Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit do të zhvillojë punimet të hënën më datë 27 maj 2024 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi në mbledhjen e fundit materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së dhe çdo gjë është gati për punimet që do të mbahen të hënën në “Shtëpinë e Futbollit”. Në të marrin pjesë të gjithë delegatët dhe anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët janë njohur ndërkohë me materialet dhe çështjet që do të shqyrtohen në këtë mbledhje.
Në Asamble do të diskutohet raporti i aktivitetit të FSHF për vitin 2023, që përmban aktivitetet që nga Asambleja e Përgjithshme e mëparshme, do të prezantohet bilanci i konsoliduar dhe pasqyrat e fitimit dhe humbjes, si edhe raporti i auditorëve të pavarur dhe të jashtëm e miratimi i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2023 .
Gjithashtu do të shqyrtohet edhe buxheti për vitin financiar 2024 si edhe do të emërohen audituesit e pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2024.
Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë legjislativ i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në bazë të statutit të miratuar nga anëtarët, Asambleja e Zakonshme thirret për zhvillimin e punimeve një herë në vit.