Nuredin bej Vlora, avokati i çështjes shqiptare

Historia

Nuredin bej Vlora, avokati i çështjes shqiptare

Nga: Enver MEMISHAJ Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:16
Nuredin bej Vlora

Burra e patriot si Nuredin bej Vlora (1889– 1964) dhe të gjithë ata që mbrojtjën çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris 1919 – 1920, duhen nderuar e kujtuar me nderim, në festën kombtare, çdo 28 nëntor.

Është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet.

Prof. dr. Lavdosh Ahmetaj

Patriot i shquar, veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, luftëtar i vendosur për mbrojtjen e

Pavarësisë Kombëtare dhe lirinë e vendit të tij deri në vitin 1944, kur dhe u detyrua të lërë atdheun e tij për të cilin kishte punuar e sakrifikuar gjithë jetën e veçanërisht kishte harxhuar pasurinë e tij të madhe.

Një ndër themeluesit e Organizatës nacionaliste Balli Kombëtar në vitin 1939, dhe anëtar i Komitetit Qëndror të kësaj organizate.

“Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”, shprehej ai. Në gjithë veprimtarinë atdhetare, Nuredin bej Vlorës, i është gjendur pranë gjatë gjithë jetës, bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Nuk la trashgimtarë, por thoshte se pasurinë e tij të shumtë do t`ia linte Vlorës.

* * *

Nuredin bej Vlora është personalitetet i shquar i familjes së njohur Vlora dhe ka lindur po këtu më 25 shkurt 1889. Ishte diplomuar në Paris, me kulturë të gjerë, njohës i shume gjuhëve te huaja, intelektual me vizion perëndimor. U dallua si veprimtar i shquar për çështjen e atdheut, por edhe kur qe puna për të marrë pushkën për interesat e atdheut, ai u ndodh në vijën e parë dhe në udhëheqie për të mbrojtur Pavarësinë Kombëtare. Në maj të vitit 1914, ai u ndodh në Kurvelesh në ballë të luftimeve kundër bandave gjakatare greke. “Z. Ibrahim Abdullahu, Kryekatundar i Vlorës, edhe z. Nuredin Vlora, Muharrem Kokoshi, Mustafa Bimo Kanina, në ballë të vetdashësve u sulën në luftë për të nderuar dhe naltësuar atdheun e tyre”. 1)

Kur bandat antishqiptare të Haxhi Qamilit, mbytën Shqipërinë në gjak dhe shkelën flamurin kombëtar, burra si Nuredin Beu rrëmbyen pushkët për t`i dalë zot Atdheut. Më 12 qershor 1914, rreth 245 luftëtarë vlonjatë nën komandën e Nuredin bej Vlorës dhe Seit Qemalit, u ndodhën në ballin e luftës në kodrat e Fierit e të Lushnjës gjer në fshatin Karbunarë ku e ndaluan furinë e barbarëve. Në këto luftime të ashpra ra trimërisht Tafil Oshtima, u plagosën 29 vlonjatë e midis tyre edhe kryeshkronjësi i gazetës “Populli”, zoti Seit Qemali, që u plagos në të dy duart. Në këtë luftë mori pjesë edhe një pinjoll tjetër i familjes Vlora, Safa Vlora në atë kohë 14 vjeç. Në përpjekje për të çliruar Beratin nga rebelët antikombëtar, Nuredin bej Vlora ka luftuar së bashku me major Ahmet Lepenicën dhe Bexhet Asllanin. 2)

Në Amerikë dhe në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas krizës së brendshme të Fedaratës “Vatra”, me inisiativën e Sevasti Dakos – Qirjazi, më 22 janar 1917, në Uorçerster të SHBA, u themelua Partia Kombëtare dhe Politike, me devizën: “Qëndron për qëllimin e

shenjtë: Shpëtimin e Shqipërisë”. Partia botoi gazetën “Albania”, në shqip, ku herë pas here botoheshin edhe artikuj anglisht. Programi i Partisë u botua në datën 28.2.1918 Kuvendi i parë i saj u mbajt 12-15 maj 1918 dhe Kryetari Nderi i Partisë u miratua Nuredin bej Vlora, kryetar ekzekutiv ishte Sevasti Dako (Qiriazi), bashkëshortja e Kristo Dakos, sekretar Dhimitër Bala nga Vunoi i Vlorës.

Kjo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në Konferencën e Paqes në Paris, ku falë përpjekjeve të patriotëve shqiptarë mundën ta shpëtojnë nga copëtimi këtë Shqipëri që gëzojmë ne sot. Në këto përpjekje ka meritën e madhe edhe Nuredin bej Vlora. Është kjo arsyeja që në shumë raste, ashtu si edhe në shkurt të vitit 1918, gazeta “Albania”, botonte në faqen e parë artikullin: “Tri fytyra të shkëlqyera, për shpëtimin e Shqipërisë: Ismail Qemali, Sevasti Dako (Qiriazi), i shkëlqyeri atdhetar Nuredin bej Vlora dhe fotografitë e tyre. 3)

Pra Nuredin bej Vlora vihej në një radhe me Ismail Qemalin, dhe cilësohej: “i shkëlqyeri atdhetar” Po kështu më datën 23.5.1918, kjo gazetë në faqen e parë botonte fotografinë e Nuredin bej Vlorës, hipur në një kalë të bardhë.

“Kuvendi i Partisë më 12 mars 1919, votoi me zëra të përgjithshme dhe emëroj delegat të Partisë Kombëtare dhe Politike, në Konferencën e Paqes, shkëlqesinë e tij Nuredin bej Vlora... dhe i lutet ta pranojë... Shkelqesia e tij ka influencë në qarqet politike të Uashingtonit ... Nuk mund të kemi tjetër shqiptar në Amerikë dhe në Shqipëri të pajisur me kualitete të bukura dhe të larta, siç është kryetari i nderit të Partisë sonë Nuredin bej Vlora... E themi pa frikë se ky luan i Shqipërisë i cili në kohën e rrezikut, nuk është kursyer për jetën e tij, dhe tani kur pritet të gjykohet fati jonë nuk do të kursehet aspak”, shkruan gazeta “Albania.

Ismail Qemali kishte planifikuar një vizitë në Amerikë, më datën 16 qershor të vitit 1918, i ftuar nga Partia. Kjo ditë u shpall dita e Ismail Qemalit, dhe u mblodhën ndihma financiare që ai do t`i përdorte si shpenzime gjatë kohës që do të qëndronte në Paris, si delegat i Partisë Politike. Me këtë rast, Nuredin bej Vlora bën një deklaratë me anë të së cilës lartëson figurën e Ismail Qemalit dhe kërkon ndihma. 4)

Përkushtimi ndaj çështjes kombëtare ishte qëllim i jetës i Nuredin Bej Vlorës dhe ai nuk u ndal në asnjë moment për të luftuar e punuar për këtë qëllim. Nuredin Beu e lartësoi emrin e tij përmes kësaj veprimtarie, që siç shprehej ai, duhej edhe të derdhej gjak për të mirën dhe shpëtimin e Shqipërisë. Sjellja e tij fisnike, si një ushtar në rradhë për çështjen e lirisë dhe Pavarësisë Kombëtare, u bë e njohur për të gjithë veprimtarët e tjerë duke i dhënë besim të veçantë çdo akti të tij publik.

Më 3 tetor 1918, ai iu bën thirrje shqiptarëve të Amerikës për të formuar një regjiment ushtarak për të luftuar në Shqipëri, në krye të të cilit do të ishte ai vetë.

Nuredin Beu u përpoq të argumentonte nevojën e pranimit të idesë së tij për ngritjen e regjimentit ushtarak të përbërë nga shqiptarë patriot. Regjimentin ai e shikon të domosdoshëm sidomos në kushtet e atëherëshme nëpër të cilat po kalonte politika botërore. Siç e dimë, sot e gjithë bota është në luftë, çdo shtet përpiqet që me gjak të fitojë të drejtat e shkelura, shkruan ai.5)

Trimërinë Nuredin beu e kishte treguar herët, që në vitin 1914, kur luftoi kundër bandave greke, kur udhëhoqi trimat e Vlorës në luftë me rebelët antishqiptar të Haxhi Qamilit. Tani zëri i atdheut e thërriste

përsëri dhe ai s`mund të rrinte duarkryq. “Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”, shprehej ai. 6)

Shtypi i emigracionit shqiptar shkruan se pa derdhur gjak, zëri politik i shqiptarëve në kohën e paqes nuk do te dëgjohej dhe as do të ketë të drejta të plota të kombit shqiptar.

Çështja e numrit nuk kishte shumë rëndësi, por mbi të gjitha, kjo iniciativë arriti të tërhiqte vëmendjen politike europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 7)

Haxhi Murati, Çami, një nga patriotët më në zë të viteve 1918-1920, e vlerëson veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës në mbështetje të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Në një artikull, ai e paraqet Nuredinin si delegat të zgjedhur prej Partisë Kombëtare e Politike, në SHBA, i pëlqyer prej të gjithë oratorëve dhe përkrahësve të saj dhe që ai punon sipas fuqisë që ka dhe mënyrës që ai e pandeh për të mirë. 8)

Nuredin bej Vlora, është një nga përfaqësuesit kryesor që mbrojti çështjen shqiptare në Konferenca e Paqes, që i filloi punimet më 18 janar 1919. Kjo Konferencë është nyje gordiane në politikën globale, e cila përcaktoi në se pas sajë do të kishte Shqipëri, apo ajo, do të ndahej ndërmjet fqinjëve grabitqare ashtu siç ishte vendosur më 26 prill 1915, nga Anglia, Franca, Italia dhe Rusia.

Në këtë pikëpamje, është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet. 9)

Sapo u hap Konferenca e Paqes, Nuredin Beu, më 26 janar 1919, i drejton Presidentit të SHBA Udrou Uillson një thirrje, ku i shkruan: “Zoti President! Jepmëni leje t`ju drejtoj këtë thirrje për atdheun tim

të vobekt, Shqipërinë, e cila ka nevojën e ndihmesës së SHBA. Vuajtjet tona kanë qënë shumë të këqia dhe të panumurta, më shumë se gjysma e vendit tonë u prish. Kjo u shoqërua me mijëra shqiptarë të vrarë, popullsi të përgjysmuar. Sot në Shqipëri nuk ka më shumë se një milion ndenjës...”10)

Kjo thirrje flet për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, për idetë e tij në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar dhe e bën atë një fytyrë të ndritur të historisë sonë. Në thirrjen që i bën Uillsonit, i mëshon faktit se për më shumë se dymijë vjet, stërgjyshërit e shqiptarëve kanë luftuar në shekuj për lirinë e tyre, por në Konferencën e Londrës të vitit 1913, provincat më të mira e pjellore, si në Veri dhe në Jug, iu dhanë Serbisë dhe Greqisë. Njëkohësisht gjer tani indipendenca e Shqipërisë është e njohur prej të gjithëve… Shqiptarët e Shqipërisë dhe mijëra të tjerë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, kërkojnë nga ju si President, të na mbroni në Konferencën e Paqes.

Diplomacia e tij, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e Uillsonit nuk është në fakt thjesht taktikë, por bindje e tij dhe e gjithë grupit që ai përfaqësonte: ai nxjerr me elegancë në pah se ne shqiptarët kemi shpresë, sepse tek ju do të gjejmë mbrojtësin më të madh të kombeve të vegjël, veçanërisht të Shqipërisë, e cila nuk ka ndonjë përkrahës tjetër në Paris. Në delegacionin e Partisë Politike shquante Parashqevi Qiriazi një grua e bukur, e kulturuar, folëse e shumë gjuhëve të huaja, e diplomauar në universitete me emër, e cila e zbuste shumë klimën e ashpër kundër kombit të shqipeve. Në shtypin e kohës është shkruar se ajo u mirëprit sapo vuri këmbë në Paris. Në mjediset e Ministrisë së Jashtme Franceze, diplomatja shqiptare u takua me anëtarët e komisionit të ngarkuar me çështjen shqiptare.

Duke përfaqësuar Partinë Politike, që e udhëhiqte Kristo Dako, ajo u dorëzoi atyre materiale dhe harta, që kishte përgatitur kjo parti, ku parashtroheshin kërkesat për çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë, si

dhe Memorandume, sipas këndvështrimit të asaj partie. Ndërkohë kishte mbërritur në Paris dhe delegacioni i Qeverisë Shqiptare, që përbëhej prej Kryeministrit Turhan Pashë Përmeti, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Myfit Bej Libohova, Mustafa Kruja, Mehmet Konica dhe Dr. Mihal Turtulli. Është i njohur fakti se pjesa më e madhe e delegacionit të Qeverisë Shqiptare mbështesnin orientimin italian; ndërkohë që përfaqësuesit e kolonive shqiptare të Turqisë si Halil Pashë Gjirokastriti, Fuat bej Zëmblaku, Benedikt Blinishti; ata të Rumanisë si Pandeli Evangjeli dhe Dhimitër Berati; të Partisë Politike të përfaqësuar nga Parashqevi Qiriazi e Nuredin bej Vlora e shikonin si rrezik protektoratin Italian. Ndërmjet delegacioneve shqiptare, siç dihet, pati mosmarrëveshje të shumta edhe kundër interesave kombëtare, por Nuredin Beu qëndroi dhe luftoi me atdhetarizëm, me inteligjenc, dhe me përkushtim për çështjen kombëtare. Kështu Mihal Grameno më 12 prill 1919, i raportonte Partisë: “Rasih Dinua, Pandeli Stalea, Mid`hat bej Frashëri, protestuan nga Lozana veprimet imperialiste të Italisë në Shqipëri. Nuredin Beu është këtu dhe punon bashkë me shokët besnikë të programit kombëtar”. 11)

Ndërsa vetë Nuredin Beu më 10 prill 1919, i shkruante Partisë: “Kemi shpresa të mëdha për çështjen tonë. Për mbrojtjen e të drejtave unë do të mbetëm në Paris”. 12)

Gjatë kësaj kohe delegacioni duhet të përballonte edhe shpenzime të shumta të fjetjes, ushqimit, transportit, higjenës, shpenzime me miqtë etj. Ka shumë dokumenta që flasin për varfërinë dhe vështirësitë e delegacinit në Paris, po citojmë vetëm një letër të Parashqevisë që shkruan: “Nga të hollat jam shumë liksht. I bëra telefon Nuredin Beut dhe më thotë të mos bëhem merak aspak, nesër në mëngjes vjen të më shoh, është gati të më huaj sa të dua”. 13)

Personalitetet si Nuredin bej Vlora, veç atdhetarisë, trimërisë dhe inteligjencës, falën për Shqipërinë edhe pasurinë e tyre dhe këta atdhetarë të shquar duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht se pa paratë dhe pasurinë e tyre nuk mund të bëhej Shqipëria.

Le të shprehemi thjesht, në se nuk paguante Nuredin bej Vlora, me se do të udhëtonte Parashqevi Qiriazi, ku do të flinte, ku do të hante, shkurt ajo dhe gjithë të tjerët nuk kishin mundësi të mbronin të drejtat e Shqipërisë pa paratë dhe pasurinë e Nuredin bej Vlorës, të Fuat bej Dibrës (1886 – 1944) dhe burrave të tjerë të shquar si këta, prandaj e përsërisim këta burra sikur vetëm për këtë gjest duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht. Në veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës, për çështjen tonë kombëtare, është gjendur gjatë gjithë jetës bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike dhe e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Kjo fisnike ka kontribuar për shkollën e vajzave në Korçë, pastaj është interesuar shumë për çështjen e Shqipërisë dhe ka bërë ç’është e mundur për t`i shtuar miqtë e Shqipërisë në SHBA.

Katër vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, më 1924, Faik Konica do të shprehej në gazetën “Dielli”, se shqiptarët pasi të kuptojnë kontributin e Uillsonit në Konferencën e Paqes në Paris, do ti ndërtojnë një monument në Shqipërinë e tyre. Kjo ëndërr e Faik Konicës dhe e shumë atdhetarëve të tjerë, e sidomos e atyre të Amerikës u realzua në vitin 2012, kur Udrou Uillsonit iu ngrit nga qeveria shqiptare e prof. dr. Sali Berishës një shtatore madhështore në mes të Tiranës.

* * *

Në janar të vitit 1925, sapo Ahmet Zogu mori fuqinë në dorë, pushoi të gjith nëpunësit që ishin anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të Avni Rustemit dhe për të qeverisur Vlorën, emëroi besnikët e tij: Nuredin bej Vlorës ia shpërbleu besnikërinë duke e emëruar kryetar të bashkisë.

Nuredin bej Vlora e ushtroi detyrën e kryetarit të bashkisë deri më 19 shkurt 1927, kur u shkarkua nga detyra për arsye që nuk i njohim, por mendojmë siç treguan ngjarjet e më vonëshme se kanë qënë thjeshtë mosmarrëveshjet me Ahmet Zogun.

Udhëheqës i Kryengritjes së Fierit në vitin 1935. Qeveria e Ahmet Zogut e zbuloi dhe e shtypi Kryengritjen e Fierit. U dënuan me vdekje: Nuredin bej Vlora, Ali Shefqet Shkupi, Uan Filipi, Mustafa Gjinishi, Hasan Reçi, Bektash Cakrani, etj., por më dënimi me vdekje iu kthye në burgim të përjetshëm.

Ishte aktiv deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ishte një nga themeluesit e Organizatës së Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit Qëndror të kësaj organizate, deri në janar të vitit 1944, kur në Kongresin e parë nuk u zgjodh më

Nuredin Beu u shua në Hajdenberg të Gjermanisë në tetor të vitit 1964, larg atdheut të tij për të cilin kishte shkrirë gjithë jetën e tij heroike dhe pasurinë e tij të madhe. Shtypi antikomunist jashtë vendit vlerësonte lart veprën e tij atdhetare pas vdekjes: “Ai ishte simboli i pastër i burrërisë dhe patriotizmes shqiptare” dhe përmendet një thënie e tij: “Unë Kosovën e kam në zemër dhe do të përpiqem për çlirimin e saj, si për Vlorën time” Nuk la pasardhës dhe deklaronte se pasurinë e tij do t`ia falte Vlorës. 38)

Është një padrejtësi e madhe, që vepra atdhetare e Nuredin bej Vlores ende nuk është vlerësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat