Partizani shkon në finale me gjashtë fitore radhazi dhe si skuadra më në formë e këtij fundi sezoni.
Të dielën në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00 përballë do të jenë rrogozhinasit e Egnatias, me Shehin, që pritet të mos e ndryshojë formacionin startues.
Prej javësh trajneri ka arritur të gjejë pikat e duhura të referimit dhe të caktojë 11-shen standarde që duhet të zbresë në fushë në ndeshje kaq të rëndësishme.
Kështu, Qirko duket sikur e ka “blinduar” vendin mes shtyllave, ndërsa edhe Sembene ka fituar avantazh ndaj gjithë mbrojtësve të tjerë. Sota, Hadroj dhe Atanaskoski konsiderohen të palëvizshëm.
Edhe mesfusha është 100% e caktuar, me Maget-Murataj-Rrapaj, që janë ndër mesfushat më të mira të këtij kampionati. Në sulm pritet që Shehi ta nisë me treshen startuese kundër Skënderbeut, me Skukën, Mba dhe Bintsuka.