Pas gjashtë ditësh plot me ndeshje, Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll ka përfunduar të shtunën paraqitjen në Kampionatin Mesdhetar.
Djemtë tanë kanë përfituar përvojë shumë të vlefshme në kampionatin e mbajtur në Ankara të Turqisë.
Çdo ditë kanë pasur ndeshje të forta e sfiduese, që do t’i përgatisin ata për ngjarjet dhe ndeshjet e ardhshme që i presin.
Të shtunën djemtë tanë luajtën me Malin e Zi në ndeshjen për plasman përfundimtar, përkatësisht për pozitën e pestë.
Mali i Zi fitoi me rezultat minimal, 16:15.
Në paraqitjen e Kombëtares sonë kanë ndikuar edhe mungesat, përkatësisht lëndimet e disa prej lojtarëve. Mali i Zi e fitoi periudhën e parë me 7:4 e të dytën me 6:4.
Por në periudhën e tretë Kombëtarja jonë u kthye në lojë fuqishëm, duke e bërë fundin dramatik. Në minutat e fundit u zhvillua luftë e fortë sportive, por megjithatë Kosova U18 mbeti një gol prapa.
Kjo gjeneratë po e fiton gradualisht përvojën e duhur ndërkombëtare, ndërsa përparimi është i ndjeshëm. Hapa tutje para priten në Evropianin që mbahet në verë në Prishtinë.