Mesfushori i Partizanit, Arinaldo Rrapaj: Dua Vllazninë në finale, në fund fitojmë ne

Futboll

Mesfushori i Partizanit, Arinaldo Rrapaj: Dua Vllazninë në finale, në fund fitojmë ne

Më: 19 maj 2024 Në ora: 09:51
Arinaldo Rrapaj

Në kampionatin e rregullt herë-herë dukej sikur e kishte humbur grintën prej vlonjati, por dje kundër Skënderbeut dhuroi një performancë plot klas dhe shpirt gare.

Po flasim për Arinaldo Rrapajn, djaloshin që “telekomandoi” topin për Bintsukën, duke ia servirur drejt e në kokë, sa për të tundur rrjetën e Alias.

Pas ndeshjes Rrapaj foli për mediat. Mesfushori kërkon Vllazninë në finale, për të zhvilluar një ndeshje mes gjigantësh dhe në fund të fitojnë “demat”.

Arinaldo, u duk një fitore e thjeshtë nga jashtë. Ishte kështu edhe në fushë?

Jo, nuk ishte aspak e thjeshtë. Kemi vrapuar dhe kemi sakrifikuar të gjithë. Edhe çunat në dhomat e zhveshjes i pashë që ishin të lodhur në maksimum. Për këtë gjë na ka shijuar shumë fitorja. E vlerësojmë mundin e të gjithëve, pasi bëmë sakrificë, fituam dhe shkojmë në finale për ta shijuar dhe fituar edhe atë ndeshje.

Cilën mes Vllaznisë dhe Egnatias do të donit në finale?

Unë personalisht do të doja Vllazninë. Mendoj se është një ekip me më shumë traditë, më i madh. Personalisht mendoj se do të ishte një ndeshje shumë e bukur dhe për t’u mbajtur mend me shkodranët, sepse të dyja ekipet kanë nga tifozëritë më të bukura në gjithë Shqipërinë. Do të ishte një ndeshje shumë e bukur.

Mund të themi se tashmë Partizani ka arritur kulmin e vet në këtë sezon?

Çdo ekip ka ulje-ngritjet e veta. Besoj se e kemi kapur të gjithë formën tonë më të mirë. Edhe çunat fatmirësisht janë kthyer të gjithë nga dëmtimi dhe në formën e tyre më të mirë. Flas edhe për çunat që nuk e nisin nga minuta e parë, mund të bëjnë akoma më shumë me ne që luajmë që nga fillimi.

Keni ndonjë mesazh për tifozët?

Janë më të mirët dhe shpresoj të na mbështesin edhe në finale. Duket sikur kushdo që do t’i dalë Partizanit përpara në finale do ta ketë shumë të vështirë… Siç e thashë, kemi arritur të jemi në formë mjaft të mirë. Shpresoj ta ruajmë ritmin. Kemi edhe një finale shumë të rëndësishme dhe kam besim se do ta fitojmë.

U dukën sot diferencat në fushë mes Partizanit dhe Skënderbeut sa i përket cilësisë dhe elementeve?

Mendoj se u dukën shumë mirë diferencat që në fillim e lojës. Patëm rastet tona, pavarësisht se finalizimi nuk qe i saktë. Por me gjithë atë sakrificë dhe atë vrapim që bëmë, shënuam dhe fituam ndeshjen. Gjashtë fitore radhazi, do ta thyeni në finale ecurinë me Abilaliajn? Shpresoj ta thyejmë atë ecuri. Besoj se do ta bëjmë në finale. Partizani ka shumë elemente në mesfushë.

Me cilin prej tyre ndiheni më mirë?

Me të gjithë çunat, nuk është se kam preferenca. Të gjithë kanë cilësitë e tyre, që i veçojnë nga njëri-tjetri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat