Partizani, finalisti i parë i titullit

Futboll

Partizani, finalisti i parë i titullit

Më: 17 maj 2024 Në ora: 22:50
Pamje nga ndeshja

Është luajtur të premten sfida e parë e gjysmëfinales së “Final 4”, apo thënë shqip, “4-shes finale” të Kategorisë Superiore, pas shortit të hedhur të hënën, ka vënë përballë Partizanin e vendit të dytë dhe Skënderbeun e vendit të 4-t.

Dueli i zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet ka parë skuadrën kryeqytetase që ta mbizotërojë pjesën e parë të lojës, duke dhënë sinjale që në minutat e para, kur Skuka pason për Mbanë, që godet, por portieri Alia reagon bukur, duke e devijuar topin, ndërsa në minutën e 13-të, është Mba që shërben për Rrapajn, që gjithashtu gabon para porte.

Të kuqtë mbizotërojnë, por Bintsuka është fajtor në minutën e 21-të, por sidomos në minutën e 28-të, kur nuk arrin ta shtyjë topin në portën e boshatisur, ashtu sikundër gabon edhe në të 40-tën, kur rrotullohet dhe godet brenda zonës, por pasaktësisht.

Kështu, me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, por ato të dytat kanë të njëjtën tablo dhe Partizani nuk vonon ta gjejë golin, kur, pas një depërtimi nëpër vijën fundore,

Rrapaj harkon saktë për Bintsukën, që këtë radhë nuk gabon dhe godet bukur me kokë, duke përshëndetur rrjetën në minutën e 47-të.

Loja në vijim do të bjerë në kllapi, me Partizanin të kënaqur të administrojë epërsinë dhe me Skënderbeun të pafuqishëm për të reaguar dhe, vetëm në minutën e 75-të do të vijë një goditje e Gërços nga larg, por që pritet nga portieri i të kuqve,

Pano Qirko. Çerekora e fundit e ndeshjes dhe 5 minutat shtesë nuk kanë sjellë gola të tjerë, përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave dhe Partizani është finalistja e parë e titullit “kampion” në këtë sezon të Kategorisë Superiore, pasi mundi 1-0 Skënderbeun në gjysmëfinalen e parë.

Të kuqtë kryeqytetas presin kështu të njohin finalisten tjetër, që do të dalë nga fituesja e çiftit tjetër gjysmëfinalist, midis Egnatias dhe Vllaznisë, që luhet të dielën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat