Golfisti i njohur Tiger Woods po i jepte makinës me një shpejtësi dy herë më të lartë se norma e lejuar, duke shkaktuar edhe aksidentin e dy muajve më parë. Ka qenë ky raporti që ka përgatitur sherifi i kontesë së Los Anxhelosit pas përfundimit të hetimeve, lajm që është konfirmuar nga TMZ.
Sipas raportit, Woods po i jepte makinës me 140km/orë, ndërkohë që norma e lejuar në atë rrugë ishte 70km/orë.
“Shkaku kryesor i aksidentit është shpejtësia tepër e lartë, dy herë mbi normën e lejuar. Kjo bëri që piloti të ishte i paaftë të manovronte makinën në një kthesë”, thuhet në raportin e sherifit.
Në raport konfirmohet se Woods nuk kishte konsumuar alkool apo substance të ndaluara. “Ka shumë gjasa, që pasi humbi kontrollin e makinës, në mes të konfuzionit ka shkelur gazin në vend që të frenonte”, thuhet në raport. Woods pësoi dëmtime në këmbë dhe aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij për rehabilitim.