Tirana ka nisur nga puna për të planifikuar ekipin për sezonin e ri dhe gjithçka do të nis nga stoli, edhe pse Erbim Fagut nuk i është njoftuar ende largimi.
Mbi tavolinën e presidentit Refik Halili, qëndrojë disa emra, por ai që po lakohet në këtë fazë është Massimo Oddo mëson ekskluzivisht Ora News. Ish-mbrojtësi i Milanit, ka shfaqur dëshirën për të marr drejtimin e Tiranës. Ish-kampioni i Botës me Italinë, aktualisht është trajneri i Padova në Serie C dhe në 30 qershor do të jetë i lirë, pasi i përfundon kontrata.
Megjithatë nëse ai arrin ta ngjis klubin në Serie B, Padova mund t’i ofrojë një kontratë të re. Burime pranë klubit bardheblu bëjnë të ditur se kriteri financiar nuk është prioritet për ish-mbrojtësin e Italisë, që do të donte një projekt fitues.
Kampionati shqiptar është kthyer në një ligë tërheqëse për italianët, pasi në vitet e fundit disa teknik kanë drejtuar skuadrat tona si Andrea Agostinelli, Mark Iuliano, Adolfo Sormani, Diego Longo apo Di Biagio.
Megjithatë për momentin, gjithçka është në kuadrin e diskutimeve dhe për më tepër Tirana nuk ka kohë të pres, pasi duhet të përgatitet për pjesëmarrjen në Conference League.
Mbetet të shihet nëse presidenti Refik Halili, do të nis një cikël të ri me një trajner të huaj apo do të vazhdoj me teknik shqiptar, por synimi i tij është t’ia besoj ekipin një trajneri fitues.
Sa i përket skuadrës, vetëm portieri Selmani, mbrojtësi Përgjoni dhe polivalenti Haxhiu do të vazhdojnë me klubin së bashku me lojtarët e tjetër të akademisë si Abdullahu, Tola dhe Jaku, pjesa tjetër është në pikëpyetje dhe fjalën e fundit do ta thotë trajneri i ri.