​Ferati: Në hendboll arritëm diçka që konsiderohej ëndërr e parealizueshme

Hendboll

​Ferati: Në hendboll arritëm diçka që konsiderohej ëndërr e parealizueshme

Më: 10 mars 2024 Në ora: 10:24
Mitat Ferati

Kombëtarja e Kosovës në hendboll U-18, konkurrenca e vajzave, kanë shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror U-18. Vajzat dardane u bënë kampione të garës "IHF Trophy Intercontinental", të mbajtur në Tashkent të Uzbekistanit për t’u bërë kështu pjesë e shteteve më të mëdha që do të luftojnë në Botërorin e Hendbollit që zhvillohet në verën e këtij viti.

Me këtë sukses është shprehur shumë i kënaqur trajneri Mitat Ferati. Ai ka thënë se kjo arritje vetëm para pak javësh konsiderohej një ëndërr e parealizueshme.

Ferati: Arritëm diçka që konsiderohej ëndërr e parealizueshme

“Kjo ndjenjë është e paparashikueshme mund të them sepse mundësia për të luajtur në botëror nuk të ofrohet gjithmonë. Këtë ndjenjë do ta kenë edhe shtete më të mëdha nëse kualifikohen e jo Kosova, duke marr parasysh se çfarë nivelit të hendbollit kanë ato shtete në perëndim dhe çfarë kemi ne momentalisht. Mirëpo, fal angazhimit që e kanë pasur këto vajza bashkë me ne, me trajnerët, me fizioterapeutët, Federatën e Hendbollit që e kemi pasur gjithmonë afër e kemi arritur këtë sukses të paparashikueshëm që dikush para një viti e gjysmë mund të them që ishte një ëndërr e parealizueshme”, tha Ferati.

Ferati më tutje shton se pritjet e ekipit që ai drejton janë rritur pas këtij suksese dhe se në botëror shkojnë me synimin për të arritur majat më të larta.

Ferati: Synojmë majat e Kampionatit Botëror

“Ne nuk shkojmë atje vetëm sa për të marrë pjesë. E dimë se konkurrenca është shumë më e madhe se në këto dy turnetë të IHF Trophy. Janë skuadra me përmasa botërore që kanë një traditë të hendbollit. Ne e kemi synimin që të vazhdojmë me këtë kontinuitet, do të thotë jemi zhvilluar në këtë një vit e gjysmë dhe besojmë që në pesë mujorin e fundit do të arrijmë deri tek majat e botërorit që atje të jemi një kundërshtar i denjë për ekipet që i kemi në grupet ose në grupin që ne na caktohet”, theksoi Ferati.

Me t’u kthyer në Kosovë, ekipi i vajzave u pritën nga Komiteti Olimpik dhe Ministria e Sportit, nga të cilët Ferati thotë se kanë marrë premtime për mbështetje më të madhe.

Ferati: Hendbolli në Kosovë ka nevojë për më shumë mbështetje

“Takimi me Komitetin Olimpik dhe me Ministrinë e Sportit dhe Kulturës është për t’u përshëndetur, unë personalisht i gëzohem këtij bashkëpunimi. Na ka dhënë premtime që do të na mbështesin, ja vlen për ta mbështetur një skuadër siç është kjo e vajzave U-18...(03:30...) Sigurisht që nevojitet më tepër, hendbolli në Kosovë ende është në zhvillim e sipër, nuk i ka arritur majat e hendbollit evropian, mirëpo me suksesin e vajzave tona dhe ekipin tonë që e kemi jam më shumë se i kënaqur duke i parë rrethanat në të cilat kemi qenë ne si Kosovë”, shtoi tutje Ferati.

Ai vlerëson se hendbolli është në rrugën e duhur të zhvillimit, por bën thirrje për më shumë investime në infrastrukturë pasi thotë se në palestra po mungojnë gjërat elementare për ta zhvilluar një stërvitje.

Ferati: Në palestra na mungojnë kushtet elementare

“Për t’u përshëndetur është hendbolli në Kosovë që tani kanë filluar edhe me lojtare nga jashtë t’i ofrojnë në ekip, ajo ndihmon edhe vajzave edhe djemve dhe moshave të reja të shohin një hendboll më cilësor, por vlen të theksohet që puna më e vlefshme është më gjeneratat e reja, ato nuk guxojmë t’i harrojmë, gjeneratat e reja prej Kosovë nuk guxojmë t’i anashkalojmë sepse kemi talent plotë si te vajzat, ashtu edhe te meshkujt dhe tani vlen ta shohim se si do të zhvillohet ajo punë....Çdo turne që vie është lajm i mirë që të zhvillohet edhe sporti në përgjithësi për gjeneratat tona, mirëpo nuk ia vlen të përgatitemi për një turne dhe pastaj ta lëmë punën anash. Kjo fatkeqësisht po ndodh në Kosovë dhe ka ndodhur në vitet e kaluara. Nuk kemi asnjë palestër thuajse që i përmbush minimale për ta zhvilluar një turne ose një lojë, nuk funksionojnë gjërat elementare si dritat, ngrohjet, nuk kemi pajisje minimale ne palestër. Nëse duam të konkurrojmë me Evropën, atëherë sigurisht që pajisjet nëpër palestra nuk guxojnë të mungojnë”, nënvizoi në fund Ferati.

Kampionati Botëror i Hendbollit do të zhvillohet gjatë muajit gusht të këtij viti në Kinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat