Hamzë Morina: Rahoveci 3 Dekada më parë

Historia

Hamzë Morina: Rahoveci 3 Dekada më parë

Nga: Hamzë Morina Më: 15 janar 2022 Në ora: 14:12
Hamzë Morina

1. Koha e ndryshimeve të mëdha dhe përpjekjet për Liri, Pavarësi e Demokraci

Ngrehina e Versajes, fillimisht si Mbretëri e SKS, e ndërtuar për të plotësuar huqet sllave dhe për të përmbushur apetitet ruse në Ballkan, gjatë viteve të 90 ta të shekullit të kaluar kishte filluar të jipte shpirt. Në Jugosllavinë e kësaj kohe nuk e ndjenin më veten mirë as kroatët e sllovenët që ishin pjesë e kësaj kontrate nga viti 1918, pasi hegjemonizmi serb po ngriste krye si gjarpër helmues. E si ta ndienin veten shqiptarët dhe te tjerët që ishin të diskriminuar në pozitën me poshtëruese, veçmas shqiptarët?! Ata nuk ishin pajtuar asnjëherë me këtë ngrehinë dhe kishin rezistuar në forma të ndryshme në të gjitha kohërat, si në kohen e kësaj mbretërie ashtu dhe në Jugosllavinë e re të Titos, pasi ndaj tyre ishin përdorur metodat më të egra gjenocidale, tashmë me plan dhe Elaborate shtetërore si ai i Cubrilloviqit, Andriqit, etj. Për fat të keq metoda të shpopullimit ishin aplikuar edhe më heret që nga vitet e Krizës lindore atëherë kur u bë zhvendosja e tërë popullates dhe zhbërja nga trojet etnike – Sanxhaku i Nishit, pra që nga Kongresi i Berlinit.

Rezhimi i Titos dhe komunistëve, anipse kishte ardhur me premtime për barazi menjëherë pas Luftës së dytë botërore, shqiptarëve nuk u kishte sjellë asgjë të mirë, anipse ligjet këtë nuk ua kontestonin. Përpjekjet për liri nuk do të ndalen asnjëherë. Por këto përpjekje do të shkatrrohen që në embrion nga klikat serbe nën udhëheqjen ish komuniste të RSFJ. Kërkesat për pavarësi s paten sukses as pas luftës kur në Prizren u aneksua teritori shqiptar i Kosovës edhe përkunder Marrveshjes komuniste të mbajtur në Bujan të Shqipërisë, ku qe vendosur që secili pas lufte do të jetonte në shtëpinë e vet dhe secilit komb t i plotsohen të drejtat nacionale, pasi edhe vet lufta kishte synimin e tillë si Luftë nacionalçlirimtare dhe Kosova do t i bashkohej Shqipërisë. Aspiratat e shqiptarëve të Kosovës i shuan me gjak në Drenicën e Shaban Polluzhës dhe në persekutimin e nacionalizmit shqiptar në të dy anët e kufirit shqiptaro - shqiptarë, pasi ideologjia komuniste s njifte as komb as Atdhe. Këto aspirata u luftuan pa mëshirë edhe në përpjekjet e mëvonshme të Demostratave te vitit 1968 dhe në ato te vitit 1981 kur kërkohej barazi me të tjerët në ish Jugosllavi. Si duket pritej të përfundonte detanti i Luftës së ftohtë mes aleancave botërore që shqiptarët t ja fillonin sërish luftës për liri e pavarësi.

Në vitin 1989 bie Muri i Berlinit, simboli i ndarjes mes blloqeve dhe krijohet një atmosferë tjetër në marrëdhënjet ndërkombëtare. Lëvizjet demokratike në boten komuniste filluan ti shembin një nga një strukturat shtetërore të veshura me petkun e iluzioneve që ky sistem u kishte premtuar si sigurinë, barazinë dhe lirinë për të gjithë popujt pa dallim, gjë që nuk ndodhi. Kur u pa se të gjitha këto ishin vetëm iluzione komunizmi u degradua tërësisht edhe si sistem, me këtë filloi çmontimi final i këtyre ideologjive utopike. Kosova në këtë kohë ishte para sfidave të mëdha. Shteti shqiptar ku ajo kishte mbështetur shpresat për ndihmë kishte kaluar një rezhim komunist specifik, që mbahej fort pas ideologjisë totale staliniste dhe që duhej të rrënohej gjithsesi, pasi në vend kishte gjeneruar një prapambetje të paparë. Përkundër kësaj, një pjesë e shqiptarëve të Kosovës ishin helmuar rëndë nga kjo ideologji e fryrë nga propaganda e saj dhe pamundësia për ta njohur, pasi ishte totalisht e mbyllur. Në anën tjetër rezhimi i egër në Serbi në krye me Milosheviqin filloi të ushtronte një sistem të dhunshëm ndaj shqiptarëve duke shfrytzuar mitet e rrejshme për Kosovën si djep serb që nga Lufta e Kosovës e vitit 1389, të cilin praktikisht e demonstroj me rastin e 600 vjetorit të saj duke sjellë mbi 1 milion serb në Gazimestan më 1989.

Klasa intelektuale në Kosovë e krijuar këto vite, sidomos pas hapjes së Universitetit të Prishtinës dhe pas aplikimit të Kushtetutes së Kosoves të vitit 1974 hetoi se zezona për shqiptaret po fillon të përseritet. Kjo klasë intelektuale largpamëse filloi të lëviz dhe me Apelin 215 të intelektualëve të Kosovës, sinjalizoi pushtetin serb se tashmë për Kosovën ka kush kujdeset dhe se nuk do të lejojnë që ajo sërish të mirret nëpër këmbë dhe shenja se s ka ndërmend të gjunjëzohet. Pajtimet e gjaqeve dëshmuan gjithashtu se Kosova nuk është gjenerim i një populli hakmarrës, ashtu si pretendonin ta paraqisnin qarqet serbe, Akademia e shkencave dhe arteve të Serbisë dhe Kisha ortodokëse serbe që ishin koka të nacionalizmit shoven serb, por ndjenja e pajtimit është kultura e tyre e lashtë. Për këtë Lidhja e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës ngriti zërin në botë dhe bota demokratike filloi t i mirëkuptojë në këtë drejtim shqiptarët e ndarë me kufinj në Ballkan, një padrejtësi që duhej përmirësuar, pasi ishin po këto elita politike të caktuara të vendosjes në Europë pas Luftës së parë botërore autorë të kësaj ndarje. Kështu, edhepse me vështirësi, klasa jonë intelektuale filloi të dalë përkrahë një politike tjetër të modeleve perëndimore të bazuara në Demokraci, ku liritë njerëzore, shprehja e lirë dhe lëvizja pa pengesa do të kenë përparësi duke u bërë pjesë e kulturës së re politike për të shmangur rrugën e mbrapshtë të Komunizmit sovjetik që kishte gllabëruar gjysmën e Europes dhe deri tash kishte shtrirë ndikimin edhe në proceset globale.

Formimi i Levizjes demokratike në Kosovë (LDK - së) dhe sistemit shumpartiak i dhanë fund ideologjisë së imponuar sllave të komunizmit edhe në Kosovë duke kthyer vemendjen e perëndimit nga kjo sjellje e re politike, në krye të së cilës do të vendosej intelektuali dhe demokrati në shpirt Ibrahim Rugova. Ai dhe intelektualët pranë tij për pak kohë do të përmbysin thellë mitet e rreme serbe për Kosovën si djep i Serbisë, duke fituar simpatinë e botës demokratike edhe duke radhitur shqiptarët në anën e idealit liridashës perëndimor, pjesë e te cilit kishin qenë gjithmonë dhe historikisht, por të shkëputur dhunshëm vetëm nga pushtimi dhe ideologjia sllave.

Krejt kjo u reflektua edhe në Rahovecin e lashtë te njerëzit e saj punëtorë dhe liridashës, që nuk donin më të jenë të pushtuar dhe të përbuzur e të cilët me gjithë shpirt filluan ta përkrahin këtë lëvizje.

Akti i parë:

2. Rahoveci dhe fillet e Lëvizjes demokratike

Ukshin Hoti që bashkë me intelektualët tjerë, si profesor në Universitetin e Prishtinës, që nga viti 1981 kishte kërkuar haptas statusin e barabartë të Kosovës me Republikat tjera në RSFJ dhe ishte burgosur bashkë me këtë grup të Universitetit te Prishtinës, që atëherë ishte krijuar Platforma për Republikën e Kosovës. Jo rastësisht dhe kërkesa e përgjakur për Demokraci dhe Republikë po ndodhte në rrugën Krushë e madhe – Rahovec në Janarin e vitit 1990 ku shovenistët serbë vranë pa mëshirë rininë shkollore që po kërkonte Demokraci. Ukshin Hoti do ta shpaloste këtë si Fill të Lëvizjes demokratike për Liri, demokraci e Republikë në Kosovë. Në një artikull të mëvonshëm, “ Bëje ose vdis” të lexuar në Nagavc të Rahovecit ai këtë do ta ilustronte mirë dhe do ta krahasonte me qëndresen e Indisë kundrejtë kolonizatorëve, ku kishte triumfuar Vdekja mbi jetën, “Bëje ose vdis, për të vrarë vdekjen”.

Më 27 janar 1990 në fshatin Brestovc u vranë për të mos vdekur kurrë: Nesimi Elshani nga Nagavci, Agron Fetahu nga Celina, Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël dhe Halim Hoti nga Krusha e Madhe, ndërsa ishin plagosur nëntëmbëdhjetë të tjerë. Në janar 1992, me rastin e dyvjetorit të vrasjeve në fshatin Brestovc nga forcat speciale të policisë serbe, Mr.Ukshin Hoti i përkujton të rënët dhe lexon para të pranishmëve shkrimin: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!”.

Me këtë moto Ukshini në një odë, pasi institucionet për shqiptarët ishin mbyllur, në shkrimin e tij po citonte Bapunë i cili kishte jetuar një kohë tjetër dhe në një vend tjetër, por siç thotë ai, - “Fjala Liri ishte e ngjashme në të dy rastet”. Djemtë në Bestovc ishin goditur nga predhat e policisë serbe vetëm pse ata po britnin në mënyrë paqësore “Liri, Demokraci” me dy gishtërinj të ngritur lartë dhe po gjakonin për Republikën. Bazuar në këtë ngjarje të atij janari të ftohtë kur bisedonim me Ukshinin ai gjithmonë e përseriste: - “ Këta djem janë martirët e parë të Demokracise në Kosovë që kërkuan haptas Lirinë e Republikën dhe u vranë. Të parët që me thellësinë e shpirtit kërkuan Republiken nën moton e Bapusë “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen”.

Image
Foto e vajtimit te motres se Nasimi Elshanit që Georges Merillon e kishte shkrepur me këtë rast e që cilësohet si “Klithma e Kosovës” që bëri bujë edhe në shtypin europian të kohës)

Aty ai shkruan:

“… Dhe dëbora ishte skuqur. Aty ku s’kishte pasur borë, dheu ishte përzier me gjakun e tyre. Dita e janarit ishte përgjakur, ndërsa dielli kishte bërë sehir. Ngadalë kishte filluar të skuqej edhe ai. E kishte parë dheun e ftohtë të dimrit të përzier me gjakun e nxehtë të trimave dhe ishte fshehur pas një reje. S’kishte dashur ta besonte zallahinë që po ndodhte mbi tokë, por ajo kishte ndodhur. Vdekja ishte dukur e palogjikshme, por ajo e kishte pasur kuptimin e vet: e vdiste një realitet politik për ta lindur demokracinë. Mirëpo dielli megjithatë ishte skuqur ditën e katrahurës mbi dhé, atëherë kur në qiell fluturonin predhat për t’u ngulur më pas në trupin e njeriut. “MANTRA MË THOSHTE”, - kishte thënë Bapuja në një kohë dhe në një vend të largët, por që tani, si njëra, ashtu edhe tjetra, dukeshin njësoj të afërt -“BËJE OSE VDIS!”:
“BESATOHUNI ME ZOTIN DHE ME NDËRGJEGJEN TUAJ SI DESHMITARË SE NUK DO TË QENDRONI TË QETË DERISA NUK DO TA ARRINI LIRINË, DHE SE DO TA JEPNI EDHE JETËN DUKE E KËRKUAR LIRINË. AI QË E HUMB JETËN E TIJ DO TA FITOJË ATË, NDËRSA AI QË E KËRKON SHPËTIMIN E JETËS, DO TA HUMBË ATË. LIRIA NUK ËSHTË PËR QYQARËT DHE AS PËR FRIKACAKËT” (M.K.Gandi, My Non-Violencë, Navajivan Publishing House, Ahmedabad, 1960, f.195). Këta djem, në fshatin Brestovc të komunës së Rahovecit, e dhanë jetën për ta fituar atë. Nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për Bapunë, por njësoj e kishin kërkuar lirinë dhe demokracinë dhe e kishin gjakuar Republikën. Dhe njësoj kishin mbetur të pavdekshëm.

…Të nesërmen, mijëra të rinj, gra, burra, pleq e fëmijë, parakalonin rrugëve të fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës. I kishin ngritur të dy gishtërinjtë në formë të shkronjës V. Vdekja ishte mbjellë nëpër të gjitha anët. Kosovën e kishte mbuluar tymi, të shtënat, autoblindat. Por rrezet e diellit e kishin depërtuar angushtinë. Çdo gjë kishte marrë fund. Demokracia ishte vetëlindur dhe e kishte hijeshuar Republikën. Më në fund fjalët e kishin gjetur kuptimin dhe tani e tutje kuptimi dhe fjalët do të bashkëjetonin.

Viti 1981 kishte përfunduar më 27 janar të vitit 1990 “ këtu nga Rahoveci, ku mistika dhe heroizmi ishin ngjizur mirë që nga antika, kur Kohortat Dardane kishin përballuar hordhitë pushtuese romake, po fillonte Lëvizja që do të ia dilte të krijonte Kosovën Republikë, një gjakim i kahershëm. ...et Sitae F(ilio) sumi cor(niculario) c(o) hor(tis) pri(mae)Dardanorum V(i) ixit an(nis) XXX b(ene) m(erenti) P(osuit). Kuptimi i së cilës është: "… i Siti të birit Sume flamurtarit të kohortës së parë të Dardanëve". (Mbishkrimi nga pllaka e mermerit e gjetur në Retijë të Rahovecit)

Akti i dytë:

3. Rahoveci dhe ndërtimi i trukturave të një pushteti moral në Platformën e Republikës

Kështu si në mbarë Kosovën edhe në Rahovec fryma e re e demokracisë si formë e kërkimit të Lirisë po vazhdonte pa ndalur. Fillimisht LDK e udhehequr nga Fetah Berisha, Ukshin Hoti, Xhelal Canziba, Ibrahim Kryeziu... si Levizje për demokraci do të rritet në vitet e 90 ta dhe me aktet praktike si: Referendumi për Republikën, zgjedhjet e lira Presidenciale dhe Parlamentare, krijimi i Qeverisë komunale paralel me atë serbe dhe ndarja nga ai pushtet u shëndrruan në realitet të pranueshëm nga çdo qytetar i kësaj komune dhe filloi të përkrahet nga bota demokratike. Serbia ishte alarmuar, dëgjohej nga vetë ata të thuhej se kishte humbur: “ - E kishim më lehtë me shqiptarët, - thonin ata, kur shiptarët në demostrata e protesta dilnin me grushta të ngritur ne i demaskonim më lehtë si ekstremistë e marksistë para botës demokratike. Kësaj radhe na kanë hudhur në aut para demokracive të përparuara evropiane”.

Pra jehona e pajtimit kombëtar me Anton Ceten, Demostratat dinjitoze për Liri e demokraci në çdo kënd dhe Oshëtima e Luajve (minatorëve) nga thellësitë e nëntokës së Kosovës në Trepcë filloi të ndërgjegjësojë vetëdijen e fjetur të Europes se kanë të bëjnë me një popull antik që ndër shekuj kishin tentuar ta zhduknin nga faqja e dheut por s ja kishin arrijtur.

Qeveria komunale - po ja humbiste legjitimitetin pushtuesit serb në Rahovec

Pas themelimit te LDKse me 23 dhjetor 1989 ne Prishtine edhe ne Rahovec formohet keshilli inicues i LDK per Rahovecin me 19 janar 1990, për ta themeluar degen e LDK te Rahovecit ne Konferencën themeluese në Krushë të madhe me18 mars 1990 me Shefqet Cenen kryetar. Po veprimtaret e devotshem të kësaj treve, të burgosurit politikë Ukshin Hoti, Fetah Berisha Xhelal Canziba dhe Ibrahim Kryeziu ishin në prapavi të krejtë kësaj veprimtarie që Dega e LDK së i kishte kursyer pasi ende egzistonte rreziku që ti arrestonte policia serbe sërish edhepse kishin kryer vitet e burgimit. Po këta së bashku me veprimtarë tjerë të shumtë në vitet në vazhdim do të kujdesen që në Rahovec t i qojnë përpara proceset politike dhe institucionale varësisht nga këshillat dhe instruksionet që do të marrin nga qendra në Prishtinë dhe me guxim të pashoq e me kujdes të posaçëm do të organizojnë jetën politike e institucionale ne komunë në të gjitha sferat duke u përballë me rreziqe të përditshme nga aparati policor e ushtarak serb, i cili ishte zhveshur nga çdo legjitimitet për të udhëhequr me Kosovën dhe në dorë kishte, si çdo pushtues, vetëm aparatin e dhunës që për botën demokratike dilte shumë i gërditshëm.

Tashmë kur kanë kaluar tri dekada të këtij organizimi dhe kësaj sakrifice, kujtojmë të gjithë ata që patën kurajo të marrin mbi vete përgjegjësi për të udhëhequr këto procese që ishin shumë të ndërlikuara dhe të mbarsura me rreziqe. Po një gjë është e sigurtë, atebotë në skenë erdhën djem e vajza të sprovuara që me vullnetin e mirë donin t i dilnin përballë çdo pengesë dhe rreziku që vinte nga armiku për ta mbajtur gjallë jetën dhe veprimtarinë e përgjithshme në Kosovë duke u angazhuar në shoqata te ndryshme sindikale, lidhje e këshilla të shumtë për ta përmbushur zbrazëtinë institucionale që lanë pushtuesit pas largimit nga puna të të gjithë atyre që nuk pranonin ligjet diskriminuse të Serbisë që donte t i zbatonte jashtë vullnetit të shumices shqiptare në Kosovë pas pezullimit të Autonomisë dhe Kushtetutes së Kosovës më 1989.

Në Rahovec, si në gjithë Kosovën, organizohet suksesshëm Referendumi për pavarësi, ashtu siç organizohen edhe Zgjedhjet e lira demokratike Presidenciale dhe parlametare në Republikës së Kosovës, e që nga Rahoveci si deputetë zgjidhën: Fetah Berisha, profesor, Xhelal Canziba, inxhinier e Ibrahim Kryeziu ekonomist, që të tre të dëshmuar në vitet e 80 - ta dhe te burgosur të ndërgjegjës. Në ndërkohë një punë e suksesshme ishte themelimi i Qeverisë komunale e cila duhej të ishte plotësim i zbraztësisë institucionale për t ju kundërvënë paralelisht pushtetit të instaluar dhunshëm të qeverisë serbe në komunë. Qeveria komunale themelohet në tetor të vitit 1992, pasi Fetah Berisha merr instruksionet e para nga Profesori Fehmi Agani që nëpërmjet antarëve shqiptare te ish Kuvendit komunal te legjitimohet një Qeveri e pranueshme, pasi ishte konstatua se do të paraqiste rrezik eskalimi të situatës nëse pas zgjedhjeve të përgjithshme do të mbaheshin edhe ato komunale, duke ruajtur kështu kontinuitetin dhe kujdesin konfidencial sidomos për resoret e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Kandidatët e propozuar dhe të zgjedhur të Qeverisë Komunale ishin:

Xhelal Canziba Kryetar i qeverisë, inxh. i gjeodezise

Hamzë Morina Për arsim

Nahit Elshani Për finansa

Ibrahim Kryeziu Për ekonomi

Osman Vucitrna Për shëndetesi

Xhevdet Duraku Për inspeksion

Esat Jaha Për mbrojtje

Rexhep Oruqi Për siguri

Në takimin e parë caktohet edhe sekretari i Qeverisë Xhemail Haxhimustafa dhe shqyrtohen një varg çështjesh që kishin të bënin me rrethanat e krijuara në Komunë ku parësore ishte sigurimi i buxhetit për arsimin shqip dhe funksionalizimi i Këshillave për finansim në çdo fshat e lagje të komunës dhe mbarëvajtja e mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe te mesme si dhe sigurimi me kohë i dokumentacionit shkollor dhe teksteve mësimore si prioritet. Një interesim i veçantë ishte edhe përkrahja e familjeve me gjendje të rrezikuar sociale.

Takimi ishte i mbyllur dhe në të merrnin pjesë vetem antarët e Qeverisë komunale dhe Fetah Berisha, ideator i Qeverisjes dhe ndërlidhësi kryesor me Qendrën e vendosjes në Prishtinë pasi duhej ruajtur strikt konfidencialiteti i veprimit në kushte okupimi.

Secili nga të pranishmit mori mbi vete obligimet përkatëse dhe u zotua të hartonte planin e veprimit të mëtejmë, varësisht nga situata dhe rrethanat që do të krijohen. U vendos që në publik të veprohej përmes segmenteve legale që ishin krijuar për të realizuar çëllimet e përcaktuara. Arsimi të vepronte nën ombrellen e LASH “N. Frasheri” ndërsa finansat përmes Këshillit komunal për finansim e sistemet tjera si ai i Mbrojtjes dhe Sigurisë, që ishin më delikate të vepronin përmes Sindikatave të tyre legale për të realizuar detyrat operacionale pa përmendur fjalë të mëdha, duhej të kryheshin punë të duhura organizative. U vendos që secili resor të ketë ekipin e vet me të cilin do te kryente detyrat konform nevojave që paraqiten në ndërkohë.

Funksionimin e Qeverisë Komunale më vonë do ta ndihmojë edhe Statuti i Komunës i hartuar nga Sali Ceku, jurist e në fund edhe Hero i Kosovës si dhe një varg rregullash për arsimin “Kumtari” që rregullonte funksionimin e shkollave si sistem i pavarur të hartuar enkas për këtë veprimtari.

Image
Dokumente të kohës: Konkursi në shkollat e Komunës së Rahovecit viti shk.1992/93 (Dokument nga Shkolla fillore “Isa Boletini”)

Ndër segmentet që tashmë funksiononte si duhej ishte Arsimi, ku mbi 620 mësimdhënës në komunën e Rahovecit kujdeseshin që çdo ditë mësimi në shkolla të mbahej me rregull. Për këtë Përgjegjësi për arsim, Hamze Morina kishte krijuar ekipin e vet, në përbërje: 1. Pedagogun e mirënjohur Ymer Ahmeti, që udhëhiqte me LASH “N. Frashëri” në Komunë, 2. Këshilltarin per Matematike nga Enti rajonal pedagogjik i Gjakovës për komunën e Rahovecit, Mr. Masar Rexhepin dhe 3. Inspektorin Shaban Dana. Konsultohej rregullisht me Këshillin komunal për finansim, përmes të cilit realizonte finansimin e arsimit shqip në Komunë dhe përmes Aktivit të drejtorëve të shkollave udhëhiqte me punët profesionale në formë operacionale të kohës: Konkursi në shkollat e Komunës së Rahovecit viti shk.1992/93 (Dokument nga Shkolla fillore “Isa Boletini”) ekipi profesional në bashkëpunim me ekipin financues, Këshillin për finansim dhe Këshillat përkatëse rajonale krijuan kushte optimale që Sistemi arsimor të funksiononte në rregull. Ndërsa për shkollat e mesme në Rahovec dhe paralelet ne Krushë të madhe, varësisht nga kushtet dhe rrethanat, Këshillat e prindërve ishin kujdesur që të siguronin lokale mësimore në Shtepitë shkolla dhe në jamitë e qytetit. kishim krijuar rrjetin e përkujdesjes që mësimi të zhvillohet normalisht duke ua mundësuar të rinjëve të shkollës së mesme që të arsimoheshin në kushte minimale pasi pushteti kishte bllokuar lokalet e Gjimnazit dhe kishte pamundësuar arsimimin e tyre normal në objekte shkollore.

Në këtë rrjedhë para çdo fillim viti shkollor ekipet e caktuara kujdeseshin që shkollat të pajiseshin me nevojat elementare për punë, që tekstet shkollore të silleshin në shkolla para fillimit të vitit shkollor së bashku me dokumentacionin tjeter shkollor, Amzat, ditarët, dëftesat, librezat dhe materialin tjetër ndihmës të sigurohej me kohë. Kujdes të veçantë i kushtohej Finansimit të rregullt në shumën e përcaktuar dhe ate në DM pasi Dinari jugosllav për shkak të devalvimit drastik nuk ishte masë e vlerës së punës për arsimtarët shqiptarë. Këshilli për finansim arrinte që të siguronte deri në 70% të mjeteve buxhetore ndërsa prej Këshillit Qendror në Prishtinë si donacion merrnim 30% të mjeteve nga fondi i Qeverisë së Kosovës. Kjo ishte një arritje e mirë në këtë drejtim.

Image
Dokumente të kohës: Vendimi për dhënjen e pëlqimit për emërtimin, riemërtimin dhe rikthimin e emrave të shkollave në Kosovë

Në bazë të këtij vendimi u dha pëlqimi që edhe disa shkollave në Komunën e Rahovecit tu rikthehen emrat që kishin si Isa Boletini dhe të riemërtojë të tjerat që kishin emra jo shqiptarë dhe të imponuar.

Kështu në 5 shkolla u rikthyen emrat e vjeter dhe u riemërtuan, kurse në 7 të tjera nuk pati ndryshime.

Image
Emërtimet dhe riemërtimet në shkollat e Komunës së Rahovecit në bazë të Vendimit të caktuar të Qeverisë së Kosovës

Qeveria përmes përgjegjësit të resorit për arsim dhe ekipeve qe ai udhëhiqte bashkë me Aktivin e drejtorëve të shkollave e në bashkëpunim me segmentet tjera përcillte trendet dhe merrte masa që të përmirësoheshin parametrat aty ku kishte ngecje.

Në tetor dhe nëntor të vitit 1994, Qeveria kishte kryer misionin e vet dhe me sukses po vazhdonte qëndresen kundrejtë pushtetit serb në Rahovec. Sitemi arsimor po funksiononte, ai financiar po konsolidohej. Ndihmat dhe solidariteti mes shqiptarëve s po ndërpritej, kurse ndihma nga mërgata po shtohej dita - ditë duke u shtuar dhe vullneti popullor për sendërtimin e idealit të Lirisë dhe Pavarësisë. Bota vazhdonte tutje monitorimin e gjendjes, sidomos në mbrojtjen e të drejtave elementare njerëzore dhe ushtronte trysni mbi Serbinë që të përmbahej nga represioni brutal.

Meqenëse Lufta në Slloveni e Kroaci, e më vonë edhe në Bosnje, po merrte përmasa tragjike, para resorit të Mbrojtjes dhe Sigurise në komunë lindi nevoja e formimit të Shtabit të mbrojtjes dhe të sigurisë ku të dyja resoret dhanë kontributin e vet. Ato siguruan ndërlidhjet me shtabin e Mbrojtjes në Kosovë dhe në bazë të udhëzimeve filluan përgaditjet taktike për t ju përgjigjur provokimeve që priteshin të ndodhnin.

Të provokuar nga policia serbe dhe oponentet tjerë shqiptarë në ndërvarësi të pushtetit serb në komunë u perpoqën që me metoda të ndryshme të pengonin punen e suksesshme të Qeverisë dhe shumë herë antarët e saj ishin cak i keqtrajtimeve, rrahjeve dhe burgosjeve.

Aktivë ishin tre oficerët e sigurimit serb të Prizrenit në teritorin e komunës së Rahovecit dy prej të cilëve fatkeqësisht shqiptarë: Ivica Gerkoviq, Hasan Rrustemi dhe Osman Uka, të cilët me rrjetin e tyre u vunë në funksion të pengimit të Qeverisë komunale dhe sidomos të Shtabit të mbrojtjes.

Shtabi Komunal i Mbrojtjes në Komunën e Rahovecit

Fetah Berisha Komandant i shtabit

Xhelal Canziba zv. Komandant

Esat Haxhijaha shef për Mbrojtjen teritoriale në komunë ( kapiten rezervë)

Rexhep Oruqi shef për punët e sigurisë

Hamzë Morina për ndërlidhje

Nahit Elshani për prapavijë

Xhemail Haxhimustafa anëtar

Sali Sokoli anëtar

Gani Mullabazi anëtar

Shtabi ishte organ i Qeverisë Komunale që duhej të kryente punët operative për përgaditje në rast lufte dhe përcillte gjendjen e sigurisë në Komunë në koordinim me komunat tjera përreth saj dhe angazhohej në bazë të Udhëzimeve të Ministrisë së mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës përmes dokumenteve shumë konfidenciale (Sekrete) dhe ndërlidhjes me Koordinatorët e saj në Kosovë.

Fetah Berishen vazhdimisht e ftonin në biseda informative, e shantazhonin dhe për çdo aksion e akuzonin. Kur me këto metoda nuk arrinin ta gjunjëzonin filluan ta torturonin deri te denimi me burg, derisa në fund ndërmorrën edhe masa më drastike, provuan ta eliminojnë, po asnjëherë nuk nxorën asgjë nga këto sekrete prej tij, pasi arsyetohej se ishte Kryetar i LDK së në Komunë, parti e regjistruar legalisht anipse e dinin se ai ishte kreu i gjithë këtyre organizimeve në Komunë. Heren e fundit e marrin në stacionin policor të Rahovecit dhe e rrahin pa mëshirë deri në alivanosje, për ta hedhur në rrugë në atë gjendje diku pasi errësohet qëllimisht që ta godasin makinat në lëvizje dhe të dilnin me alibinë se kishte pësuar aksident. Po për fatin e tij të mirë, makina e parë që kalon e dikton se në rrugë kishte një njeri të shtrirë pa vetëdije dhe kur shoferi ndalon e merr vesh se ky ishte profesori i tij i dikurshëm i gjimnazit. Ky nxënës e heq shpejtë e shpejtë nga rruga dhe e dërgon deri te shtëpia e Ismet Tarës dhe në Familjen e të cilit I jipet ndihma emergjente ku i kurojnë plagët e hapura në trup nga lëndimet që kishte pësuar në stacionin e policisë dhe prej aty bartet në Spitalin e Gjakovës. Të njejten ditë policia kishte rrahur keq edhe vëllaun e Fetahut Kadri Berishën dhe aktivistin e devotshëm Ali Athemi nga Drenovci, të cilët i kishin bërë poashtu për spital.

Fetahun në Spitalin e Gjakovës mjekët e marrin seriozisht për shërim. Po as në spital Shërbimi i sigurimit serb si ndahet, por falë mjekut specialist Dr. Fehmi Vula gjatë 15 ditëve me një përkujdesje dhe shërim intensiv arrin të ja lehtson plagët dhe pasi shërohet lirohet në shtëpi duke ju shmangur kontakteve me organet e sigurimit serb të cilat e kishin vazhdimisht në survejim.

Fetahut e pësojnë edhe shumë të tjerë. Ukshin Hotin, policia serbe e rrahin disa herë dhe e maltretojnë derisa në fund edhe e burgosin. Nga ajo ditë ai më nuk është më ndër të gjallët, anipse nga burgu i Dubravës shpallet i liruar, ai edhe sot e kësaj dite llogaritet në të pagjeturit. E njejta ndodh edhe me Xhelal Canziben. Atij nga Qeveria komunale ku ishte kryetar i sugjerojnë që të qëndrojë në Shqipëri dhe Maqedoni për hirë të sigurisë. Por shpejtë ja vënë kurthin në aeroportin e Shkupit, ku arrestohet nga autoritetet maqedonase me arsyetim banal për shumën e parave të gjetura me të cilat zhvillonte një biznes, për t ja dorëzuar policisë serbe, me ç rast bie e tërë Qeveria komunale. Nga këtu burgosen të gjithë antarët e Qeverisë dhe ndaj tyre shtrohen tortura të papara në Burgun e Prizrenit. Prej ku Gjykata e Qarkut në Prizren me aktgjykimin nr. 9/95 i denon: Xh. Canzibën, 6. 6 vjet; R. Oruqin, 6 vjet; E. Haxhijahën, 6 vjet; Xh. Haxhimustafën 5 vjet; N. Elshanin 4.6 vjet; bashkë me antarët tjerë të Shtabit të mbrojtjes në Rahovec: G. Mullabazin, 5 vjet; S. Sokolin 5. 6 vjet dhe dhjetra të tjerë. Derisa Fetah Berisha dhe Hamzë Morina që gjatë bastisjes në shtepitë e tyre nuk ishin gjendur, ishin arratisur në Shqipëri e Ibrahim Kryeziu ishte strehuar dhe fshehur për disa kohë në Kosovë.

 

 

Në Aktgjykimin nr. 9/ 1995 ( 208 faqesh), Gjykata e Qarkut në Prizren denon 5 antarë të Qeverisë komunale në Rahovec me mbi 28 vite burg dhe 2 antarët tjerë të Shtabit të mbrojtjes dhe sigurisë me 9 vjet e 6 muaj, pra afër 40 vite burg, pa llogaritur edhe dhjetra tjerë të implikuar me burgim nga 1 deri në 4 vite

Maltretime, rrahje dhe burgosje pati në stafin e shkollave, sidomos të Shkollave të mesme si shkas i dokumentacionit, dëftesave dhe vulave me shenjën: Republika e Kosoves, si dhe për çështje tjera më banale, që ishin si pretekst për dhunë dhe frikësim. Por ajo që u interesonte më tepër ishte Shtabi komunl i mbrojtjes që funksiononte dhe pregaditej për vetëmbrojtje në rast eskalimi të luftës e cila pritej, nga që skenaret ishin të gatshëm pasi konflikti ushtarak në Republikat tjera po ndodhte e pritej që këto flakë të luftës të zbrisnin edhe në Kosovë, aty ku kishte filluar kriza për shpërbërjen e Jugosllavisë. Që domosdo dhe do të ndodhë.

Një ndihmë veprimtarëve të palodhshëm u vinte nga organizata ndërkombëtare të instaluara në Kosovë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat të njeriut. Ndër to “Amnesty Internacional” e cila kërkonte nga autoritetet shtetërore Jugosllave të përmbaheshin ndaj dhunës së shfrenuar. Amnesty Internacional kishte dërguar Raport të veçantë edhe për Fetah Berishën ndaj të cilit ishte ushtruar dhunë e pa parë, ku kishte kërkuar nga autoritetet shtetërore serbe dhe ish jugosllave që të përmbaheshinn dhe të respektojnë të drejtat dhe liritë njerzore në Kosovë që përgjatë tërë kohës ishin lënduara rëndë, pasi RSFJ e asaj kohe ishte nënshkruese e Konventave ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerzore!

 


Dokument: Raporti i detajuar i “Amnesty Internacional” që dëshmon për burgosjen dhe përndjekjen e vazhdueshme të njërit nga veprimtarët e palodhshëm të Rahovecit që nga viti 1981 e deri me arratisjen në Shqipëri.

Derisa Shtabi i përgjithshëm i mbrojtjes në Kosovë kishte rënë qe me 1993 dhe oficerët madhorë Hajzer Hajzeraj, Haxhi Ferati, Zaim Berisha … etj. ishin burgosur e Koordinatoret e saj për komunat përkatëse bashkë me Adem Shalën ( me pseudonimin “Arsimi”) që ishte koordinator edhe për komunën e Rahovecit kishin kaluar kufirin nga Maqedonia në Shqipëri, Shtabi I mbrojtjes në Rahovec kishte ngrirë aktivitetin me urdhër të koordinatorit të lart cekur. Po këtë vit kishte rënë edhe Shtabi i Mbrojtjes në Suharekë dhe ishte burgosur Ukë Bytyqi me te cilin kishim bashkëpunim të ngushtë, derisa në nëntorin e vitit 1994, me dorëzimin e Xhelal Canzibes nga autoritet maqedonase, bie edhe Qeveria komunale e Rahovecit dhe filluan të ndiqen kryesisht pjestarët e Shtabit të mbrojtjes dhe ata të sigurise në komunë e zingjiri burgosjeve shkon edhe në komunat fqinje, në Prizren, Dragash, Suharekë e vende tjera. Fetah Berisha dhe Hamze Morina nuk gjenden në shtëpitë e tyre dhe u kindnapohen vëllezërit Kadri Berisha e Xhafer Morina, të cilët në ndërkohë i lirohen, derisa me sugjerimin e Fehmi Aganit Fetahu dhe Hanza kalojnë në Shqipëri ku vazhdojnë aktivitetin derisa dhjetra të tjerë burgosen dhe denohen me shumë vite burgim. Me këtë rast, pas rënjes së Shtabit të mbrojtjes në Kosovë me 1993 bije edhe ai i Sigurisë në tërë Kosovën, në nëntor 1994.

Por me rënjen e Qeverisë komunale dhe burgosjen e saj, veprimtarët qe kishin mbetur e që kishin vepruar në strukturat komunale edhe më herët vazhdojnë të qëndrojnë dhe krijojnë rishtas strukturë të re qeverisëse në komunë duke stabilizuar gjendjen pas burgosjes së Qeverisë së parë komunale dhe pjestarëve të Shtabit të mbrojtjes, për ta vazhduar punën suksesshëm duke ju kundervënë sistemit okupues në komunë ashtu si dhe në tërë Kosovën. Një pjesë e tyre do t i bashkangjiten më vonë Luftës çlirimtare

Akti i tretë:

Lufta çlirimtare dhe sakrificat që bënë shqiptarët në përpjekjet e fundit për Liri e Pavarësi do të jetë një kapitull i veçantë edhe për Rahovecin i cili nga qytetet kosovare ishte më i prekuri gjatë luftës. Në fakt ishte një provë për përhapjen e luftës në pjesët urbane të Kosovës që kishte sjellë mjaft viktima nga popullsia e pambrojtur.

Me shkas:

Kanë kaluar 3 dekada nga krijimi i kësaj Qeverie, por ende mbahen mend për të mirë puna e saj efektive dhe besimi që qytetarët e Rahovecit kishin në të. Ishte krijuar një pushtet moral që nuk mbahet mend të ketë ndodhur diku tjeter përnga mirëbesimi që kishte krijuar me masat e popullit. Nga ky mirbesim i krijuar ata po i linin në dispozicion tërë kapitalin që kishin për t ja mundësuar këtij pushteti moral punën e pandërprerë drejtë fitores. Fitore e cila me ndihmen e faktorit kyq ndërkombëtar u kurorëzua me sukses në fundshekullin e kaluar falë rezistencës aktive dhe Luftës çlirimtare. Luftë e cila falë edhe ndihmës së aleancës më të fortë në Botë – NATO - s si engjëll shpëtimtar, me të cilët u realizua ëndërra që kërkuam ndër shekuj, Liria dhe Pavarësia e Kosovës.

Ky shkrim bëhet në shenjë përkujtimi të këtyre përpjekjeve titanike që filluan para 3 dekadave dhe do të mbesin shembull i papërseritshëm dhe i pa parë në Historinë e popujve të Europës. Qëllimi parësor është përkujtimi i këtyre sakrificave të kohës, për të mos i mbuluar pluhuri i harresës dhe t u lihet gjeneratve një pasqyrë reale e asaj që ka ndodhur në realitet.

Popujt që harrojnë u përseritet historia në mënyrë tragjike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat