Rahoveci pa problem ndaj Trepçës, drejt finales

Hendboll

Rahoveci pa problem ndaj Trepçës, drejt finales

Më: 15 maj 2024 Në ora: 22:36
Pamje nga ndeshja

Rahoveci e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të mërkurën mbrëma në “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Trepçën me rezultatin 37:28.

Ishte kjo gjysmëfinalja e parë e plejofit. Ndeshja e dytë zhvillohet në fundjavë në Mitrovicë.

Me dy fitore sigurohet kalimi në finale.

Rahoveci e nisi ndeshjen mirë, ndërsa në pjesën e parë ishte vazhdimisht në epërsi prej 4-5 golash.

Mitrovicasit nisën të reagojnë vetëm në minutat e fundit, kur u afruan në dy gola 19:17.

Me të nisur pjesa e dytë rezultati u barazua në 19:19.

Më pas Rahoveci kaloi para me një e dy gola, por në pjesën e dytë u zhvillua lojë shumë e fortë. Vetëm në minutat e fundit Rahoveci bëri shkëputje në rezultat.

Mali Luzha i realizoi 6 gola për “vreshtarët”, ndërsa nga 5 i kishin Jon Muqolli e Florian Rexha.

Te Trepça, Akram El Kassassi u shqua me 8 gola.

Nga 5 i realizuan Sali Maxhera e Wael Mtibaa. Me nga 11 pritje u dalluan portierët Arti Luzha i Rahovecit e Marwane Soussi i Trepçës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat