Policia ka shpallur pjesë të një qyteti në Gjermani një “fokus kryesor të operacioneve”.
Bëhet fjalë për qytetin e Regensburg (Bavaria) të Gjermanisë, ku bandat e hajdutëve grabitin vazhdimisht ndër tjerash, një supermarket – në mes të ditës.
Veç kësaj, në natën e Vitit të Ri, grupe burrash shkaktuan trazira në qytetin e vjetër dhe ngacmuan seksualisht një grua (33).
Dhe vetëm pak ditë më parë, një grua (29) u përdhunua nga dy burra në një zonë të gjelbëruar pranë shkollës katolike të vajzave St. Marien, shkruajnë mediat në gjuhën gjermane.
“Vajzat tuaja të shkojnë në shkollë vetëm në grup”, ka qenë thirrja e një drejtori të një shkolle, drejtuar prindërve.
Ndërkohë në dhjetor, një menaxher i dyqanit Edeka nga Regensburg publikoi një thirrje për ndihmë që u bë lajm në mediat gjermane.
“Burra të veshur me të zeza vijnë tek ne çdo ditë, të gjithë nga shtëpitë e azilit në Regensburg. Mbushin xhepat dhe çantat dhe dalin pa paguar!”, citohet të ketë shkruar ai.
Më pas ai u sulmua nga ekstremistët e majtë, të cilët e akuzuan për nxitje të urrejtjes kundër refugjatëve.
Njëri nga njerëzit që ka dëshmuar situatën e krijuar atje është edhe menaxheri i një pike të zonës, Ferat Nuha (36), i cili vetë vjen nga Kosova.
Ai ka thënë për “Bild”, medium i cili thekson se bëhet fjalë për 100.000 euro dëme të shkaktuara: “Vjedhje kemi pothuajse çdo ditë. Rreth 80 për qind e tyre kryhen nga të huajt. Gjërat kanë qenë veçanërisht të këqija që nga vera e vitit 2023”.
Sipas tij, janë kryesisht tunizianët që janë vënë re – të cilët, siç thotë ai, janë mosrespektues, shajnë dhe sulmojnë punonjësit.
Siç vënë në pah mediat, emigrantët gjithashtu hyjnë e dalin rregullisht nga një dyqan në stacionin kryesor të trenit, siç thuhet – pa paguar.
Mediat theksojnë faktin se si pasojë, qyteti ka hequr tani stolat e parkut midis një shkolle vajzash dhe stacionit kryesor të trenit.
Aty ishte shfaqur një pikë e nxehtë për emigrantët që ngacmonin gratë.
“Ne bëjmë një shëtitje në park çdo ditë dhe për gjashtë muaj të mirë kemi dëgjuar më shumë njerëz që flasin në gjuhë të huaja”, shpjegoi për “Bild” pastori në pension Erhard Schmidt. “Mund të shihni emigrantët e rinj që përpiqen të shesin drogë”.
Policia i konfirmoi këto deklarata dhe veçanërisht tunizianët janë mes të dyshuarve.
“Numrat për vitin 2023 në zonën e stacionit do të tejkalojnë shifrat e viteve të mëparshme”, tha një zëdhënëse e policisë për “Bild”.
Në këtë drejtim, edhe zemërimi ndaj Ministrisë së Brendshme tani po rritet.
Që nga vera e kaluar, një numër në rritje i azilkërkuesve nga Tunizia janë akomoduar pranë stacionit të trenit – të koordinuar nga Ministria Federale e Brendshme.