Pivoti Kastriot Jupa vazhdon të shkëlqejë me fanellën e skuadrës gjermane Cottbus.
Në fundjavë, në praninë e plot 3000 shikuesve dhe në atmosferë të zjarrtë, Cottbusi e zhvilloi ndeshjen e fundit kampionale. Fitoi me rezultatin bindës, 32:23, ndaj OSF Berlin dhe u shpall kampion i Oberligës së Gjermanisë.
Me titullin e kampionit, Cottbusi e siguroi inkuadrimin në Bundesliga 3, ku niveli është shumë i lartë.
Jupa, që mban rekordin për më së shumti paraqitje për Kosovën në të gjitha sportet ekipore, ka kontribuuar shumë gjatë gjithë edicionit për Cottbusin. U shqua vazhdimisht me paraqitje stabile dhe kontribut në mbrojtje e në sulm.
Dhe në fund u shpall lojtari më i mirë i skuadrës në edicionin 2023/2024.
Në 26 ndeshje, pivoti i Kombëtares së Kosovës i realizoi plot 124 gola.
Kjo ngritje e Jupës në karrierë do t’i shërbejë edhe Kombëtares sonë për ciklet e ardhshme kualifikuese.