Llapi me disa mungesa por zotohet për fitore ndaj liderit

Futboll

Llapi me disa mungesa por zotohet për fitore ndaj liderit

Më: 17 maj 2024 Në ora: 16:29
Skuadra e Llapit të Podujevës

Skuadra e Llapit të Podujevës ka mobilizuar forcat për derbin e madh, kundër kampionit në fuqi dhe liderit të kampionatit Ballkani nga Theranda.

Llapjanët me kryetrajnerin Tahir Batatina zotohen për tre pikë që të mbeten në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Ballkani kryeson me 72 pikë e ka katër më shumë se Llapi dhe 6 se Drita në pozitën e tretë.

“Ekipi ynë, KF Llapi ka përfunduar seancën e fundit stërvitore në prag të derbit ndaj Ballkanit që zhvillohet nesër në ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Bardhekaltrit punuan maksimalisht deri në detajet e fundit për t’u paraqitur nesër në ndeshje ashtu si] i ka hije klubit.

Për duelin e nesërm, klubi do ketë mungesë Benjamin Eminin e suspenduar me kartonë të verdhë, Arbnor Ramadanin me karton të kuq nga ndeshja me Gjilanin si dhe Ilir Blakçorin që pësoi tërheqje muskulare në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Malishevës. Tashmë të konfirmuar prej kohësh, Valmir Veliu dhe Granit Jashari nuk janë të gatshëm deri në sezonin vijues.

Kryetrajneri i skuadrës, Tahir Batatina theksoi se rëndësia e ndeshjes është tejet e madhe për ekipin dhe se ka motivuar maksimalisht secilin futbollist që do jetë i grumbulluar në ndeshje për të ndalur tre pikët në shtëpi dhe për të “luftuar” deri në ndeshjen e fundit për objektivin, titullin kampion.

Ndër të tjerash, Batatina tha se nevojitet mbështetja e madhe e qytetarëve llapjanë dhe sidomos tifozerisë “Ultras Legjendat” që ekipi të ketë motiv shtesë për të korrur tre pikë.

Kujtojmë që në rast fitoreje, Llapi i afrohet Ballkanit në vetëm një pikë dhe në duelin e fundit kampional me fitore të ekipit tonë ndaj Lirisë dhe barazimit apo disfatës eventuale të “suharekasve” ndaj Prishtinës, ekipi ynë shpallet kampion për herë të parë në histori të klubit”, njofton KF Llapi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat