Gjilani do të bëhet me unazën e madhe të qytetit, e cila do ta lidhë atë me të gjitha rrugët magjistrale, në katër drejtime.
Kështu ka njoftuar komuna përmes një komunikate për media, ku thuhet se kryetari Alban Hyseni ka nënshkruar marrëveshje për projektin e qarkores së madhe, me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Projekti bëhet e ditur se kap vlerën rreth 27 milionë euro, e që sipas komunës, është investimi më i madh infrastrukturor në historinë e qytetit të Gjilanit.
“Nënshkruam projektin më të madh infrastrukturor në historinë e qytetit, me vlerë rreth 27 milionë euro, me Zëvendës Ministrin Hysen Durmishi”, ka thënë Hyseni, duke specifikuar se qarkorja e re e qytetit ka gjatësi rreth 20 km, do të jetë me katër krosi dhe do të lidhë të gjitha rrugët magjistrale.
“Gjilani, me qeverisje të ndershme e plot dinjitet tashmë ka kthyer vëmendjen meritore”, ka shtuar ai.