Ibrahim Fehmiu – një intelektual shumëdimensional

Historia

Ibrahim Fehmiu – një intelektual shumëdimensional

Nga: Adil FETAHU Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 15:11
Arkiv

Ibrahim Fehmiu (1892 – 1951), i takon plejadës së mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Ai ishte hoxhë, dijetar, mësues, drejtor shkolle, drejtor didaktik dhe inspektor i arsimit, luftëtar i patrembur, me penë e me pushkë, për lirinë dhe arsimimin e popullit, për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Në jetën e tij përjetoi rreziqe, burgosje, internime, por asnjëherë nuk u zmbraps nga rruga dhe idealet e tij arsimore, edukative dhe kombëtare. Thoshte se puna për ideal nuk të lodhë, por të shton fuqinë dhe guximin. Ishte bashkeveprimtar dhe bashkëluftëtar i Bajram Currit e Avni Rrustemit. Gjashtë herë u arrestua, njëherë (1915) u dënuar me vdekje nga pushteti okupues i Malit të Zi, por në saje të reagimit të qytetarëve të Gjakovës, autoritetet pushtuese u detyruan ta lirojnë.

Pas mbarimit të shkollës fillore dhe qytetëse në vendlindjen e tij, në Gjakovë, në vitin 1912 kreu me sukses të shkëlqyeshëm shkollën e njohur të asaj kohe “Dar-el Mualim”, në Shkup, e cila përgatiste mësues për mësimin fetar, por aty mësoheshin edhe lëndë shkencore. Në atë shkollë u shkolluan shumë shqiptarë, të cilët pastaj kontribuan edhe për mësimin në gjuhën shqipe. Shoku i tij i bankës, hoxhë Beqir Maloku, në kujtimet e tij tregon se Ibrahim Fehmiu ishte nxënësi më i zgjuar dhe më i disiplinuar në atë Shkollë, dhe për këto cilësi është shpërblyer e ka marrë mirënjohje nga drejtoria e Shkollës.

Pas diplomimit në “Dar-el Mualim” (1912), kthehet në Gjakovë, me titullin hoxhë dhe Këshilli i Bashkësisë Islame e emëron imam, mësues e predikues, ku krahas detyrave fetare, në periudhën 1912-1918 zhvillonte ilegalisht edhe veprimtari arsimore e kombëtare. Me ikjën e ushtrisë jugosllave dhe ardhjen e ushtrisë së Austrohungarisë (dhjetor 1915), Ibrahim Fehmiu kreu një kurs praktik pedagogjik (në Pejë), të cilin e kishte organizuar “Kraiskomandatura” austrohungareze dhe u emërua mësues në Gjakovë, pasiqë ishin legalizuar shkollat në gjuhën shqipe. Për sigurimin e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe teksteve mësimore, bashkëpunoi edhe me Bajram Currin, ashtu që disa mësues nga Kosova, e lan Shqipërinë dhe erdhën në Kosovë. Ibrahimi Fehmiu kishte organizuar në Gjakovë (1915) një mbldhje me mësuesit dhe arsimtarët e Kosovës, në të cilën ishin marrë vendime të rëndësishme për arsimimin në gjuhën shqipe. Gjatë shërbimit si mësues e kryemësues, “Bimi”, siç e thërrisnin me emër përkdhelës, krahas mësimit që mbante nga lëndë të ndryshme (histori, letërsi, muzikë, gjimnastikë), shpërndante libra, gazeta e revista në gjuhën shqipe Në mbarim të Luftës së Parë Botërore , si shumë shokë tjerë, u detyrua të ikë në Shqipëri, ku qëndroi deri në vitin 1926 dhe zhvilloi aktivitet arsimor-edukativ dhe kombëtar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, punoi në detyra të ndryshme: në dhjetor 1918 ishte emërua kryesekretar i Nënprefekturës së Bujanit, ku pas dite punonte me fëmijë të moshave të ndryshme, për t’ua mësuar shkrim-leximin. Aty bashkëpunoi ngusht me Bajram Currin, Avni Rrustemin e të tjerët, në luftën për për dëbimin e ushtrisë serbe nga Malësia, por edhe në luftë kundër Ahmet Zogut dhe Cena bej Kryeziut. Sa qëndroi në Shqipëri, u transferua disa herë në detyrë të mësuesit në shkolla të ndryshme: në Kavajë (1922/1923), në Krujë (1923/24), Një kohë punoi në Ministrinë e Arsimit, ku u njoh me intelektualë të shquar, siç ishin: Aleksandër Xhuvani, Sali Çeka, Jani Minga, Ahmet Gashi, Simon Shuteriqi etj. Por, dëshira e tij ishte të punonte me nxënës, prandaj u emërua mësues në Shkollën konviktore “Kosova” në Krumë, ku krahas detyrës së mësuesit kryente edhe detyrën e drejtorit të Konviktit.

Sapo u kthye në Gjakovën e pushtuar, e arrestuan dhe vuajti afro 3 vjet burg në Valevë, e pastaj me familje u internua në Sarajevë, ku jetoi deri në vitin 1939. Prej Sarajeve shpërngulet sëpari në Burrel e pastaj në Shkodër, ku qëndroi deri në vitin 1941. Kur u shkatërrua Mbretëria SKS, Ibrahim Fehmiu me familje kthehet në Prizren. Në periudhën e “çlirimit” (1941-1944), kur u krijuan kushte të lira për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, punoi me shumë zell e përkushtim për arsimimin në shkolla fillore e të mesme dhe në kurse për zhdukjen e analfabetizmit dhe në ato për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe. Me “çlirimin” e viseve shqiptare nga pushteti jugosllav, Ministria e Arsimit e Shqipërisë (ministri Ernest Koliqi) ndërmori veprime të duhura për hapjen e shkollave shqipe në ‘viset e lirueme” dhe emëroi drejtuesit e 9 qendrave arsimore, në të cilat do të hapeshin shkollat dhe kurset për mësim në gjuhën shqipe. Drejtues i arsimit për qarkun (prefekturën) e Prizrenit, ishte caktuar Ibrahim Fehmiu, të tjerët ishin: Hysni Zajmi (Gjakovë), Manush Shala (Pejë), Rexhep Dizdari (Prishtinë), Fadil Llazani (Gjilan), Ahmet Ashikja (Mitrovicë), Ahmet Qoku (Podujevë), Idriz Fishta (Vushtrri) dhe Xhevdet Doda (Novi Pazar).

Letërshkëmbimi i Ibrahim Fehmiut

Si njeri i cili jetoi dhe punoi në vende të ndryshme, u bë i njohur dhe u njoh me shumë personalitete të shquara, prandaj është e kuptueshme se me ta ka mbajtur korespodencë e letërshkëmbim, por fatkeqësisht epistollari i tij nuk është mbledhur e ruajtur, për arsye që dihen, sepse gjatë jetës ishte i përndjekur nga pushteti dhe u detyrua shumë herë të shpërngulej prej një vendi në tjetrin. Dihet se një letërshkëmbim më të dendur e ka pasur me Riza Spahiun, Ferid Imamin, Niman Ferizin, Baba Qamil Bakallin, por edhe me Harri Fullcin, që ishte drejtor Shkollës Teknike (amerikane) në Tiranë (1922-1933), si dhe me ministrat e arsimit të Shqipërisë (Ernest Koliqin e Rexhep Krasniqin). Ka pasur letërshkëmbim me organizatat partiake dhe ato humanitre kombëtare e ndërkombëtare, të cilave u ka dërguar informacione për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga regjimet e caktuara. Për ilustrim të atij letërshkëmbimi, po përmendim këtu veçmas letrën e Harri Fullcit, dërguar Ibrahim Fehmiut, pas vizitës që Fullci i shoqëruar nga “Bimi” i kishte bërë Kosovës. Ja përmbajtja e letrës:

“I nderuari Zotni Ibrahim Fehmiu,

Muhaxhiri dhe unë arritëm shëndosh e mirë, këtu në Tiranë, më 5 të shtatorit të vitit 1924. Rrugës kaluam shumë mirë, veçse këmbët na dhimbën pak.

Kjo letër shpresoj t’ju gjej shëndosh e me shumë punë në shkollë, për çka besoj se vete mirë. Më bëni përshtypje të mirë posibiliteti që keni për të bërë punë të mëdha për njerëzit tuaj. Punën që bëni ka nevojë për guxim dhe enthusiazëm, të cilin jam i sigurt dëshironi ta jepni, jo për të kënaqë veten tuaj, por për t’i sjellë mirësi popullit. (…) Ju lutem më lejoni t’ju falënderoj për të gjitha që m’I bête në këtë udhëtim nëpër Kosovë.

Ju dëshiroj përparim dhe mbarësi për shkollën tuaj që meriton shumë.

Tiranë, Albania Me shumë nderime,

9 shtatuer 1924 Harry T. Fultz

Një letër tjetër, me karakter zyrtar, që është përgjigje e Ibrahim Fehmiut ndaj letrës së Ministrit të Arsimit, i cili i kërkonte informacion në lidhje me mësuesit të cilët nuk ishin paraqitur në punë në fillim të vitit shkollor 1943/44, ka këtë përmbajtje:

Shteti Shqiptar Prizren, më 3/X/1944

Inspektoria e Arsimit

P r i z r e n

Nr.26/185

Ministris s’Arsimit

(Drejtoratit të Personelit)

Gjegje shkresës nr.38/1195, dt.21/IX/1944

Ju njohtojmë se arsimtarët e larguem në këto ditët e fundit bashkë me familjet e tyne prej Prizreni, nuk janë urdhnue me u largue prej kukrkujt. Përkundrazi, largimi i tyne me dëshirë të vet, ka shkaktue një farë paniku n’opinionin publik të këtushëm.

Çdo informatë që mund t’apin arsimtarët e larguem në këto ditë, nuk i përgjigjet aspak të vërtetës, mbasi, në raste të tilla kjo Inspektori nuk kishte me heshtë për të vu në dijeni atë Ministri.

Theksohet se të gjithë arsimtarë e këtij qarku (edhe të larguemit rishtas) i kanë tërhequn rrogat e tyne në rregull deri në fund të Gushtit. Vetëm rroga e muejit Shtatuer nuk i asht pague deri më sot as edhe arsitmarëve që gjinden tash në Prizren.

Sa për dërgimin e listave që kërkohet me të siprën, nuk e shohim të nevojshme, mbassi, simbas propozimit t’onë bazuen në shkresën nr.366, dt. 3/X/1944, shkollat e këtij qarku duhet të fillojnë sa ma parë nga funksionimi dhe gjithë arsimarët e larguem (të cilët ikën me preteks vetëm për të përcjellë familjet e tyre e pastaj t’u kthye), duhet të kthehen sa më parë në krye të detyrës.

Inspektori i Arsimit

(Ibrahim Fehmiu)

Nënshkrimi

Si drejtor didaktik dhe si inspektor i arsimit, kishte kritere të larta, por edhe ishte i drejtë në vlerësimin e punës së mësuesve. Pas një inspektimi që u bëri shkollave në Gjakovë, në raportin përmbyllës për mësuesin Qamil Hoxha, shkruante: “Është i pasionuar në detyrën e tij; shquhet në punktualitet, në mirësjellje dhe me vullnetin e tij për punë e për aktivitete shkollore…”. Si profesionist me përvojë, thoshte: Nëse shkolla fillore vendoset në baza të shëndosha, e gjithë puna e merr të mbarën.

Edhe pas vendosjes së pushtetit të Jugosllavisë së Dytë, Ibrahim Fehmiu ishte drejtor i Gjimnazit Shqiptar në Prizren, por kur u vra Milladin Popoviqi (mars 1945), OZN-a e arrestoi Ibrahimin, dhe pas 15 ditë torture, në mungesë të provave për fajin që i mvishej, e liruan por si inelektual i njohur ishte i përcjellur nga pushteti. Në vitin 1948 e shpallin “armik të poullitË, e arrestuan dhe dënuan me tre vjet burgim. Një pjesë të dënimit e mbajti në Nish e Stara Gradishkë. Për shkaqe shëndetësore lirohet para kohe, por mbahet nën mbikëqyrje në Beograd. Në familje u kthye nga fundi i vitit 1950, dhe filloi punën e mësuesit në ShF.”Bajram Curri”, në Prizren. Nga rraskapitja prej vuajtjeve të shumta, e kaploi sëmundja dhe pas një viti ndërroi jetë. Varrimi i Ibrahim Fehmiut, që u bë më 19 dhjetor 1951, ishte madhështor. Trupin e tij, të mbuluar me Flamurin Kombëtar e përcollën mijëra qytetarë të Kosovës.

* * *

Ibrahim Fehmiu ishte mësuesi, intelektuali, luftëtari, atdhetari i pa lodhur, që kurrë nuk pati jetë të rahatshme, por i ndjekur e burgosur, i internuar dhe i shpërngulur prej një vendi në tjetrin, kudo që ishte u shqua me zellin dhe përkushtimin për shkollimin dhe arsimimin e popullit të vet.

Mendoj se për personalitetin dhe veprën e Ibrahim Fehmiut, padrejtësisht deri më tash është folur e shkruar pak. Jeta dhe vepra e tij meriton studim të gjërë e të thellë, të shkruhen studime e monografi për gjithë veprimarinë e tij arsimore, kulturore e atdhetare.

Në vitin 1994, Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka dekorua Ibrahim Fehmiun me medaljen “Mësuesi i Popullit”. Por, personaliteti dhe vepra e këtij tribuni meriton vëmendje më të madhe intelektuale dhe institucionale, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, meriton një lavdatë për organizimin e kësaj Akademie, për ta kujtuar qytetarin e vet, Ibrahim Fehmiun, që ishte dhe mbeti nderi i Gjakovës, i Kosovës dhe i gjithë Kombit Shqiptar.

Lavdi e përjetshme veprës dhe personalitetit të Ibrahim Fehmiut!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat