Vrasja e Ylfete Humollit dhe kthimi i saj në ikonë viktimizuese të përmasave botërore

Historia

Vrasja e Ylfete Humollit dhe kthimi i saj në ikonë viktimizuese të përmasave botërore

Nga: Jusuf Buxhovi Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 17:55
Ylfete Humolli dhe Jusuf Buxhovi

Vrasja e nxënëses Ylfete Humolli në afërsi të Podujevës më 2 shkurt 1990 si dhe masakrat tjera të ngjashme anembanë Kosovës nga policia jugosllave, shqetësuan opinionin botëror. Asokohe, gazetat kryesore amerikane dhe perëndimore në përgjithësi sillnin lajme trishtuese për vrasje me paramendim që kryheshin sy botës.

Me vrasjen e Ylfete Humollit, pos tjerash u mor edhe gazetari i njohur i “Uashington Post”, Dejivd Bajnder. Për ditë të tëra u soll nëpër Kosovë dhe me këtë rast vizitoi edhe familjen e Ylfetës. Ata që e përcollën atë ditë (ndër ta aktivisti Neshet Nushi), bëjnë të ditur se Bajnder, kur dëgjoi rrëfimin e të Atit (Isait) rreth vrasjes së të bijës si dhe qëndrimin e tij tepër burrëror kur kishte marrë trupin e pajetë të vajzës së qëlluar nga plumbat e policisë serbe në oborrin e shkollës, ishte ligë së tepërmi, saqë ishte mbërthyer në një vajë, që për ta qetësuar disi, i ishte dashtë që Isai, i ati i Ylfetës, t’i ndihmojë ta merrte veten...

“Është hera e parë që më rroku një ligështim i tillë”,i kishte thënë gazetari amerikan Neshet Nushit, kur po kthehej në Prishtinë. “Si të mos ligështohem kur dëgjoja një prind që fliste me aq dhembje krenare për vrasjen e fëmijës?... Si?... Edhe unë jam prind... Më shkoj mendja te Erika ime pesëmbëdhjetë vjeçare...Çfarë do të bëja po qe se do të ma vriste shteti?... M’u bë se ai po më ngushëllonte mua!”

Një pjesë të këtij shqetësimi, pra kur ishte ndjerë si prind karshi fëmijë së vrarë, Bajnderi e paraqiti edhe në shkrimin enkas për këtë vrasje në “Uashington Post” me titullin "Kur viktima të ngushëllon!"

Shkrimet e Bajnderit rreth plumbave të Beogradit drejtuar të rinjve shqiptarë që kërkonin liri dhe barazi, çfarë ishin atëherë kërkesat “Kosova republikë”, që gjetën Ylfetën, pastaj Fadil Tallën dhe shumë e shumë mocanikë të saj anembanë Kosovës, ishin mesazhi i parë i fuqishëm që iu drejtua botës rreth asaj që po ngjiste në Kosovë dhe atyre që po përgatiteshin jo vetëm ndaj shqiptarëve por edhe të tjerëve në hapësirat e ish Jugosllavisë nga klika hegjemoniste e Beogradit , të cilën Bajnderi atëbotë e quante “një rrezik të madh për paqen dhe humanizmin, që duhej parandaluar sa më parë qoftë edhe me një ndërhyrje ndërkombëtare”.

Gjatë vizitës së parë të liderëve politikë nga Kosova dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që iu bë Kongresit Amerikan, Stejt Departamentit dhe institucioneve të tjera të shtetit me ftesën e Këshillit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, me ç’rast edhe u dhanë dëshmi tronditëse nga dhuna shtetërore jugosllave ndaj shqiptarëve që po kërkonin liri, barazi dhe demokraci, gazetari Dejvid Bajnder, jo vetëm që mbështeti fushatën e intelektualëve shqiptarë për nxjerrjen e të vërtetës në Kapitoll Hil e gjetiu, por me një seri shkrimesh, të shkruara enkas asokohe të sensibilojë opinionin amerikan rreth atyre që po ngjitnin në Kosovë.

Në këto shkrime, që për moto kishin fjalët e babës së Ylfetës “se e bija ishte vrarë nga shteti jugosllave pse po manifestonte dëshirën për liri dhe barazi “, Ylfete Humolli ishte kthyer në një ikonë viktimizuese ndër më të fuqishmet e kohës, që prekte ndërgjegjen e njerëzimit...

(Shkëputur nga libri publicistik “Fletëza gjermane”, Prishtinë 2008)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat