Manifestimi Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024” këtë të diele ka vazhduar me aktivitetin “Ecje për nder të Heronjve të Janarit”, organizuar nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “ Gjilani”, mbështetur nga Drejtoria për Kulturë Rini e Sport e komunës së Gjilanit, por edhe nga Komuna e Kamenicës, e me pjesëmarrje edhe të klubeve tjera alpine, bjeshkatare të qyteteve tjera kosovare, por edhe nga Maqedonia e Veriut.
Me këtë aktivitet që nga organizatori, Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “ Gjilani”, është quajtur edhe ecje në shtigjet prej nga buroi liria, janë nderuar të rënët për liri, gjegjësisht janë nderuar heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Kadri Zeka.
"Ky organizim e pasuroi programin institucional duke e ngritur edhe më shumë vlerën e lirisë përmes shoqërimit, kalitjes fizike dhe njohjes të natyrës së atdheut tonë", njofton Komuna e Gjilanit.
Pjesëmarrësit nga Gjilani e Kamenica, nga pjesë të tjerë të Kosovës, por edhe nga Maqedonia, janë bërë bashkë për të nisur ecjen në nderim të këtij manifestimi përmes të cilit nderohen të rënët për liri, ecje kjo fillimisht deri te Kulla e Nuhi Berishës në Sfircë, për t’u kthyer te Kapia, për të vazhduar më pas deri te kulla e Rexhep Malës në Hogosht, si dhe deri te kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, që edhe e ka përmbyllur shtegun e ecjes, për t’u rikthyer pjesëmarrësit në Kamenicë gjegjësisht në Gjilan e vende tjera.
Kështu, përmes këtij aktiviteti të ecjes nëpër shtigjet e lirisë, u nderua vepra madhështore e heronjve dhe u bë edhe për t’u mbajtur gjallë kujtesa historike kombëtare.
Përndryshe, Manifestimi Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, do të vazhdojë tutje më 23 janar me Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2024”.