Besa Famgas fiton ndeshjen e fortë me Kastriotin! Vushtrria baras me Vëllaznimin

Hendboll

Besa Famgas fiton ndeshjen e fortë me Kastriotin! Vushtrria baras me Vëllaznimin

Më: 17 mars 2024 Në ora: 22:17
Pamje nga një ndeshje

Besa Famgas ka fituar ndeshjen e fortë me Kastriotin e Ferizajt.

Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e mposhti Kastriotin me rezultat 34:27. Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Ndeshja ishte e fortë, sidomos në pjesën e parë. Mysafirët nisën furishëm dhe krijuan epërsi 4:1. Më pas janë shkëputur në 13:9. Deri në fund të pjesës së parë u zhvillua lojë e fortë dhe pas 30 minutave rezultati ishte 17:16 për Besën.

Loja e fortë vazhdoi deri në minutën e 45-të. Më pas vendësit nisën shkëputjen në rezultat për të fituar në fund me 34:27.

Aloja Antonio Vozila ishte më efikasi me 13 gola te Besa. Marin Mariq i kishte pesë gola, ndërsa katër i shënoi Ardit Tafilaj.

Te Kastrioti më efikasi ishte aloja Lulzim Shabani me tetë gola. Rron Ramadani i kishte pesë, ndërsa Alecssander Santos katër.

Besa është e dyta me 34 pikë. Kastrioti është i katërti me 24 pikë.

Ndeshje dramatike u zhvillua edhe në Gjakovë mes Vëllaznimit dhe Vushtrrisë.

Ndeshja nuk dha fitues, përfundoi 28:28. Edhe pas pjesës së parë rezultati ishte i barabartë, 15:15.

Mysafirët u shkëputën në pjesën e parë, por gjakovarët nuk u dorëzuan dhe u kthyen në lojë. Në minutën e 58-të Vushtrria shënoi për 28:26. Por Vëllaznimi shënoi dy gola, të fundit përmes Vitar Mamushës dhe barazoi në 28:28, me të cilin rezultat edhe përfundoi takimi.

Ardi Halili i shënoi 9 gola për Vëllaznimin, ndërsa katër lojtar i kishin nga katër gola.

Fitim Klinaku me 6 gola ishte më efikasi te Vushtrria, ndërsa Armend Karaça e Erkan Abazxhiku i kishin nga 5.
Për të dy skuadrat pika e fituar është e vlefshme për t’i ikur fundit të tabelës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat