Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij kanë trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha komunat dhe se nuk ka pas as një anashkalim të as një komune sa i përket investimeve.
Ai ka thënë se komuna që drejton ai ka qenë gjithmonë e anashkaluar nga investimet nga ana e nivelit qendror dhe se me qeverinë Kurti po vihet përfundimisht një drejtësi për qytetarët e Gjilanit një çerek shekull pas përfundimit të luftës.
I pari i kësaj komune në këtë interviste ka folur edhe ne lidhje me punët që janë bërë gjatë vitit të kaluar si dhe projektet të cilat parashihen që të fillojnë gjatë këtij. Tha se vlera e tyre kapin shifrën e 60 milionë eurove.
Kryetari Hyseni e ka quajtur 2023-ën si vit të suksesshëm sa i përket investimeve kapitale dhe shpenzuesmërisë së buxhetit.
“Ka qenë vit sfidues sikur se për shumicën e institucioneve tjera edhe për komunën tonë, ne kemi shpenzuar rreth 92 për qind të buxhetit në total në fund të viti, ndërkohë për investime kapitale rreth 70 për qind, pra ka qenë vit relativisht i mirë e i suksesshëm, ndonëse jo i kënaqshëm krahasim me pritshmëritë e planifikimet tona”, tha ai.
Ndërsa përgjatë vitit 2024, Komuna e Gjilanit parasheh që t’i realizojë shtatë projekte madhore që kapin shifrën e mbi 60 milionë euro.
“Po janë gjithsej shtatë projekte të mëdha që planifikojmë që t’i realizojmë këtë vit. Projekti me më pak kosto është qendra e Kulturës në lagjen ‘Dardania’ me 1.2 milion euro. Kontrata është nënshkruar edhe punimet kanë filluar në këtë projekt. Projekti tjetër që presim që të fillojnë procedurat e tenderimit është renovimi i Palestrës së Sporteve në vlerë prej 2.3 milionë euro. Projekti i tjetër me radhë që është po ashtu i kontraktuar edhe i nënshkruar tashmë si kontratë është zgjerimi i rrugës ‘Hamdi Kurteshi’, pra rreth kazermës së FSK-së. Projekti tjetër pas kësaj është rikonstruktimi i rrugës ekzistuese qarkore që lidh rrugën për Kamenicë, pra magjistralen për Dheun e Bardhe dhe rrugën për Prishtinë është 2.7 milionë euro vlera totale. Ndërkohë kemi rreth 7 hektar tokë që nuk janë shpronësuar që një çerek shekulli, pra 25 vite edhe për këtë kemi arritur marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës që të bëjë shpronësimin, ndërkohë ne do të realizojmë kontratën në vlerë prej 2.7 milionë euro, përfshin riasfaltimin e rrugës, dy shtigje të biçikletave, trotuare në të dyja anët, ndriçimin publik dhe kanalizim atmosferik. Pas kësaj kemi projektin e stadiumit të qytetit në vlerë prej 15 milionë euro, tashmë janë procedurat e tenderimit. Pas tij vjen bulevardi i qytetit në vlerë prej 18 milionë euro në total. Dhe projekti i fundit por sigurisht më i kushtueshim dhe ndoshta me i rëndësishmi për nga ndryshimi është edhe qarkorja e re e qytetit në vlerë prej 27 milion euro”, tha ai, për EO.
Kryetari Hyseni i pyetur se a është duke favorizuar qeveria komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja sa i përket ndarjes buxhetore për investime kapitale, u shpreh se qeveria Kurti ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha komunat dhe se nuk ka pas as një anashkalim të as një komune sa i përket investimeve.
Sipas tij, Gjilani dhe Anamorava në përgjithësi kanë qenë të anashkaluar nga investimet nga niveli qendror dhe se kjo sipas tij nuk po ndodh me Qeverinë Kurti.
“Unë besoj që duhet që të shihni edhe projekte të cilat janë përkrah nga institucionet e nivelit qendror, ndërkohë do të duhet që të vlerësohet edhe puna e komunës që e kemi bërë. Për dy vite qeverisje kemi arritur që të paguajmë diku rreth 10 milion euro borxhe nga e kaluara, prej të cilave mbi 1 milion euro janë taksa edhe obligime të tjera shtesë që rrjedhin nga grumbullimi i borxheve. Nëse krahasohen të dhënat që i kemi nxjerr në publik nga të hyrat vetanake të komunave kemi arritur që në vitin 2022 për 600 mijë euro të tejkalojmë planifikim e të hyrave vetanake, ndërkohë në vitin 2023 është gati 1 milion euro. Pra puna që bëhet, serioziteti që tregohet dhe kërkesat që i kemi si komunë, janë edhe të arsyeshme por janë edhe një lloj vetë kontributi i komunës edhe financiarisht edhe në këtë formë ne nuk e ngarkojmë vetëm buxhetin e Kosovës. E krejt e fundit ndoshta edhe për nga rëndësia është që komuna e Gjilanit edhe Anamorave, kanë qenë zakonisht për të mos thënë gjithmonë të anashkaluar nga investimet, përderisa gjitha rajonet janë bërë tashmë me rrugë magjistrale, me autostrada, me projekte milionëshe, Gjilani edhe Anamorava janë të fundit që po e gëzojnë këtë të drejtë, pra po vihet një drejtësi përfundimisht për qytetarët e Gjilanit një çerek shekull pas përfundimit të luftës”, u shpreh ai.
“Unë do të thoja që në qeverisje kemi një qeveri dhe një kryeministër që i trajton barabartë të gjitha komunat, nuk ka as një komunë që është anashkaluar për investime, të gjitha komunat marrin investimet e tyre, projektet që janë të arsyeshme që janë në rend që janë në rregull dhe që i shërbejnë interesit publik financohen nga të gjithë”, deklaroi ai.
Hyseni duke folur për ndërtimin e autostradës së Gjilanit, tha se ky projekt është shoqëruar me probleme të shumta, por që shpreh optimizmin për përfundim të tij gjatë këtij viti.
“Edhe ky projekt sikur shumë të tjera është i shoqëruar me probleme, fillimisht nga shpronësimet, kualiteti i projektit, mungesa e elementeve të caktuara për shembull disa nënkalime. Problemet me shpronësimin, rrëshqitjet e dheut për shkak të kualitetit jo të mirë të projekti. Kemi pas edhe zvarrite të punëve nga operatori për shkak të ngritjes së çmimeve që kanë sjellë problem. Unë besoj që brenda këtij viti autostrada e Gjilanit do të jetë temë e harruar, prej 22.8 kilometra në total, diku rreth 12 kilometra janë të asfaltuara dhe të përfunduara. Pra presim vetëm gjysmën e proejkti i cili është në një fazë kur kërkon punimet finale të dheut që të mund të asfaltohet, besoj që brenda këtij viti do të përfundohet gjithçka, ky është të paktën edhe zotimi publik i Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët janë edhe ata që e kanë lidhur këtë kontratë po që sigurisht ne e kemi përgjegjësin le të themi për shkak që qytetarët tanë të Anamoraves dhe ata të Luginës së Preshevës përfitojnë nga ky projekt në fund”, tha Hyseni.