Kurti vizitoi punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” dhe mori pjesë në përurimin e Parkut “Banja” në Gjilan

Gjilani

Kurti vizitoi punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” dhe mori pjesë në përurimin e Parkut “Banja” në Gjilan

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 16:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Vizitën e tij në Komunën e Gjilanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e vazhdoi duke i përcjellë nga afër punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi”.

Ky projekt, arrin vlerën totale prej 2,4 milionë eurove dhe është bashkëfinancim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 2 milionë euro dhe nga Komuna e Gjilanit me 400 mijë euro.

Ai parasheh zgjerimin e rrugës përgjatë kazermës së FSK-së, nga 2 korsi sa ka qenë në 4, me gjatësi 600 metra. Gjithashtu, përfshin edhe mbulimin e shtratit të lumit Stanishorka, trotuare në dy anët e rrugës, si dhe shtegun për biçikleta.

Pas vizitës së punimeve rrugore, kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Parkut “Banja”. Komunës së Gjilanit, me këtë investim prej 250 mijë eurove, iu shtua edhe një hapësirë e re me 17,000 metra katrorë e cila do të shërbejë për argëtim, sport dhe aktivitete të tjera rekreative.

Jetësimi i Parkut “Banja” ka siguruar për qytetarët gjilanas dhjetëra drunj e një rrjedhë uji nga burimi nëntokësor. Gjithashtu ka edhe terrene sportive, përfshirë atë të tenisit e një fushë të basketbollit, 6 tavolina shahu, lodra për fëmijë dhe amfiteatër që ofron mundësi për aktivitete të ndryshme kulturore.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, lidhur me përurimin e Parkut “Banja”, tha se tashmë kjo hapësirë është në shfrytëzim të qytetarëve tanë, të familjarëve, të fëmijëve, të sportistëve, të atyre që e duan gjelbërimin e që e duan ecjen.

Një ndalesë tjetër të shkurtër, kryeministri e pati edhe tek vendpunishtja ku është duke u bërë rigjenerimi i ish-parkingut tek Posta e Vogël, duke integruar Xhepat e Gjelbër, për t’u shndërruar në Park Urban.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj dite ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbreshë Kryeziu Hyseni, si dhe ish-deputeti nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat