Eugen Saraçini: Lajmi për vdekjen e profesoreshës, na ka tronditur

Hendboll

Eugen Saraçini: Lajmi për vdekjen e profesoreshës, na ka tronditur

Më: 31 mars 2024 Në ora: 18:52
Shqipe Bajçinca

Komuniteti i hendbollit në Kosovë të dielën mori një lajm shumë të rëndë. 

Ka ndërruar jetë Shqipe Bajçinca – Brestovci, personaliteti shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar dhe sportit kosovar në përgjithësi. Profesoresha Bajçinca – Brestovci deri në frymën e fundit ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës. Ajo ishte edhe anëtare e Bordit të FHK-së e po ashtu delegate e Federatës Evropiane të Hendbollit. 

Është shquar me përkushtimin dhe seriozitetin në të gjitha pozitat që ka mbajtur. Profesoresha Bajçinca – Brestovci ishte edhe hendbolliste e suksesshme më pas edhe komesare e garave në Federatën e Hendbollit të Kosovës.  

Aktivitetet në hendboll nuk i ka ndalur, ndonëse për shumë vjet është sfiduar nga një sëmundje e rëndë. Është parë si shembull për energjinë e jashtëzakonshme që kishte.

Për shumë vjet Shqipe Bajçinca-Brestovci ishte profesoreshë në Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës. Ka ligjëruar lëndë të shumta, ndërsa ishte shumë e afër me studentët.

Lajmi për vdekjen e profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci na ka tronditur. FHK-ja dhe familja kosovare e hendbollit kanë mbetur pa një personalitet shembull që me energjinë dhe përkushtimin e saj i ka bërë të gjithë për vete”, shkruan presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në telegramin e ngushëllimit për familjen e të ndjerës.

Shqipe Bajçinca – Brestovci ishte edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat