“Pas të shtënave fatale, ai ia bëri me dorë në mënyrë rastësore policisë”.
Kështu shkruan sot tabloidi gjerman ‘Bild’ në titullin e një artikulli të fundit rreth vrasjes së të dielës mbrëma në Dyseldorf, për të cilën është arrestuar Rrustem Rushiti, një 52-vjeçar nga Podujeva.
‘Bild’ ka publikuar një video të re në të cilën thuhet se shfaqet Rrustem Rushiti, i njohur me nofkën ‘Llapi’, duke ia bërë në mënyrë krejt rastësore me dorë Policisë gjermane disa momente pas të shtënave me armë.
Video të cilën e ka publikuar Bild, është incizuar nga një dëshmitar okular. Pas vrasjes, sipas imazheve të reja, kosovari nuk është larguar nga vendi i ngjarjes.
Një foto (e nxjerrë nga video), e publikuar nga ‘Bild’, shfaq Rushitin me një këmbë mbi një bllok-mbrojtës të rrugës. Pranë tij, shihet i shtrirë në tokë Aleksandar M., reperi gjerman me origjinë serbe, i cili vdiq në vendin e ngjarjes.
Mediat gjermane kanë raportuar të hënën se viktima Aleksandar M. ishte edhe reper dhe i pëlqente të prezantohej në internet si ” gangster” i vërtetë. Ai kultivonte një imazh si biznesmen pasanik, herë pozonte me një Ferrari, herë me xhipa të mëdhenj.
Ndërkaq, Rrustem Llapi është një shqiptar nga Podujeva, i cili në rrjetet sociale publikonte shpesh video në Tik-Tok në të cilat shfaqej herë në Kosovë, e herë në Gjermani.