QKMF-ja e re në Gjilan me probleme në sistemin për ngrohje e ftohje

Gjilani

QKMF-ja e re në Gjilan me probleme në sistemin për ngrohje e ftohje

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 21:43
QKMF

Pacientët dhe stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare tash e një vit vazhdojnë të kenë probleme me sistem të klimatizimit. Ndonëse objekti është i ri, sistemi për ngrohje e ftohje nuk ka funksionuar plotësisht asnjëherë. Në kompaninë e kontraktuar nga komuna, fajin ia lënë nënkontraktorit

Rashit Sahiti mbante dritaren hapur për ta freskuar dhomën gjatë qëndrimit shtrirë deri në përfundim të marrjes së terapisë në katin e parë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan. Ndonëse ky objekt i ri i QKMF-së posedon sistem të klimatizimit, pacientët dhe stafi mjekësor detyrohen të gjejnë alternativa të tjera për ajrosje e freskim.
“Hera e dytë është që po marr infuzion, megjithatë duket që nuk po ka klimë, po është freskët, nuk është kushedi problem. Dhe besoj që është e përshtatshme kjo klimë për pacientë”, ka thënë Sahiti.

Ani se sistemi i klimatizimit është e aktivizuar, ajo nuk kryen punë as në katin e dytë të objektit.

Dritaret qëndrojnë hapur edhe në hapësirat e Stomatologjisë, për ta mundësuar ajrosjen e dhomës nga përzierja e aromave që është krijuar gjatë punës teknike aty.

Për dallim nga dy katet e para që sistemi i klimës punon pjesërisht, në të tretin ku ndodhet drejtoria dhe administrata e institucionit, ajo nuk funksionon fare.

Teksa freskuese të tilla ajri ndodhen në korridore, drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, tregon se në këtë kat klima nuk ka punuar asnjëherë.

“Tash një vit ne kemi filluar punën në QKMF-në e re që kemi dalë. Nuk ka ndonjë shpjegim, kanë ardhur disa herë, e kanë parë, diçka kanë punuar, por rrënjësisht asnjëherë, qe një vit nuk është punuar. Po shpresojmë që tash pasi ka ardhur një kompani e re, serioze po duket”, ka thënë Hajdari.

Në kompaninë e kontraktuar nga Komuna e Gjilanit, fajin për neglizhim të punës ia lanë nënkontraktuesit, e të cilin thanë se e kanë ndërruar. Sipas tyre, brenda vikendit problemet do të evitohen.

“Punët janë duke vazhduar edhe sot aty, ku jemi duke i rregulluar disa probleme të cilat kanë ndodhur pas hyrjes në QKMF, jo nga ana jonë, por nga ana e nënkontraktorëve tanë e që si rezultat i këtyre pakujdesive, me qëllim që të jemi sa më korrektë ndaj punës në QKMF, kemi ndërruar edhe nënkontraktuesin, i cili është i obliguar që deri të hënën t’i sanojë të gjitha problemet aktuale dhe t’i vendosë në funksion dhe në shërbim të qytetarëve dhe personelit”, ka thënë Taulant Hyseni, drejtor i kompanisë “Ceni Company”.

Për këtë problem të QKMF-së, KOHA ka drejtuar pyetje edhe në Komunën e Gjilanit, por kanë munguar përgjigjet prej dy ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat