Rrethanat e marrëveshjes së Mukjes

Historia

Rrethanat e marrëveshjes së Mukjes

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Me gjithë kundërshtimin midis tyre, çetat e Ballit Kombëtar dhe të komunistëvet nuk erdhën në përpjekje me armë gjer në vjeshtën e vitit 1943. Patën bërë gjatë asaj kohe, veças ose së bashku, disa vepërime kundër forcavet fashiste duke i detyruar ato t’i lëshonin postkumandat e krahinavet dhe të mblidhëshin nëpër qytetet. Kështu qëndresa shqiptare u bë e dëgjuar edhe përjashta. Më 10 Dhjetor 1942 Sekretari i Shtetit Amerikan, Cordell Hull, e përmendi qëndresën e vazhduarshme të popullit shqiptar kundër forcavet të pushtimit fashist, i premtoi ndihmë, dhe jepte sigurime për të përkrahur në t’ardhmen pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Nga një shpallje zyrtare t’atillë bënë njëri pas tjetrit edhe ministrat e Punëve të Jashtëme t’Anglisë dhe të Rusisë sovietike. Por shpallja e ministrit britanik, Anthony Eden, për të mos zemëruar Grekët, shtonte se kufijtë e shtetit shqiptar pas Luftës, në rast se nuk do të gjenin dot një rregullim të drejtpërdrejtë me fqinjët, do të bisedohëshin edhe njëherë në konferencën e paqes.

Deri n’atë kohë, ndonëse kishte disa çeta komuniste aty-këtu, pothuajse e tërë masa fshatare e malësore e Shqipërisë së jugës ishte ndën drejtimin e Ballit Kombëtar. Italianët me qeverinë kukëll të Mustafa Krujës, kur panë se politika e këtij për afrimin e rrymavet nacionaliste dështoi, vendosën të bënin një operacion të gjerë në jugë për të shtypur bërthamat e qëndresës. Për këtë qëllim dërguan në Vlorë dhe në Berat, dy bazat ngaha do të nisej operacioni, fuqi të mëdha të përbëra prej Italianësh dhe merçenarësh të rekrutuar si milici fashiste në disa malësi të veriut. Nga Vlora fuqitë fashiste u nisën për operacion në drejtim të Mesaplikut. Por tek Ura e Gjormit i priste kumandanti i çetavet të Ballit Kombëtar t’asaj krahine, Hysni Lepenica, i cili i goditi më 1 Jenar 1943, i shpartalloi dhe i bëri të këthehëshin në Vlorë. N’atë betejë mbeti i vrarë edhe kumandari italian i operacionit, kolonel Clementis.

Në të njëjtën kohë, auktori i këtij studimi ngriti në këmbë Skraparin, Tomorricën, Nahijen e Beratit, Sulovën, dhe rrethoi Beratin. Fuqitë fashiste që ndodhëshin në qytet, duke parë se ç’ngjau në Vlorë, nuk guxuan të delnin jashtë por mbetën nën mprojtien e tanksavet dhe t’artilerisë. Dy javë më vonë, kumanda italiane, duke përdorur të gjitha fuqitë e Beratit dhe të Kuçovës, provoi t’iu bënte natën një rrethim për vdekje çetavet të Ballit Kombëtar që ndodhëshin në Lapardha. Partia komuniste, e cila kishte agjentë n’ushtërinë italiane, ishte në dijeni të këtij plani. Dy djelmosha që bënin pjesë në të por që kishin simpathi edhe për Ballin, veçanërisht për auktorin e këtij studimi, erdhën dhe e lajmëruan këtë në mes të natës, pa lejën e Partisë. Kështu që ky, deri përpara mëngjezit, mundi të merrte masat për t’i shpëtuar rrethimit dhe për t’i vënë Italianët kundrejt një befasie nga e cila u tërhoqën të shpartalluar. Atëhere Partia komuniste nuk mungoi të hidhte një trakt plot mburrje për kumandarin “patriot” të Ballit. Mirëpo sot, kur këndon njeriu historinë e tyre, këto ngjarje ose i kalojnë në heshtje ose i paskan bërë ata! Luftën e Gjormit e kanë përvetësuar paturpësisht dhe s’e përmendin fare emrin e Hysni Lepenicës.

Pas këtyre ngjarjeve, qeveria e Mustafa Krujës dha dorëheqjen, në Jenar 1943, dhe u formua një tjetër qeveri bejlerësh nën kryesinë e Eqrem Libohovës. Po edhe ky, pas një muaji, ia lëshoi vendin Maliq Bushatit. Ishte krijuar një gjendje e atillë që asnjë qeveri fashiste s’mund të qëndronte në Tiranë.

Gjatë vitit 1943, fuqitë e Ballit Kombëtar u përpoqën shumë herë me Italianët, në qarkun e Beratit, sidomos në Mallakastër, në qarqet e Vlorës, të Korçës, t’Elbasanit. Po edhe Partia komuniste erdhi duke u forcuar me anë t’organizimit të saj, të disiplinës, të dinamizmit të të rinjvet, t’enthusiazmit që ngjallnin fitoret e ushtërisë sovietike, dhe sidomos me anën e tmerrit dhe të zhdukjes rrënjësore të çdo sektarizmi në radhët e saja.

Në prendverën e vitit 1943, arriti në Shqipëri i pari mision ushtarak britanik nën kumandën e kolonelit Maclean. Mbasi misioni pat rënë me parashutë në Greqi, EAM-i grek e përcolli tek komunistët shqiptarë. Këta deshën t’a mbanin të rrethuar, duke i prerë çdo mundësi takimi me qendrat e Ballit Kombëtar, për t’a shfrytëzuar ndihmën britanike n’interes të Partisë së tyre. Auktori i këtij studimi dërgoi një fuqi në mal të Leshnjës, e cila hyri përmes rojevet komuniste dhe i dorëzoi kryetarit të misionit britanik një shkresë që e ftonte këtë të merrte sa me shpejt takim me kumandën e Ballit Kombëtar për të vërtetuar identitetin e tij. Takimi u bë pas pak ditësh në katundin Përrenjas të Tomorricës. Ndonëse misioni britanik desh t’a siguronte Ballin Kombëtar se ai do të tregohej i paanshëm në çështjet e brendëshme të Shqipërisë dhe se do të ndihmonte vetëm luftën kundër pushtonjësit fashist, u kuptua që në fillim se Anglia, për t’i ndëjtur besnike marrëveshjes me Rusinë, ndihmoi deri në fund “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare”, domethënë komunistët. Më vonë ranë në Shqipëri me parashuta ose erdhën prej Greqie a prej Jugosllavie të tjera misione ushtarake britanike, por ndihmat që i dhanë Ballit Kombëtar qenë fare të parëndësishme dhe të papërdorshme (pak armë anti-ajrore dhe anti-tanks auktorit të këtij studimi). Kurse komunistëvet iu dhanë gjithëçka, armë e municione, veshmbathje e të holla, dhe këta ia tregonin popullit këto ndihma si një provë që nuk ishin komunistë por “Nacionial-Çlirimtarë” qyshse ndihmohëshin edhe prej Anglisë. Pastaj Radio e Londrës dhe, më vonë, ajo e Barit i merrnin mendjen njerëzisë me propagandën që bënin për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, domethënë për komunizmin.

Gjatë prendverës së vitit 1943 Italianët provuan të bënin disa operacione shkatërronjëse nëpër ato vende ku mund të punonte tanksi dhe kalorësia, domethënë në fushat dhe rreth qytetevet. Bënë dëme të mëdha sidomos rreth Fierit dhe në Mallakastrën e Poshtëme, duke fuqizuar një kriminel të vendit, Isa Toska, i cili kreu vrasje, djegie e mizori të hatashme. Kjo pat qënë sjellja m’e keqe e kumandës italiane në Shqipëri, e cila iu dha fuqinë lamashëvet për të kryer mbi popullin ato që s’mund t’i bënte vetë një ushtëri e rregullt. Në rrethet e Fierit dhe të Mallakastrës u vranë lart nga 2.000 frymë dhe ranë mjaft dëshmorë të Ballit Kombëtar.

Të ndihmuar nga misionet ushtarake britanike dhe duke parë se Italisë fashiste po i qasej fundi, komunistët bënë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm “Nacional-Çlirimtar”, gjithmonë në Labinot t’Elbasanit, në fillim të Korrikut 1943, në të cilën krijuan “Shtabin e Përgjithshëm t’ushtërisë nacional-çlirimtare” me kumandar Spiro Moisiun dhe komisar politik Enver Hoxhën. Një muaj më vonë, më 15 Gusht, me armatimin që iu dha misioni ushtarak britanik dhe në prani të tij, formuan në Vithkuq të Korçës Brigadën e parë Sulmuëse, me kumandar Mehmet Shehun dhe komisar politik Dushan Mugoshën. Duhet shënuar këtu se, përveç armatimit që muarën nga misionet ushtarake të jashtëme dhe nga Italianët e dorëzuar, komunistët kishin mbledhur një pjesë të mirë t’armëvet që la me shumicë ushtëria greke kur u tërhoq papritmas, e goditur prej Gjermanëvet, në Prill 1941. Patën mbetur me atë rast në Shqipërinë e jugës aq armë e municione sa të luftonin dy “mbretëri”. I tërë ai ferr zjarri e shkatërrimi u përdor më vonë, në Luftën civile, prej të dy anëvet.

Komunistët kishin filluar nga atentatet kundër disa antarëve të Ballit Kombëtar qysh në prendverën e vitit 1943. Por i shumëzuan ato mbasi e ndien vehten më të fortë dhe ndërkombëtarisht të përkrahur, e sidomos pas formimit të Brigadës së I-rë, të cilën Mehmet Shehu desh t’a pagëzonte me gjak Ballistësh.

Megjith durimin që tregoi Balli Kombëtar, gjithkush e ndiente me tmerr në zemër se punët do t’arrinin fatalisht në tragjedinë e një lufte civile. Kishte kundërshti të papajtuarshme ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë komuniste. Kjo e fundit drejtohej prej dy emisarëve jugosllavë, qëllimin e të cilëvet e muarën vesh edhe komunistët vetë pak më vonë. Kurse Balli Kombëtar ishte ndën kryesinë e Midhat Frashërit, udhëheqës i provuar, që përfaqësonte traditën e vërtetë nacionaliste dhe aspiratat e drejta të kombit shqiptar. Balli Kombëtar mundohej t’i tregonte popullit sesi qëndronte e vërteta, sesi paraqitëshin problemet dhe mundësitë e tija dhe si parashihej e ardhmja e Shqipërisë. Kurse Partia komuniste i tregonte ëndërra fantastike, prralla fëmijësh, dhe e gënjente në mënyrën më të paturpshme duke i thënë së bardhës “e zezë” dhe së zezës “e bardhë”. Balli Kombëtar, që mundohej të ruante kasollen e bujkut dhe të kursente deri pikën e gjakut shqiptar – prandaj e goditte armikun nëpër vende ku s’mund të dëmtohëshm banesat dhe popullsia civile – ishte gjithmonë në kundërshtim me taktikën e komunistëvet, të cilët quanin “luftë” disa pushkë që hidhnin mbi forcat fashiste nëpër qendrat e popullsuara, me qëllim që armiku të bënte për hakmarrje djegie e vrasje në masë mbi popullin rreth e qark, se ashtu mund të shtohej numri i “proletarëvet”, i t’arratisurvet që do të shumonin radhët komuniste. Një tjetër problem që e vinte Ballin Kombëtar në kundërshtim të papajtuarshëm me Partinë komuniste ishte çështja e Shqipërisë Ethnike. Dihej se Kosova e Çamëria kishin qënë shkëputur nga zgjedha jugosllave e greke prej fuqivet të Boshtit, dhe se bashkimi i tyre me Shqipërinë nuk mund të quhej çështje e rregulluar. Balli Kombëtar ishte i pari që e kuptonte atë punë, dhe çlirimin e atyre krahinave nuk e lidhte me rrethanën e një fitoreje të përkohshme të Gjermanisë naziste, por me të drejtën e vetvendosjes së popujvet që mbahej si parimi themeltar i Kartës s’Atlantikut, shpallur prej Roosevelt-it dhe Churchill-it më 14 Gusht 1941. Që popullsia e Kosovës, ose edhe e Çamërisë, t’ishin në gjendje për t’a kërkuar dhe për t’a mprojtur atë të drejtë, duhëshin organizuar dhe ndihmuar prej vëllezërve të tyre të Shqipërisë politike. Nëpër këtë rrugë e kuptonte Balli Kombëtar çlirimin e atyre krahinave dhe kjo ishte lufta që ai desh të bënte për Shqipërinë Ethnike. Por si mund t’a pranonte një gjë të tillë Partia komuniste, e cila ishte organizuar dhe drejtohej prej Jugoslllavëvet? “Puna e “Shqipërisë së Madhe” është puna e Shqipërisë së vajtuarshme, është vuajtja e vëllezërvet tanë të Kosovës; kjo “Shqipëri e Madhe” fashiste është lodra e hidhur në kurriz të popullit tonë dhe t’atij të Kosovës” – shkruante Enver Hoxha n’atë kohë. Bravo! Enver, që e parashikove aq bukur lumtërinë e ardhshme të vellezërvet tanë të Kosovës!

Megjithatë, për të larguar fantazmën tmerronjëse të luftës civile, Balli Kombëtar duroi të gjitha provokimet, shpifjet, cinizmin e komunistëvet, si edhe vrasjen e sa e sa antarëve. Kërkoi me të gjitha mjetet të vinte në një marrëveshje me atë stuhi prej ferri.

U duk një çast sikur ngjarjet ndërkombëtare do t’i detyronin të dy palët t’afrohëshin. Trupat britanike dhe amerikane zbritën në Siqeli, më 10 Korrik 1943. Më 25 t’atij muaji ra nga fuqia Mussolini, i arrestuar me urdhër të mbretit, dhe n’Itali u formua qeveria e Mareshalit Badoglio, që nënshkroi armëpushimin me Aliatët më 3 Shtator.

Ishte koha për të marrë vendime heroike për shpëtimin e atdheut. Balli Kombëtar i bëri thirrje Partisë komuniste për bashkimin e dy organizatavet në një forcë të vetëme kombëtare. Natyrisht, nuk ishte puna që njëra prej atyre të hynte ndën urdhërat e tjetrës; por të bashkëpunonin të dyja tok për shpëtimin e vendit dhe t’ia linin votës së lirë të popullit, zgjedhjen e mënyrës së qeverimit. Pas një takimi të parë midis përfaqësonjësve të Ballit Kombëtar dhe të Partisë komuniste, në katundin Tapias, afër Tiranës, më 26 të Korrikut, u caktua që të bëhej një mbledhje e të dy palëvet në Mukaj, një fshat afër Krujës, më 1 e 2 Gusht 1943. Kjo është Mbledhja e Mukajt që gëzoi për një çast tërë Shqipërinë, por që ca ditë më vonë shpresat e saja u mbytën në një pus trathëtie e gjaku.

Në Mukaj, të dy përfaqësitë ranë n’ujdi që të formonin një Komitet të përbashkët për Shpëtimin e Shqipërisë. Të dy palët do të luftonin kundër pushtonjësit fashist dhe çdo armiku tjetër që mund të sulmonte tokën shqiptare. Të dy palët do të luftonin për një Shqipëri të pavarur dhe ethnike. Forma e regjimit do të zgjidhej prej popullit vetë pas çlirimit të vendit. Komiteti i përbashkët do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të shpërndahej porsa që të formohej një qeveri e përkohshme.

Kjo marrëveshje shkaktoi, siç thamë, një gëzim të përgjithshëm dhe bota, pas një ankthi aq të gjatë, nisi të merrte frymë lirisht. Por komunistët, me shtytjen e emisarëvet jugosllavë, e prishën marrëveshjen e Mukajt disa javë më vonë, në një mbledhje që bënë në Labinot t’Elbasanit, dhe filluan luftën me armë kundër Ballit Kombëtar duke e quajtur “organizatë fashiste dhe bashkëpunonjëse me okupatorin”.

Shkakun dhe mënyrën e prishjes së marrëveshjes së Mukajt i tregojnë mirë emisarët jugosllavë, të cilët ishin ata që e kumandonin Partinë komuniste shqiptare. “Shokët delegatë (shqiptarë) ranë në Mukaj në pozitat e nacionalistëvet, plot oportunizëm, dhe u kënaqën vetëm me ndonjë ndërrim të thjeshtë fjale ose fjalie”, shkruanin ata më 13 Tetor 1943. Por le të nxjerrim këtu disa rreshta nga libri i bardhë jugosllav, botuar më 1949: “Disa antarë të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha, iu jepnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin Kombëtar dhe nuk donin të zbatonin vendimet mbi krijimin e një ushtërie nacionalçlirimtare (komuniste), pse kishin frikë se mos zgjuanin dyshime në Ballin Kombëtar dhe dështonte marrëveshja… etj.

“…Kështu u arrit në kapitullimin e turpshëm t’antarëvet të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare përpara drejtonjësvet të Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukajt, më 1 dhe 2 Gusht 1943…

“…Në rezolutën e nënshkruar (ndërmjet Partisë komuniste dhe Ballit Kombëtar), në vend të përshendetjes “Vdekje Fashizmit -Liri Popullit” u vu fjala nacionaliste “Ja vdekje -Ja Liri”. Ndër detyrat e Komitetit për Shpëtimin Kombëtar figuronte edhe krijimi i “Shqipërisë së Madhe”, parrullë me të cilën vepronin pushtuësit italianë, gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe trathëtarët e tjerë… …Në vigjiljen e Konferencës së Mukajt, shoku Zvetozar Vukmanoviç-Tempo kishte arritur rishtaz pranë selisë së Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, që ndodhej në katundin Kucakë. Në mbledhjen e Komitetit Qendror, me kërkesën dhe insistimin e Koçi Xoxes, ai parashtroi pikëpamjen e tij në lidhje me qëndrimin kundrejt Ballit Kombëtar…

…Mbasi u vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së Komitetit, u muar më në fund qëndrimi që duhej: Komiteti Qendror i P.K shqiptare e dënoi trathëtinë e turpshme të Mukajt…

…Menjëherë pas Konferencës së Mukajt u thirr në Labinot Konferenca e dytë e Komitetit Qendror të “Lëvizjes NacionalÇlirimtare”, në gji të së cilës u muar një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar”.

Ky “qëndrim i qartë e i prerë” që mori Partia komuniste kundër Ballit Kombëtar, me shtytjen e emisarit jugosllav Vukmanoviç-Tempo, ishte prishja e marrëveshjes së Mukajt dhe shpallja e Luftës civile.

Në Konferencën e dytë të Labinotit, e cila u mblodh më 4 Shtator, Enver Hoxha, për të larë vehten e tij përpara emisarëvet jugosllavë, tregohet m’i rreptë nga të tjerët kundër Ballit Kombëtar, marrëveshjes së Mukajt dhe atyre që e nënshkruan:

“Çështja e independencës u bisedua gjatë, po ashtu edhe çështja e Kosovës. Kjo çështje ka shërbyer edhe për Mustafa Krujën si mollë sherri, grindjeje e përçarjeje… Lufta jonë nacional-çlirimtare është një luftë popujsh, e përbashkët, krahas me aleatët kundër Boshtit… Populli shqiptar, që ka vuajtur, nuk do të dojë të skllavërojë tjetrin, që ka vuajtur si ai, e kësisoj reciprokisht. Kjo luftë i ka bashkuar popujt… Ne kemi mprojtjen e Bashkimit Sovietik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve… Pra vetë popullsitë në mes të tyre, në Kosovë, do të merren vesh dhe do të vendosin se nga të shkojnë… Delegatët tanë kanë diskutuar por nuk kanë ditur të mbrojnë pikëpamjet e tyre dhe e nënshkruan proçes-verbalin (e vendimevet të Mukajt). U shtua edhe një gjë tjetër: “Shqipëria Etnike”. Kështu që pranohet teza e Ballit Kambëtar, i cili nuk bën luftë nacional-çlirimtare por lufton kundër nesh…” (Shih veprën Enver Hoxha, botuar në Tiranë më 1968, vëllim i I-rë, faqe 357-360).

Kokë e madhe politike ky Enver Hoxha! E parashihte se në Kosovë popullsitë do të merrëshin vesh vetë në mes të tyre se nga të shkonin, dhe se Bashkimi Sovietik do të mpronte shtetet e vogla dhe gjithë popujt! Ashtu ngjau me të vërtet pastaj… siç po e sheh sot tërë bota, deri edhe koka e Enver Hoxhës.

Pak ditë pas Konferencës së dytë të Labinotit, ku u dënua mendimi i Shqipërisë Ethnike dhe Enver Hoxha provoi me argumenta aq të forta se popullsitë në Kosovë do të merrëshin vesh vetë midis tyre se nga të shkonin, batalioni komunist i Haxhi Lleshit hyri në Dibrën e Madhe, mbasi ndodhej afër dhe s’kishte mbetur aty asnjë autoritet, dhe ngriti menjëherë këshillin nacional-çlirimtar të përbërë prej Shqiptarëve dhe Maqedonasve (ndonëse këta të fundit s’janë as dhjetë për qind në Dibrën e Madhe). Kur ç’të dëgjojë njeriu? Partia komuniste jugosllave, me anën e dy letrave nënshkruar prej Vukmanoviç-Tempos, me datë 13 dhe 23 Shtator 1943, lëshoi rrufetë mbi Komitetin Qendror të Partisë komuniste shqiptare duke kërkuar largimin e menjëhershëm të batalionit të Haxhi Lleshit nga Dibra e Madhe si edhe vënien e shtabit shqiptar nën kumandën e shtabit maqedonas. Dhe Enver Hoxha i paturpshëm ankohej sesi Vukmanoviç-Tempo-ja “akuzonte në mënyrë shpifëse shokun Haxhi Lleshi, komisarët politikë shqiptarë dhe Komitetin Qendror të Partisë komuniste shqiptare si shovinistë dhe shqiptaromëdhenj “. Këto dy fjalët e fundit i quante si një njollë Enver Hoxha! Kurse Jugosllavët nuk ishin jugosllovomëdhenj kur s’pranonin të shkelte këmbë ushtari shqiptar në Dibrën e Madhe ndonëse aty popullsia ishte nëntëdhjetë për qind shqiptare, kur deshën më vonë të merrnin Trieshtën e të tjera toka, dhe kërkuan t’a bënin Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë! (Shih mbi ngjarjen e sipërme, veprën Enver Hoxha, vëllim i I-rë, faqe 391 dhe 508).

Porsa e prishi marrëveshjen e Mukajt, Partia komuniste ose “Lëvizja nacional-çlirimtare”, duke e paditur Ballin Kombëtar si organizatë “fashiste” e “tradhëtare” dhe duke e mbuluar me të gjitha të zezat, e goditi befas që prapa krahëvet, në një kohë kur ky po pregatitej t’iu qëndronte trupavet gjermane, të cilat po zbrisnin për të zënë vendin e ushtërisë italiane të kapitulluar. Atentatet filluan në të katër anët kundër antarëvet të Ballit, me një egërsi që s’ishte parë kurrë ndërmjet Shqiptarësh. Kudo që u kapën njerëz të kësaj organizate (të cilët nuk e prisnin një gjë të këtillë) u vranë e u therën në mënyrën më barbare, shpeshëherë duke iu nxjerrë syt, duke iu prerë veshë e hundë ose duke iu thyer kockat në tortura. Në një gropë të madhe që zbuloi Balli Kombëtar tek Përroi i Shipkës (në qarkun e Korçës), në Jenar 1944, gjeti 185 kufoma t’anëtarëvet të tij, masakruar në mënyrën më çnjerëzore, ku, midis cenevet te tjera, kishte edhe te rjepur ose të mbathur për së gjalli me gozhdë e potkonj kali. Më 21 Tetor 1943, Mehmet Shehu zuri afër Lushnjës 68 bujqër, ushtarë të thjeshtë të Ballit, dhe i vrau që të gjithë mbasi i vuri të hapnin më parë gropën e tyre të përbashkët. As fëmijët nuk i shpëtonin dot thikës së komunistëvet. Në Gjirokastër, për shembull, kur vranë barbarisht një grup nacionalistësh ndër të cilët edhe Muzafer Shehun, nuk kursyen as të birin e këtij pesëmbëdhjetë vjeçar, Duron, të cilin e therën me thikë përpara syvet dhe nëpër duart e s’ëmës. Ngado që shkonin komunistët digjnin me urë në dorë shtëpitë e Ballistëvet, domethënë shtëpitë e fshatarëvet të Toskërisë ndërtuar me djersë kurbetesh. Çdo laro që kumandonte pesë veta, komisar politik a sido që të quhej, kishte të drejtën t’i bënte “gjyqin e popullit” cilitdo, domethënë t’i fuste një plumb në kokë duke mbajtur një shënim në defter. Dhe në një psikozë t’atillë, merret me mend se sa të zellshëm tregohen zuzarët e ndyrë që bëhen prej një dite në tjetrën gjykatës sovranë mbi jetën e njerëzvet! Kështu që vrasjet e tyre më çdo rast e më çdo vend u bënë si një gjë e përditëshme, e zakonshme, sa që arritën, si tek Macbeth-i i Shakespeare-it, të mos i bënin më përshtypje askujt, as gravet dhe fëmijëvet!

Një mizori e këtillë nuk ishte parë në Shqipëri as prej Grekëvet dhe Serbo-Malazezvet më 1913-1914. Por këtë radhë ishte shumë m’e dhëmbshme, shumë më tragjike, kur Shqiptari ia bënte Shqiptarit! E përse t’i quajmë Shqiptarë ose njerëz ata mohonjës-gjakpirës të kombësisë, që s’kanë asgjë njerëzore në vetvehte? Vepërimet e tyre s’kanë shembuj as në historinë e Mongolëvet të Kohës së Mesme dhe ngjajnë vetëm me ato të kanibalëvet t’Afrikës.

I vënë përpara kësaj gjendjeje, Balli Kombëtar u mundua t’i qëndronte furtunës. Mblodhi fuqitë e tija dhe iu këtheu armët armëvet komuniste. Përleshja qe e rreptë, gjakderdhëse, shkatërronjëse. S’mbet fshat, s’mbet shtëpi pa u përgjakur, pa u përzhitur.

Mbasi komunistët kishin në këmbë disa njësi ushtarake vazhdimisht në lëvizje, t’organizuara me ndihmën e misionevet britanike, i përdorën ato për t’a tronditur Ballin me befasi. Kështu në vjeshtën e vitit 1943 u krijua një rrëmujë e shëmtuar, e cila ndryshonte sipas rastevet dhe krahinavet: atje ku komunistët ishin më të fortë, i sulmonin fuqitë e Ballit pa mëshirë, por nëpër krahina ku ishin më të dobët kërkonin të bënin me Ballistët marrëveshje lokale, të cilën e prishnin menjëherë porsa t’iu vinte ndonjë ndihmë, duke ua hedhur natyrisht përgjegjësinë kumandavet të Ballit. Përpjekjet ishin të përditshme si një sëmundje kronike, duke ndryshuar formë dhe përpjesëtim sipas vendit dhe rastevet. Prandaj është shumë vështirë të tregohet me hollësi një luftë civile, sepse aty nuk ka vija ushtërish frontale kundrejt njëra-tjetrës, por ndahen deri katundet e lagjet në dy parti të kundërta, dhe deri familjet (pat qëlluar të kishte edhe vëllëzer që merrnin anë të ndryshme ).

Abas Ermenji

(marrë nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë“, Abas Ermenji)

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat