Lamtumira e një legjende

Futboll

Lamtumira e një legjende

Më: 25 maj 2024 Në ora: 12:51
Kroos

Sonte nuk do të jetë vetëm një ndeshje tjetër futbolli në “Bernabeu”. Është e fundit e një legjende në historinë moderne dhe absolute të Realit të Madridit, e një futbollist që ka fituar dimensionet e një miti para se “të varë këpucët në gozhdë”.

Toni Kroos i thotë lamtumirë klubit më të madh në botë, por jo futbollit, sepse i kanë mbetur, të sigurta, finalja e Wembley-t (Champions) dhe tri ndeshjet e fazës së grupeve të Evropianit.

Toni Kroos, numri 8 më i mirë në historinë e Realit të Madridit, po tërhiqet nga futbolli në kulmin e tij. Një lojtar i një dimensioni ku bëjnë pjesë një numër shumë i kufizuar personash të lidhur me historinë e Realit.

Di Stefano, Gento, Zárraga dhe Puskas filluan një rrugë që, më shumë se gjysmë shekulli më vonë, e ndoqi një brez tjetër. I emrave të tillë si Ramos, Cristiano Ronaldo, Benzema, Carvajal dhe, natyrisht, Casemiro dhe Modric, dy futbollistët me të cilët Kroos formoi treshen e famshme të mesfushës.

Një bërthamë imponuese nga e cila nesër vetëm Luka do të mbetet si i mbijetuar në Madrid.

Kroos gjithmonë e ka respektuar shëndetin, por ka pasur edhe gjëra të tjera në jetën e tij përveç futbollit. Mbi të gjitha, dashuria për familjen, e cila e bëri të hiqte dorë nga kombëtarja e tij shumë më herët se sa ishte e arsyeshme.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për këtë lamtumirë të fundit futbollit, që i vjen vetëm në moshën 34-vjeçare dhe pas atij që ndoshta ka qenë sezoni më i mirë i karrierës së tij.

Kroos është një futbollist kaq i veçantë, specifik dhe unik, sa Madridi nuk do të mund të luajë më në të njëjtën mënyrë. Kjo skuadër mund të jetë po aq efektive, edhe më torturuese për rivalët e saj, por kurrë nuk do të jetë aq e qetë, sa estetike, aq logjike, sa racionale.

Kroos solli mendje të shëndoshë në futbollin madrilen për një dekadë. Nga një blerje e goditur, ai u bë shtyllë e skuadrës me një shpejtësi që nuk e kishte kurrë në këmbë. Truri i tij është ai që funksionon më shpejt, gjithmonë një hap para pjesës tjetër.

I njëjti organ i ftohtë që ka vendosur të ndalojë kur askush nuk e priste. Një vendim që “Bernabeu” nuk e kupton plotësisht, por që do ta respektojë ashtu siç di.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat