​Golfi, sporti i zotërinjve që Kosova mund të përfitojë ekonomikisht nga ta

Golf

​Golfi, sporti i zotërinjve që Kosova mund të përfitojë ekonomikisht nga ta

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 09:07
Lavdim Zylfiu

Golfi është një lojë në natyrë, në të cilën lojtarët përdorin shkopinj të posaçëm për të goditur një top të vogël e të fortë mbi një fushë. Qëllimi i lojës është të çojë topin rreth fushës duke përdorur sa më pak goditje të jetë e mundur. Golfi është një sport i zotërinjve shumë popullor në mbarë botën, e që në Kosovë është e kundërta.

Golfi në vendin tonë nuk është aq i popullarizuar sa sportet e tjera si ai i futbollit, basketbollit e xhudos. Kosova ka një Federatë të Golfit, e cila së fundmi u bë anëtarja e 50-të e Federatës Evropiane të Golfit (EGA).

Federata e Golfit e Kosovës (FGK) u anëtarësua në Federatën Evropiane të Golfit (EGA), pas vendimit që u morr në Asamblenë Gjenerale të EGA-së, e cila u mbajt më 18 nëntor në Londër.

Me këtë rast, në një intervistë për KosovaPress foli zëdhënësi i FGK-së, Lavdim Zylfiu, i cili zbuloi rrugëtimin e FGK-së deri te anëtarësimi në qeverinë evropiane të golfit, tregoi për planin e masivizimit të këtij sporti në vendin tonë, dhe për çështjen e përkrahjes nga institucionet shtetërore.

Fillimisht, Zylfiu tregoi se si 15 vite e 3 muaj u shpërblyen me anëtarësim në EGA.

Zylfiu: Rruga e suksesit matet me vuajtjet që bëhen gjatë saj

Rruga e suksesit nuk matet me pozicionin në të cilin gjendesh tani, ajo matet me vuajtjet gjatë rrugës, pra që bëhen. Ka qenë një rrugë jashtëzakonisht e mundimshme edhe e gjatë, 15 vite e 3 muaj, që nga 1 gushti i vitit 2008 kur e kam pranuar sfidën me u marr me sportin e golfit, është dashtë një konsolidim masiv me një përkrahje të jashtëzakonshme familjare edhe mediale të Kosovës, mënyrë që me i masivizu, me i grumbullu, me bo një "team building" të zyrtarëve të klubeve në Kosovë fillimisht, dhe pastaj të lojtarëve që gjenden në mërgatën tonë shumë të çmuar”, tha Zylfiu.

Më tej, zëdhënësi i FGK-së tha se rruga deri te anëtarësimi në EGA ishte shumë e mundimshme, ndërsa edhe zbuloi se si shkuan tri ditët e delegacionit të Kosovës në Londër, në Asamblenë Gjenerale të EGA-së që u mbajt më 18 nëntor.

Zylfiu: Ka qenë rrugë e mundimshme, tri ditët në Londër më janë dukur si tri javë

"Ka qenë një rrugë shumë e mundimshme, ka qenë edhe dita e datës 16, 17 dhe 18, më janë dukë si tri javë, jo vetëm tre ditë. Ishim në Londër, në Kuvendin Gjeneral të EGA, i vetmi shtet që do të duhej të pranohej asaj dite. Kemi pasur takim me rreth 40 delegacione drejtpërdrejtë ku i kemi informuar për punën tonë çdo përfaqësues të tyre, çdo president, ku i kemi tregu për Kosovën, historinë e saj edhe historinë e golfit të Kosovës. E mira është që ata na kanë pritur shumë mirë dhe na kanë ftuar me shumë kënaqësi në vitin e ardhshëm me i vizitu, dhe me marr pjesë në garat që organizohen gjithandej nëpër Evropë. Pra, ka qenë një rrugë shumë, shumë e mundimshme, ndjenja është jashtëzakonisht e madhe. Besoj që do të jetë e tillë kur të vazhdojmë edhe me pranimin në dy instancat e tjera... në IGF pra Federatën Botërore, dhe në R&A krejt në fund", tha Zylfiu.

Po ashtu, Zylfiu foli edhe për përkrahjen që e ka marrë Federata e Golfit të Kosovës nga institucionet shtetërore, ndërsa tregoi se si Kosova mund të përfitojë në aspektin ekonomik nga sporti i golfit.

Zylfiu: Kemi pas përkrahje nga MKRS, nga institucionet e tjera fatkeqësisht jo

“Kemi pas një përkrahje nga Ministria (MKRS)...Gjatë javës së ardhshme ne presim të takohemi me krerët e saj, ndërsa nga institucionet e tjera fatkeqësisht akoma nuk kemi pas. Meqë lojtarët tanë vijnë nga mërgata, dhe deri këtu ku kemi ardhur, kemi ardh me 95-99% ndoshta vetëfinancim gjithë-secili nga ne, ose më mirë me thënë gjithë ata që me të vërtetë kanë besuar që mund të arrijmë deri këtu për tu bërë anëtarë edhe në EGA, në mënyrë që me hap rrugë përveçse për vetën tonë, për lojtarët dhe lojtarët aktualë, por edhe për gjeneratat e reja që na vijnë, qofshin ata brenda trojeve shqiptare, qofshin në mërgatë. Na duhet, patjetër vitin e ardhshëm një përkrahje shumë ma e madhe edhe nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, nga Ministria e Ekonomisë, nga MKRS, patjetër një dyfishim i buxhetit së paku. Po i them krejt këto sepse si individ që kam përcjellë prej shumë vitesh zhvillimin e golfit në rajon, në shtetet më të fuqishme të Ballkanit, ato kanë marrë një inercion të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik përmes golfit, pra përmes sportit të golfit kanë ardhë në kontakt me kompani, individë të jashtëzakonshëm që jetojnë në mbarë Evropën, individë që ndoshta ndër tre, katër mundësitë për me ardhë deri te këta, është ardhja përmes sportit të golfit”, tha Zylfiu.

Për fund, zëdhënësi i FGK-së tregoi edhe planin për masivizimin e sportit të golfit në Kosovë.

Zylfiu: Sporti i golfit është një “gentelman sport”, ndërtimi i ushtrimores në Prishtinës do të thoshte shumë për ne

"Ndërtimi i një ushtrimores vitin e ardhshëm në Prishtinë, meqë është qyteti më i madh i Kosovës do të thoshte shumë për ne, sepse do të i jepej mundësia çdo kujt për me ardhë me pa dhe me provu sportin e golfit. Gjithashtu do të organizojmë edhe trajnerët tanë, trajneret që janë shqiptare, por edhe trajnerë të huaj që do të na ndihmojnë tani shtetet tona mike, homologë tanë nga federatat e tjera përkatëse, në mënyrë që t'na sjellin, Kosovën ta vizitojnë çdo muaj trajnerë të huaj në mënyrë që ta shohin talentin e individëve që praktikojnë sportin aty. Siç mund ta dini ne shquhemi për sportet individuale, golfi është një sport i tillë individual. Është koha pak me kalu ndoshta prej arteve marciale në një sport siç është golfi...Sporti i golfit nuk njeh as kombësi, as fe e as moshë sepse konsiderohet një "gentelman sport", është sporti më prestigjioz në botë”, tha Zylfiu.

Federata e Golfit e Kosovës (FGK) është themeluar më 17 tetor të vitit 2018 në Prishtinë, dhe fillimisht posedonte vetëm 15 lojtarë.

Më 30 shtator 2023, FGK ka organizuar kampionatin e katërt shtetëror në të cilin morën pjesë 63 nga 72 lojtarë sa i posedon aktualisht federata. Ky ishte kampionati më i madh shqiptarë i organizuar ndonjëherë.

Vetëm Bosnja dhe Spanja kanë qenë dy shtetet të cilat votuan kundër pranimit të Kosovës në EGA, kurse të gjitha shtetet e tjera me respektin dhe konsideratën më të madhe duartrokitën delegacionin e Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat