Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan ka nisur simbolikisht manifestimin kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, i 33-ti me radhë, që organizohet në nderimin e të rënëve për liri.
Bëhet e ditur se, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi bëri homazhe me bashkëpunëtorët dhe udhëheqësit e institucioneve tjera, ka deklaruar se gjatë janarit kjo komunë nderon të rënët për liri përmes vlerave kulturore.
“Jemi me datë 11 janar kur edhe shënojmë fillimin e manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”. Këtë vit, për dallim nga vitet tjera, kemi edhe një vit jubilar sepse jemi në 40-vjetorin e rënies së heronjve të vendit tonë, të kombit shqiptar, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës. Tani kemi nderuar dëshmorët ndërkohë që do të vazhdojmë me aktivitetet tjera përgjatë ditës”, ka thënë kryetari Hyseni, njofton zyra për informim e kësaj komune.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Hysen ka ftuar qytetarët gjilanas, artdashësit, të gjithë ata që duan të jenë pjesë e “Flakës së Janarit”, të marrin pjesë në aktivitetet që janë paraparë për këtë vit. Kalendari është publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport (DKRS), dhe aty mund të gjendet edhe orari i manifestimit.
“Sot kemi edhe një vizitë bashkë me kryeministrin e Kosovës, në familjet Malaj dhe Berisha, ndërkohë që do të vizitojmë edhe shtëpinë muze, pra ajo që mund të themi, inaugurim si ide e si projekt për këtë muze. Uroj të gjithë qytetarët e Gjilanit që të mos harrojmë asnjëherë dëshmorët e rënë për liri”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.