“Flamuri dhe stema e Arbërit konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore”

Historia

“Flamuri dhe stema e Arbërit konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore”

Nga: A.M. Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 23:42
Flamuri dhe stema e Arbërit

Ditë më parë shqiptarët e festuan Ditën e Flamurit.

Historia e kësaj dite i ka themelet më 28 nëntor 1443. Në këtë datë, Gjergj Kastriot - Skënderbeu pas çlirimit nga perandoria osmane e ngriti flamurin në Krujë.

Ndërkaq, 469 vite më vonë, u ngrit sërish flamuri kombëtar nga  Ismail Qemaili në Vlorë, si sinjal i shpalljes së Pavarësisë.

Profesori universitar i historisë, Jahja Drançolli, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar fakte historike shqiptare që datojnë shekuj më parë.

Ai ka treguar se flamuri dhe stema e Arbërit konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore.

"Flamuri dhe stema e Arbërit sipas burimeve historike të shek. XIII konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore. Pas themelimit të Perandorisë Latine (1204) nga Republika e Venedikut, mbretëria e Francës dhe ndonjë vendi tjetër europian, shteti i Arbërit, Epirit dhe Moresë (siç kishte bërë mbretëria e Kroacisë në vitin 1102 me mbretërinë e Hungarisë), do të kërkojnë mbrojtje nga bujaria e shteteve në fjalë, shtete këto që kishin sjellë në Arbëri traditën europiane të heraldikës. Derisa, sipas traktatit në Viterbo të Italisë (1267), Epiri dhe Morea do të përfshiheshin nën mbrojtjen e Karlit I të Anzhuit, ky veprim do të preferohej nga zotërit arbër në vitin 1272, vit që përkon me themelimin e Mbretërisë së Arbërit (De Regnum Albaniae) me në krye Karlin I (Rex Albaniae), me qendër në Durrës”, ka shpjeguar ai.

Më tej, ai ka treguar se ky i trashëgimisë shqiptare ishte ndalë gjatë kohës së  vendosjes së sundimit Osman.

“Në këtë kontekst, heraldika arbërore, e cila ruajti simbolikën, që nga kohërat më të hershme të qytetërimeve mesdhetare, do të përfshihet fuqishëm në rrjedhat e mëtejshme të Europës Perëndimore, në veçanti të shteteve italiane të kohës. Kjo traditë e pasur europiane do të shfaqet veçanërisht në heraldikën e familjeve të njohura arbërore, si Kastriotët, Dukagjinët, të cilët së bashku me qytetin e Prizrenit zotëronin edhe rajonin e Rrafshit të Dukagjinit.

Vendosja e sundimit Osman (gjysma e dytë e shek. XV) do ta ndalë këtë proces të trashëgimisë sonë të pasur, i cili do të vazhdojë sërish vetëm nga 28 Nëntori 1912!”, ka thënë ai për “Bota sot”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat