Çfarë ka ndodhur më 19 shkurt?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 19 shkurt?

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 06:55
Luigj Gurakuqi

356-Perandori Kostandin II mbyll të gjithë tempujt paganë, duke nxjerrë ligje dhe shpallur dekrete për ndalimin dhe dënimin e çdo praktike fetare, përveç asaj të krishtere. Nga vitet 350, ligjet përcaktonin dënimin me vdekje për ata që kryhenin ose merrnin pjesë në adhurimin e idhujve; tempujt u mbyllën; altari tradicional i Fitores u hoq nga Senati; tempuj të lashtë paganë, varre, monumente u shkatërruan, grabitën, përdhosën, vandalizuan. Legjislacioni anti – pagan që filloi Kostandini, do të shpërdorohej, dhe do të kthehej si bumerang me inkuizicionin që errësoi Mesjetën.

1861 – Cari rus Alexander II heq bujkrobërinë që kishte filluar në Rusi që në shekullin XI dhe ishte bërë formë  mbizotëruese lidhjeje midis fshatarëve dhe fisnikërisë ruse në shekullin e XVII. Kjo lloj robërie ekzistonte vetëm në zonat qendrore dhe jugore të Perandorisë ruse dhe kurrë nuk u bë praktikë në Veri, Urale, dhe Siberi. Car Aleksandri I ishte përpjekur për ta reformuar këtë sistemin por pengohej; heqja e bujkrobërisë u arrit me dekret nga djali i tij, Aleksandri II.

1879 – Lindi në Shkodër Luigj Gurakuqi; “shqiptar i vlefshëm” do të thoshte At Fishta; “pionier i qytetërimit” mendonte peshkop Noli; “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, shkroi Padër Anton Harapi. Nga këto cilësime, del se Luigj Gurakuqi ishte rilindas (dijetar i gjerë me njohuri në shumë fusha njëherësh; hartues, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, ekonomist, i gjendur në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX,  tepër aktiv e në rol udhëheqës). Pas revolucionit të vitit 1924, Gurakuqi, si shumë pjestarë të qeverisë Noli, ikën nga vendi; për qeverinë e re, kjo ishte periudhë spastrimesh dhe larje-hesapesh. Më 2 mars, ndërsa po hynte në një kafene në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqi qëllohet me armë dhe vritet nga një i afërm i tij, Baltjon Stamolla. (Nëno moj, mbaj zi për vllanë/Me tre plumba na i ranë/Na e vran’ e na e shanë/Na i thanë trathëtor) – Fan Noli. Historianët thonë se Stambolla kishte vepruar me nxitje të qeverisë së kryesuar nga president Ahmet Zogu, ose si i paguar nga qeveria për të vrarë një kundërshtar të saj; dhe ata e bazojnë këtë në një letër që Baltjon Stamolla i dërgoi Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, dy ditë pas vrasjes së Gurakuqit. Letra mban adresën e burgut të Barit, dhe sot ruhet në Muzeun e Shtetit në Shkodër:
“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.
Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)
Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë
)
Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”

1933-Ministri prusian Goering ndalon daljen e të gjitha gazetave katolike duke thënë se komentimi i politikës së qeverisë nuk do të tolerohej. Në përgjigje të protestave, Goering mohoi se kjo ishte pjesë e një fushatë të qëllimshme kundër katolikëve.

1944 – 823 aeroplanë bombardues nisen nga Britania për të sulmuar Berlinin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeqyteti i Gjermanisë naziste, u bë subjekt i 363 sulmeve ajrore nga skuadriljet e forcave aleate.

1963 – Robert Frost fiton çmimin Bollingen për poezi. Çmimi është themeluar në vitin 1948 nga Paul Mellon, dhe është financuar nga një grant 10.000 dollarë nga Fondacioni Bollingen. Si fondacioni edhe çmimi e marrin emrin nga fshatin Bollingen, Zvicër, ku Carl Jung shkonte për pushime. Për here të parë, Çmimi Bollingen, i administruar nga Libraria e Kongresit, iu dha poetit Ezra Pound, më 1948, për përmbledhjen e poezive të famëshme Pisan Cantos. Zgjedhja për çmim e kësaj vepre të shkruar nga një simpatizant i fashizmit shkaktoi zemërim mes shumë njerëzve në Amerikë; si pasojë e presionit politik, Kongres ia hoqi Librarisë të drejtën për t’u marë me këtë program dhe pjesa e papërdorur e grantit (5 mijë dollarë) iu kthye Fondacionit Bollingen; (për më tepër mbi Ezra Pound shih; Histori: Çfarë ka ndodhur më 30 tetor?).

1981 – Ish-bitëllsi George Harrison urdhërërohet nga gjykata t’i paguajë firmës muzikore ABKCO, 587 mijë dollarë për “plagjiaturë pavetëdije” për këngën “My Sweet Lord”.

2004 – Simon Wiesenthal nderohet me urdhërin e kalorësit për një “jetë në shërbimi të njerëzimit”. Wisenthal, hebre austriak, mbijetues i kampeve naziste të vdekjes, njihet për zbulimin e nazistëve pas-luftës që fshiheshin për krimet e tyre. Wiesenthal është portretizuar nga aktori i njohur Laurence Olivier në filmin “The Boys from Brazil” (1978). Ndërsa aktori Ben Kingsley e portretizoi atë në filmin e suksesshëm “Murderers Among Us: The Simon Wiesenthal Story” (1989). Wiesenthal ishte edhe filatelist. Pas vdekjes më 2005, koleksioni i tij i pullave u shit në ankand për 500 mije euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat