë të organizuar, gjë kjo qe ka ndodhur për plot 10 vite.

Haxhiu: 10 vite kemi përjetuar atë që nuk e ka përjetuar asnjë klub në Kosovë

"Në 2010 ne jemi bërë kampion, në 2012 ka filluar ndërtimi i stadiumit. Ka pasur edhe faktorë të tjerë që i kama cekur nëpër media ku Trepça është dëmtuar në mënyrë të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës në atë kohë. 10 vite kemi përjetuar atë që nuk e ka përjetuar asnjë klub në Kosovë... Përveç mungesës së stadiumit, është faktori tjetër që ka qenë në mënyrë të organizuar te Federata e Futbollit deri në vitin 2019, nga viti 2011 deri në vitin 2019", tha Haxhiu.

Me nisjen e epokës së re me donatorin e ri por synimet e vjetra, Trepça e emëroi dje Rafet Prekazin si drejtor sportiv të klubit, por Haxhiu tha se do t'i propozojë edhe postin e trajnerit.

Haxhiu: Unë personalisht do t'i propozojë edhe postin e trajnerit

"Unë personalisht do t'i propozojë edhe postin e trajnerit... Mendoj që është trajnerë me përvojë, ka qenë edhe në reprezentacion, ka udhëheq klube të mëdha në Superligën e Kosovës, ju e dini karriera e tij futbollistike ka qenë shumë e pasur, por nuk është qudi që do të jetë edhe në stafin udhëheqës në klub. Besoj më shumë ndoshta do t'i përgjigjet stafi udhëheqës edhe pse unë kisha dashtë me pas edhe në stafin e trajnerëve", tha Haxhiu.

Trepça aktualisht zë vendin e shtatë në tabelën e Ligës së Parë - Grupi A në kuotën e 30 pikëve pas 26 ndeshjeve të zhvilluara në këtë sezon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat