Legjenda kroate pritet të rinovojë deri në vitin 2025

Futboll

Legjenda kroate pritet të rinovojë deri në vitin 2025

Më: 18 maj 2024 Në ora: 19:16
Modriç

Është një nga më të mirët e të gjitha kohëve. Luka Modric është padyshim “numri 1” i futbollit kroat për të gjitha kohët, dhe ndër të veçantët e “Galaktikëve” të Real Madrid, në një bashkëpunim që duket se do të vazhdojë, me mesfushorin 38-vjeçar është shumë pranë rinovimit me klubin e madh spanjoll, pavarësisht moshës së tij kritike.

Besohet se kjo po ndodh sepse kroati vazhdon të tregojë formë shumë të mirë këtë vit, ndonëse nuk ka qenë vazhdimisht titullar, teksa e përditshmja madrilene, “AS” e lajmëron këtë vendim të klubit me titullin e thjeshtë “Modric 2025”, dhe me foton e kroatit me fanelën kampione, në festimet para tifozëve, ndërsa e përditshmja kroate, “Jutarnji List” njofton në shtojcën sportive se lajmin e madh e dha menaxheri i lojtarit, që do të bëhet kapiten.

Gazeta nga Zagrebi saktëson se mbetet një pengesë për t’u kapërcyer, dhe kjo është rroga, teksa sipas saj, presidenti i Real Madrid, Florentino Perez i ka ofruar 38-vjeçarit kontratën 1-vjeçare me pagë 5 milionë euro në sezon, nga 10 milionë që fiton aktualisht.

Ky është përgjysmim, por pritet që Modriç të pranojë sepse prioritet për të nuk janë fitimet, por që të vazhdojë sa më gjatë me fanelën “merengues”, dhe të marrë sa më shume trofe, për të hyrë në histori si një nga legjendat më të mëdha të klubit, ku në rast rinovimi, ky do të ishte sezoni i 13-të i tij në “Santiago Bernabeu”, ku mbërriti në 2012.

Modric ka 25 trofe me “Los Blancos”, përfshi 4 tituj në La Liga dhe 5 Champions, ndërsa synon të fitojë Ligën e gjashtë të kampionëve, në finalen e këtij viti ndaj Borussia Dortmund, teksa nëse fiton në “Wembley” në 1 qershor, kroati do të jetë lojtari më i dekoruar në historinë madrilene..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat