Një 17-vjeçar shqiptar është dorëzuar në polici pasi kishte vrarë me plumb në kokë një burrë në zonën e Kaltenkirchen në Gjermani.
Mediat gjermane raportojnë se 17-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur, ka mbërritur në stacionin e policisë bashkë më avokatin e tij, për të rrëfyer krimin.
Shqiptari i çoi oficerët e policisë në orën 2:41 të mëngjesit të së shtunës, më 25 nëntor, pranë zonës ku kishte kryer krimin, ku dhe ishte trupi i viktimës, i ekzekutuar me një plumb në kokë, në një zonë të vogël pyjore pranë një banje termale.
I riu doli para një gjyqtari të dielën më 26 nëntor, ku nuk ka dhënë asnjë detaj mbi krimin dhe motivet që e çuan në këtë akt.
Autoritetet kanë ngritur dyshimet se si është ekzekutuar burri në një zonë pranë banjave termale, ndërsa njerëzit pushonin, ndërsa mësohet se ditën e ngjarjes kjo zonë u mbyll në orën 22:30. Policia ka nisur hetimet ndërkohë, për të zbuluar se sa kohë qëndronte aty i vdekuri ende i paidentifikuar.
Mjekët ligjorë besojnë se ai u qëllua mes të martës dhe të premtes. Gjithashtu është e paqartë nëse vendi ku është gjetur është edhe vendi i krimit. Me sa duket ka të dhëna se i panjohuri mund të jetë vrarë në zonën e qendrës së qytetit dhe më pas është dërguar aty.
Mediat raportojnë se i vdekuri dhe 17-vjeçari shqiptar ndoshta kanë pasur një mosmarrëveshje për pazaret e drogës. Deri më tani, shqiptari, i cili nuk ka vendbanim të përhershëm në Gjermani, thuhet se ka qenë person pa precedent të mëparshëm penal.