Banorët e fshatrave të Gjakovës që i lidhu ura mbi Gushën e Erenikut, kanë shprehur frikën se kjo urë po ua rrezikon jetën pasi është e dëmtuar. Ata thonë se duhet një ndërhyrje e shpejtë për të shmangur më të keqen, e komunarët kanë thënë se e kanë vënë në prioritet sanimin e këtij problemi.
Gjendja e urës mbi Gushën e Erenikut, e cila i lidh rreth 30 fshatra të Rekës së Keqe me pjesë të tjera të komunës së Gjakovës dhe komunat përreth është e keqe.
Demë Sadiku nga Nivokazi është ankuar për mosmarrje të masave nga komuna për rregullimin, e që sipas tij, mund të ketë pasoja në njerëz.
"Gusha është një degë mjaft e fortë e cila edhe ashtu bënë dëme të konsiderueshme, dhe pikërisht nga këto dëme që janë shkaktuar ka ardhur te keqësimi i gjendjes së urës. Dhe vërtetë ura nuk do koment është rrezik permanent që dikush, sidomos njerëz që nuk e njohin terrenin, mundet me pësu me ra në të krejt”, ka thënë ai.
Si e tillë ura paraqet rrezik për të gjithë, e sidomos për fermerët nga ky lokalitet që tashmë kanë i filluar punët pranverore.
"Po shihet që këtu është vetëm zall, nuk ka sgjë tjetër që e mbron dhe kjo mundet brenda ditës ose brenda natës me rrëshqitë me ra krejt asfalti edhe mund të humb dikush jetën. Bëjmë apel që të vijnë dikush nga institucionet e komunës dhe ta eliminojnë këtë problem. Janë shumë bujq që vijnë edhe i punojnë këto toka plus lidhen shumë fshatra edhe nga Juniku që kalojnë përmes kësaj ure", ka theksuar Isuf Salihu nga Batusha.
Komunarët thonë se këtë problem të urës e kanë prioritet për ta rregulluar.
"Për sivjet kemi planifikuar me i rindërtuar apo sanuar urën në Trakaniq, në Pacaj një urë. I kemi do ura të vogla që me këtë kontratë duhet me i sanu, mirëpo për shkak të rrezikshmërisë ura në fshatin Nivokaz është me prioritet të lartë për shkak që ka filluar me paraqit rrezik. Besojmë që javën e ardhshme kemi me nis punën në atë drejtim", ka theksuar Shkumbin Kastrati, drejtor i DSHP në Gjakovë.
Ura e Gushës dhe ajo e Erenikut janë ndërtuar në vitet e 80-ta me kontributin e banorëve të Nivokazit dhe njerëzve të vullnetit të mirë nga fshatrat e Rekës së Keqe.