Lidhja e gjakut dhe e historisë: Gjergj Kastrioti dhe Papa Klementi XI Albani

Opinione

Lidhja e gjakut dhe e historisë: Gjergj Kastrioti dhe Papa Klementi XI Albani

Nga: Gjon Keka Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 19:45
Gjon Keka

Familja Albani i kishte rrënjët në Arbëri, dhe disa prej pjesëtarëve të saj kishin qenë bashkëluftëtarë të afërt të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe pushtimit të Arbërisë nga pushtuesi otoman, ata u shpërngulën në Itali dhe u vendosën në Urbino, ku morën mbiemrin Albani, pikërisht për të mos e harruar kurrë prejardhjen dhe gjakun e tyre arbëror (shqiptar).

Kur Gjon Françesko Albani u zgjodh Papë në vitin 1700 me emrin Klementi XI, ai nuk e mohoi asnjëherë origjinën e tij; përkundrazi, shprehej me krenari: «Edhe ne jemi arbërorë (shqiptarë)» (Nos quoque Albanenses sumus), duke e shndërruar selinë më të lartë të botës perëndimore në një mburojë për atdheun e të parëve — për atë Arbëri të lavdishme të Gjergj Kastriotit që kishte mbrojtur civilizimin europian.

Në një periudhë kur Arbëria (Shqipëria) ndodhej nën errësirën e pushtimit otoman dhe nën trysninë e vazhdueshme të asimilimit, Papa Klementi XI ndërmori tre hapa themelorë historikë që hodhën bazat e rilindjes sonë kulturore:

Kuvendi i Arbërit (1703): Me nismën dhe mbështetjen e tij të drejtpërdrejtë u mblodh në Mërqi të Lezhës Kuvendi i Arbërit (14–15 janar 1703). Vendimet e këtij kuvendi u botuan në Romë më 1706 në gjuhën latine dhe arbërishte (shqipe), duke u shndërruar në monumentin e parë të prozës së kultivuar shqipe dhe në një kushtetutë morale për mbrojtjen e gjuhës, të emrave kombëtarë dhe të zakoneve tona nga tjetërsimi.

Arsimi dhe kolegjet e dijes (1708): Në vitin 1708, Papa Klementi XI Albani themeloi një fond të posaçëm në Kolegjin e Propagandës në Romë për shkollimin e të rinjve arbërorë (shqiptarë), si dhe ngriti Kolegjin Arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë (Kalabri) — një vatër të mirëfilltë akademike, prej nga dolën më vonë figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare (si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Serembe e të tjerë).

Biblioteka dhe Arkivi Albani: Së bashku me nipërit e tij, kardinalët Anibal dhe Aleksandër Albani, ai krijoi në Romë Bibliotekën dhe Arkivin Albani, një nga qendrat më të pasura të dijes, të dorëshkrimeve antike dhe të artit europian të shekullit XVIII, duke e bërë emrin shqiptar sinonim të kulturës dhe shkencës së lartë.

Kjo lidhje mes Gjergj Kastriotit (trimëria, dinjiteti dhe orientimi perëndimor) dhe Papa Klementit XI Albani (dija, kuvendi, libri dhe akademia) është pikërisht ajo që i mungon dhe i nevojitet sot më së shumti kombit tonë në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Në shekullin XXI, lufta për mbijetesë dhe dinjitet kombëtar nuk fitohet me improvizime dhe as me ideologjitë e errëta e mentalitetin e importuar islamik, të cilat e tërheqin shoqërinë prapa dhe e zhysin në terrin e injorancës, të radikalizmit, të ekstremizmit dhe të terrorizmit. Ajo fitohet vetëm duke u rikthyer te njohja e vetvetes, e rrënjëve kombëtare dhe e kulturës së përbashkët europiane,  pastaj te shkenca, arsimi cilësor, akademia e mirëfilltë - pikërisht ashtu siç veproi Papa Albani kur themeloi shkolla, hapi biblioteka dhe shtypi libra në gjuhën shqipe.

Ashtu si Kuvendi i Lezhës i Gjergj Kastriotit (1444) dhe Kuvendi i Arbërit i Papa Albanit (1703), edhe sot Kosova, populli i saj dhe kombi shqiptar në përgjithësi kanë nevojë për një kuvend të brendshëm moral e intelektual — një konsensus kombëtar që vë interesin e kombit, shkencën dhe integrimin europian mbi çdo llogari të ulët e egoist pushteti dhe mbi çdo ndikim radikal e ekstremist islamik.

Figura zemërdashëse dhe shtetërore e Gjergj Kastriotit dhe urtësia e Papa Albanit na mësojnë se dashuria për kombin matet me njohjen e vetvetes, rrënjëve kombëtare europiane, me institucionet e dijes që ndërton dhe me dinjitetin me të cilin e përfaqëson vendin në Europë. Pa u rikthyer te kjo rrënjë e pastër e gjakut, e trimërisë, e urtësisë dhe e shkencës, çdo përpjekje për t'u bërë pjesë e denjë e familjes së qytetëruar europiane mbetet e mangët dhe e paarritshme, ndoshta edhe për brezin tonë të këtij shekulli (XXI). [Gjon Keka]

Image
Gjergj Kastrioti
Image
Papa Klementi XI Albani
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat