Këta janë favoritët e Topit të Artë 2024

Futboll

Këta janë favoritët e Topit të Artë 2024

Më: 16 maj 2024 Në ora: 20:22
Foto ilustrim

Topi i Artë është trofeu më prestigjioz individual në futboll dhe çdo lojtar synon dhe ëndërron ta fitojë atë një ditë.

Lionel Messi është mbret i Topave të Artë me 8 të tillë të fituar gjatë karrierës, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo, i cili i ka 5.

Por, derisa dy legjendat e futbollit po shkojnë drejt fundit të karrierës, tash po nis një epokë e re.

Yje të rinj kanë dalë në skenë dhe ata po mundohen ta mbulojnë zbrazësinë që do ta lënë argjentinasi dhe portugezi.

Edhe këtë vit, ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të mbahet në fund të tetorit, njëjtë si vitin e kaluar, në Paris të Francës.

Edhe pse nuk është zbuluar ende lista e kandidatëve për ta fituar Topin e Artë, pasi sezoni 2023/24 po shkon drejt fundit, është koha ideale për t’i zbuluar Top-5 favoritët e Topit të Artë 2024.

Erling Haaland në sezonin e kaluar ishte kandidati kryesor për ta fituar Topin e Artë, bashkë me Messin.

Por, në këtë edicion lëndimet nuk e lanë rehat sulmuesin norvegjez.

Ai tash e gjen veten në vendin e pestë pasi i realizoi 39 gola dhe i bëri 6 asistime, duke e fituar Botërorin e Klubeve dhe Superkupën e Evropës me Manchester Cityn.

Këtë fundjavë mund ta fitojë edhe titullin në Premierligë pasi në mesjavë i shënoi dy gola ndaj Tottenhamit.

Harry Kane është njeriu më i pafat në botë. Edhe në këtë edicion, sulmuesi anglez mbeti pa trofe, njëjtë si në krejt karrierën e tij.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Tottenhamit e pati një sezon mbresëlënës në nivelin personal.

Sulmuesi i Bayern Munichut i realizoi 48 gola dhe i bëri 14 asistime, ndërsa është i katërti në listën tonë.

Kylian Mbappe do të largohet nga Paris Saint-Germaini si kampion i Francës dhe si lojtari më i mirë i vitit në Ligue 1.

Sulmuesi francez e pati një tjetër sezon të jashtëzakonshëm individualisht duke i shënuar 50 gola dhe duke i bërë 17 asistime.

Përforcimi i ardhshëm i Real Madridit momentalisht e sheh veten në vendin e tretë tek favoritët e Topit të Artë.

Sezoni debutues i Jude Bellingham me Real Madridin është si në përralla.

Ylli anglez e fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa ka mundësi ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve pas pak javësh.

Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit e pati një pjesë të parë të sezonit mbresëlënëse, ndërsa në muajt e fundit ka paksa rënie.

Përfaqësuesi anglez i ka realizuar 24 gola dhe i ka bërë 13 asistime me “Los Blancos”.

Vinicius Junior ka bërë përparim të hatashëm nga viti në vit tek Real Madridi.

Ylli brazilian e ka marrë në dorë ekipin spanjoll, me të cilin e fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa synon ta mbyllë sezonin edhe me trofeun e Championsit.

Vini ka kontribuar me 21 gola dhe me 11 asistime tek “Mbretërit”, ndërsa shënoi “hat-trick” ndaj Barçës në finale të Superkupës spanjolle.

Ishte protagonist edhe ndaj Manchester Cityt dhe Bayern Munichut në Champions.

Për këtë, sulmuesi i krahut aktualisht është favorit për ta fituar Topin e Artë sivjet.

Në mesin e lojtarëve që shkëlqyen në këtë sezon janë edhe Foden, Rodri, Kroos, Lautaro, Wirtz, Rodrygo, Saka e të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat