Tijjani Reijnders ishte një nga afrimet e shumta të Milanit gjatë verës së kaluar. Mesfushori holandez u përshtat shpejt në Itali dhe u kthye në titullar te kuqezinjtë.
Objektivi i madh ishte fitimi i Serie A, por skuadra e Stefano Piolit siguroi vetëm vendin e dytë. Duke u dorëzuar përballë Interit, që dominoi kampionatin.
Ekipi i Simone Inzaghit nuk pati rival këtë edicion, duke triumfuar me diferencë të frikshme me “kushërinjtë”.
Sukses që solli yllin e dytë në fanellë.
“Sigurisht që jemi të zhgënjyer. Synimi ynë ishte shpallja kampionë Italie, por për fat të keq nuk ia dolëm dot.
Sa më përket mua, rëndësi kishte përshtatja në Serie A dhe përmirësimi hap pas hapi. Dua të bëj më mirë sezonin e ardhshëm“.
Tre gola dhe po kaq asistime regjistroi 25-vjeçari në 34 takimet e luajtura me Milanin gjatë sezonit të parë në elitën e futbollit italian.