​Bomberi i Ligës së Parë që pasqyrë e ka Karim Benzeman: Jam i gatshëm për Superligë

Futboll

​Bomberi i Ligës së Parë që pasqyrë e ka Karim Benzeman: Jam i gatshëm për Superligë

Më: 19 maj 2024 Në ora: 11:00
Drin Ymeri

Futbollin e nisi te Flamurtari, por veten e gjeti te Vjosa. Drin Ymeri po kalon një sezon fantastik me 18 gola duke e bërë golashënuesin më të mirë të Ligës së Parë. Ymeri tregon motivet që e shtynë të merret me futboll.

Ymeri: Futbolli ofron shumë emocione

"Si fëmijë i vogël në lagje duke luajtur me shokë. Shumica e shokëve kanë qenë të regjistruar në shkolla të futbollit, dhe unë shkoja t’i shihja shpesh derisa ia filloi të më pëlqej dhe iu kërkova prindërve të më regjistrojnë... (00:24). Futbolli për mua domethënë shumë, përderisa jam marr prej fëmijërisë me të, e dimë që futbolli të jep shumë emocione, zhgënjime, gëzime dhe këto janë arsyet të cilat më shtyjnë të merrem me futboll", tha Drini.

Pasi nisi futbollin Drini është përballur me lëndime, por pavarësisht kësaj ai nuk u dorëzua asnjëherë.

Ymeri: Nuk bën të dorëzohesh

"Fatmirësisht nuk kam pasur shumë lëndime të mëdha serioze, por lëndimet e vogla kalohen lehtë dhe nuk bën të dorëzohesh", tha Drini.

Emra të mëdhenj nga Superliga e kanë kontaktuar Drinin, i cili e pranoi se kishte interesim edhe nga klubet e Ligës së Parë.

Ymeri: Ka pasur interesim edhe nga Liga e Parë dhe nga Superliga

"Ka pasur interesim edhe nga Liga e Parë edhe nga Superliga, por po pres ta përfundoj edhe ndeshjen e fundit, edhe të ulem me drejtuesit e klubit të bisedojmë dhe me marr një vendim që është i mirë edhe për mua", tha Ymeri.

Sulmuesi 24-vjeçar zbulon arsyen pse zgjodhi klubin e Vjosës, ndërsa shprehet i gatshëm për një transferim në Superligë.

Ymeri: Jam i gatshëm për Superligë

"Klubi i Vjosës ishte më i organizuar, ka pasur një trajner të mirë dhe ishte një trampolinë e mirë për të bërë më shumë përvojë dhe më shumë ndeshje. Jam i gatshëm për Superligë, sepse kam punuar shumë dhe mendoj që do të jetë një transferim të mirë, te një ekip i mirë", tha Ymeri.

Drini thotë se idhulli i tij ka qenë fituesi i Topit të Artë dhe ish-ylli i Real Madridit, Karim Benzema.

Ymeri: Karim Benzema, idhulli im

"Unë e kam pozitën e qendërsulmuesit edhe si qendërsulmues gjithmonë e kam pasur pasqyre ish-lojtarin e Real Madridit, Karim Benzema. Prej skuadrave favorizoj Milanon, por nuk është formë të mirë për momentin", tha Ymeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat