Kapitenia e Istogut, Albina Rugova e vlerëson lartë turneun final të Kupës së Kosovës në hendboll.
Rugova ka udhëhequr Istogun drejt shumë trofeve, ndërsa synon që me skuadrën ta fitojë edhe Kupën e Kosovës për edicionin 2023/2024.
Turneu final i Kupës zhvillohet në Pejë të shtunën e të dielën. Istogu është fitues në fuqi, ndërsa në gjysmëfinale përballet me Vushtrrinë.
“Final4 gjithmonë sjellë atmosferë të veçantë. Të gjitha skuadrat e synojnë trofeun e Kupës së Kosovës.
Dihet që Istogu gjithmonë lufton për trofe. Kemi tejkaluar disa probleme të vogla me lëndime. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë.
Me përkrahjen edhe të publikut istogas, synojmë trofeun e gjashtë me radhë të Kupës së Kosovës.
Prej një turne shumë interesant po ashtu. Të gjitha skuadrat pretendente kanë lojtare cilësore.
Na presin ndeshje të vështira e gjithsesi cilësore. Istogu në Pejë luan si në shtëpi të vet dhe kjo pres të jetë përparësi për ne”, ka thënë Albina Rugova.