Shqiptari vrau serbin në Duseldorf, dyshohet se u fjalosën për lojëra fati

Gjermania

Shqiptari vrau serbin në Duseldorf, dyshohet se u fjalosën për lojëra fati

Më: 29 prill 2024 Në ora: 17:33
Gjermani

Një shqiptar ka vrarë një serb në Gjermani pas disa mosmarrëveshjeve që kishin pasur mes vete. Dyshimet e para janë se rasti kishte ndodhur për probleme për lojëra fati, teksa i dyshuari është arrestuar.

Kjo video që po qarkullon nga mbrëmë, shfaq një person me një armë në dorë që po rri gjakftohtë ndaj një tjetri që tashmë është i shtrirë për vdekje.

Video pasqyron një vrasje që po dyshohet se ka ndodhur në Gjermani të dielën, ku një kosovar ka vrarë një serb, pronar restoranti në Duseldorf.

Shtetasi gjerman me origjinë serbe Aleksandar M. u ekzekutua me breshëri plumbash para lokalit të tij nga një kosovar i njohur si Rrustem Llapi, i cili banonte në Gjermani.

Siç raporton gazeta gjermane “WELT”, fillimisht në restorant ka pasur një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe viktimës, ku ky i fundit edhe njihet si reperi “Aleks M”.

Sipas hetimeve, rreth orës 02:45 ka pasur një debat mes viktimës dhe të dyshuarit kosovar në restorant. Më pas debati ka vazhduar edhe jashtë lokalit, ku më vonë janë dëgjuar të shtëna .

52-vjeçari nga Duseldorfi thuhet se më pas është kthyer në restorant dhe është vetëdorëzuar pa rezistencë. Ai deri tani ka zgjedhur të mbrohet në heshtje për akuzat.

Nga plagët e marra 38-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Sipas një dëshmitari, mosmarrëveshja mund të kishte qenë për borxhet e lojërave të fatit, siç kishin ngritur dyshimet edhe hetuesit, pasi zona ku ka ndodhur vrasja është një vend që shpesh ka tërhequr vëmendjen për shkak të lojërave të paligjshme të fatit që zhvillohen në atë pjesë.

Siç deklaroi Prokurori Martin Stücke, i dyshuari ka dalë para gjykatës këtë të hënë, por nuk pritet që sot të ketë vendim për të apo detaje tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat