Tjetër sukses për Spartën e Qazim Laçit dhe Indrit Tucit. Vetëm pak ditë pas triumfit në kampionat, skuadra çeke ku aktivizohen 2 futbollistët shqiptarë ia doli të fitojë edhe Kupën, pasi mposhti Plzenin në finale me rezultatin 2-1.
Mbyllet kështu në mënyrë perfekte sezoni për gjigantët e kryeqytetit çek, që fituan gjithçka, duke konfirmuar se janë skuadra për t’u mposhtur, teksa një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm ka pasur padyshim edhe mesfushori kuqezi Qazim Laçi.
Ky i fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe kështu ndodhi edhe në finalen e Kupës ku qëndroi në fushë deri në fund dhe bëri një punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar skuadrën e tij.
Nga ana tjetër Tuci nuk ishte as në stol në finalen e Kupës, për shkak të disa problemeve fizike, megjithatë kjo nuk e pengoi që të festojë suksesin bashkë me skuadrën.