Shteti shqiptar hesht në përvjetorin e vdekjes së Dom Nikoll Kaçorrit.

Historia

Shteti shqiptar hesht në përvjetorin e vdekjes së Dom Nikoll Kaçorrit.

Nga: Gëzim Loka Më: 25 maj 2022 Në ora: 15:36
Dom Nikoll Kacorri

Më 29 Maj 1917 ndërroi jetë në Vjenë të Austrisë Dom Nikoll Kacorri, luriani dhe shqiptari i shquar që u bë ikonë e Pavarësisë dhe një nga figurat më emblematike të shtetit të parë të pavarur shqiptar.

Ai projektoi dhe realizoi në jetën e tij modelin e një atdhetari të flaktë që në cdo hap të jetës mbolli farë atdhetarie për brezat.

Njeri erudit dhe intelektual i formuar në shkollat e Perëndimit ai u bë simbol i shtetit të parë shqiptar pas ndarjes së Shqipërisë nga “ I sëmuri i Bosforit”.

Ky jubile u shoqërua me indiferencë dhe hështje të plotë.

Shteti heshti.

Ministria e Kulturës heshti, Akademia e Shkencave, Muzeumi Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, të gjitha heshtën pothuajse në sinkron të plotë njëra me tjetrën.

Bashkia Dibër, Vlorë dhe Durrës heshti. Institucionet heshtën. Asnjë zë për këtë figurë kaq të shquar të shtetit shqiptar që vuri në shërbim të kombit mendjen dhe shpirtin e tij.

Kështu i rrethuar në heshtje e vetmi, shkoi jeta dhe pasjeta e këtij luriani të madh që pati një ëndërr dhe atë e vuri në themel të shqiptarisë.

Imzot Dom Nikoll Kacorri ishte klerik dhe dijetar, lufëtar dhe qëndrestar, që deri në frymën e fundit mendoi dhe veproi me penë e pushkë , me dije e iluminim për vendin e tij. Ai ishtë njëri ndër ideatorët dhe organizatorët e Pavarësisë së Shqipërisë, ishtë zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Vlorës, miku dhe bashkëpunëtori më i afërt i Ismail Qemalit. Ai ishte organizator dhe drejtues i betejave të shqiptarisë kundër Perandorisë turke dhe një misionar i shqiptarizmës. Të habit rrethimi i tij me heshtje për një kohë aq të gjatë.

Të idinjon indiferenca e shtetit dhë institucioneve që nuk lënë cikërrimë pa përkujtuar dhe nuk duan të kujtohen për këtë kolos të shtetit shqiptar, një njeri erudit dhe atdhetar epokal që nuk kurseu asgjë për Atdheun dhe popullin shqiptar.

Kështu u hesht për Dom Nikoll Kaçorrin edhe në 160 vjetorin e lindjes.

Vetëm Shoqata “ Lura Jonë”, redaksia e gazetës “Lura”, me mundësitë e saj modeste u mundua dhe ia doli ta përkujtonte. Dhe tani në jubileun e vdekjes unë organizova një EKSPOZITË FOTOGRAFIKE në një sallë pas 9-katësheve e cila është akoma e hapur deri më datë 29.05.2022 nga ora 08.00 deri më 20:00, përkujtimore për hir të asaj cfarë na ka lënë pas si testament historie ky model i rezistencës atdhetare.

(LOKALI I GJOKE MALAJ, I CILI ME FISNIKERINE E TIJ DITI TE NA RESPEKTOJE)

Dom Nikoll Kacorri nuk ka nevojë për asgjë, pasi ai e ka lënë emrin e tij të shkruar me gërma ari në analet e historisë së kombit.

Detyrimi yne qe ky emër dhe shumë te tjerë si ky të paktën mos i lemë ti mbulojë pluhuri i harresës, qoftë për neglizhencë apo më keq akoma dashakeqësi…..

Por ne kemi nevojë më tepër së kurrë për të.

Kemi nevojë për modelin e tij që është e kundërta e gjithë kësaj skote politikanësh batakçinj të paskrupullt. Ata nuk e përkujtojnë se nuk është i ngjashëm më ta...

Sot, në 105 vjetorin e ndarjes nga jeta, për të vazhduar udhëtimin në pavdekësi, emri dhe vepra e tij janë e do të mbeten gjithmonë një burim frymëzimi për sot e nesër në të gjitha kohët.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat