Suksesi historik i Atalantës në Europa League e gëzon indirekt edhe Romën, pasi tani klubi kryeqytetas shpreson sërish pjesëmarrjen në Champions League.
Siç shpjegon media italiane, verdhekuqtë duhet ta mbyllin kampionatin e Serisë A (nuk mund të ndodhë ndryshe) në vendin e gjashtë dhe Atalanta në të pestin për të pasur një tjetër ekip italian (gjashtë në total) në kompeticionin më të lartë evropian.
Pjesëmarrja në Champions League sezonin e ardhshëm do t’i mbushte arkat e klubit roman me rreth 40-50 milionë më shumë, para që do të investoheshin menjëherë një merkato. Roma ka nevojë emergjente për të investuar në organikë, pasi disa titullarë pritet të mos jenë më nën urdhrat e De Rossit.
Ndërkohë në kryeqytet ka mbërritur drejtori i ri sportiv francez, Florent Ghisolfi, i cili tashmë është zyrtarizuar në këtë post përmes një shënimi të publikuar në kanalet e tij zyrtare.
Është ai që do të duhet të zgjidhë enigmën e parë të rëndësishme: atë që ka të bëjë me qendërsulmuesin.
Pjesëmarrja e mundshme e Romës në Champions nuk nuk do të ndryshojë fatin e Lukakut, nëse Chelsea nuk bie dakord për një tjetër huazim. Për këtë arsye, tani Roma do të duhet të vendosë nëse do të fokusohet sërish te Abraham, duke e mbështetur me një sulmues të ri, apo duke filluar nga e para, duke e shitur edhe anglezin..