Bordi Drejtues i KH Kastriotit: Kur morëm drejtimin e klubit, e gjetëm me shumë obligime

Hendboll

Bordi Drejtues i KH Kastriotit: Kur morëm drejtimin e klubit, e gjetëm me shumë obligime

Nga: K.G. Më: 23 maj 2024 Në ora: 14:48
Kastrioti

Kastrioti i Ferizajt e mbylli edicionin 2023-2024 në elitën e hendbollit të Kosovës. 

Skuadra me renome e mbylli këtë edicion në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Kupën e Kosovës dhe me pak fat do të shkonin në finalen e madhe të play-off-it.

Kastrioti mbrëmë pësoi humbje në Pejë me rezultat 34:33 nga Besa Famgas, duke u eliminuar në seri të fitoreve me rezultat 2:1. 

Kryetari i klubit, Fisnik Jashari me stafin e tij, Bekim Çalaj e Besnik Siçani, kur e morën drejtimin e kolektivit, e gjetën në situatë kaotike, para shuarjes.

Bordi Drejtues i KH Kastriotit përmes një letre të hapur e ka vlerësuar një edicion shumë të mirë. 

“Të dashur tifozë, mbështetës dhe dashamirës të KH Kastrioti, sot duam të ndajmë me ju disa momente të rëndësishme nga sezoni ynë i fundit dhe përpjekjet tona për të rikthyer klubin në lavdinë e tij të merituar.

Së pari, duhet të pranojmë me keqardhje humbjen e ndeshjes së tretë të play-off-it ndaj Besa Famgas në Pejë, e cila përfundoi me një gol diferencë. Megjithatë, pavarësisht kësaj humbjeje, ekipi jonë tregoi një paraqitje dinjitoze dhe luftoi deri në fund, duke dëshmuar shpirtin luftarak dhe përkushtimin e tyre.

Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe krenarë që kemi fituar Kupën e Kosovës duke e sjellur në Ferizaj pas 6 viteve pritje, një arritje që pasqyron punën e palodhur dhe përkushtimin e të gjithë anëtarëve të klubit, nga lojtarët dhe trajnerët, deri te stafi dhe bordi drejtues.

Kur morëm drejtimin e klubit, e gjetëm në një gjendje të mjeruar, me shumë obligime dhe sfida financiare. Mirëpo, falë një organizimi model nga bordi i ri drejtues dhe përpjekjeve të bashkuara, kemi arritur të stabilizojmë situatën dhe të krijojmë një strukturë të qëndrueshme për të ardhmen.

Një nga arritjet më të rëndësishme për ne ka qenë kthimi i shikuesve në palestër. Mbështetja juaj ka qenë e jashtëzakonshme dhe na ka dhënë forcë dhe motivim për të përmirësuar performancën tonë në çdo ndeshje. Ju falënderojmë për praninë tuaj dhe për përkrahjen e pandërprerë.

Një tjetër aspekt kyç ka qenë riaktualizimi i hendbollit në Kosovë, i cili për një kohë të gjatë ishte shndërruar në një sport tretësor. Me përpjekjet tona, KH Kastrioti ka kontribuar direkt në rikthimin e interesit për këtë sport të mrekullueshëm dhe i kemi inkurajuar të rinjtë të merren me hendboll.

Një problem që nuk mund të anashkalohet janë referimet me shumë gabime të "paqëllimshme", të cilat kanë ndikuar në disa ndeshje. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me federatën dhe organet përkatëse për të përmirësuar këtë aspekt dhe për të siguruar një garë të drejtë dhe transparente për të gjithë.

Jemi krenarë që do të përfaqësojmë qytetin tonë në garat ndërkombëtare nëpër Evropë. Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar talentin dhe përkushtimin tonë në një skenë më të gjerë. Jemi të vendosur të japim maksimumin dhe të bëjmë krenarë jo vetëm qytetin tonë, por gjithë Kosovën.

Në përfundim, duam të falënderojmë sponzorët e ekipit tonë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset dhe përpjekjet tona. Së bashku, do të vazhdojmë të punojmë për të arritur më shumë dhe për të çuar KH Kastriotin në lartësi të reja.
KH Kastrioti - Krenaria e Qytetit të Ferizajt”,
shkruan në faqen e e KH Kastriotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat