Ashtu si miliona adoleshentë të tjerë, të cilëve iu anulua provimi i GCSE-së në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19, Bea Wheeler iu drejtua TikTok-ut për të kaluar kohën. Por, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj, 16-vjeçarja e atëhershme e shfrytëzoi periudhën e izolimit për të hedhur hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare në muzikë.
Për shtatë orë në ditë, ajo këndonte versione të këngëve të njohura nga dhoma e saj e gjumit, për një numër të vogël ndjekësish në rrjetet sociale. Bea kishte publikuar video duke kënduar që në moshën 11-vjeçare, por vetëm gjatë izolimit nisi të tërhiqte vëmendjen e publikut.
Ajo u bë e njohur për zërin e saj karakteristik, flokët e gjatë ngjyrë kafe dhe stilin bohemian.
Kur vendosi të publikonte këngën e saj origjinale, “Born To Be Alive”, arriti të tërhiqte vëmendjen e drejtuesve të rëndësishëm të industrisë muzikore.

Këngëtarja 22-vjeçare, e cila interpreton me emrin artistik Bea, ka treguar se kishte pasur periudha kur e pëlqente shumë këngën dhe të tjera kur nuk i pëlqente aspak. Megjithatë, ditën kur vendosi ta publikonte, ishte në një nga momentet kur e dashuronte atë.
“Kalova periudha kur e doja dhe kur e urreja këngën, por atë ditë e doja, kështu që e publikova në internet”, ka rrëfyer ajo.
