Biankës i dhanë serum për ta paralizuar, ia hoqën dhëmbët..

Historia

Biankës i dhanë serum për ta paralizuar, ia hoqën dhëmbët..

Më: 30 tetor 2022 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Në duart e hetuesve dhe policëve, që provuan çdo formë torture ndaj 20-vjeçares, ajo nuk u dorëzua. Bianka nuk i nxori kurrë fjalët që ata kërkonin… edhe kur i dhanë serum për ta paralizuar

Edhe pse më pak në numër sesa burrat, gratë nuk kanë munguar në hetuesitë, sheshet e pushkatimit, burgjet dhe kampet e punës së detyruar të diktaturës komuniste. Edhe pse me një trup më të brishtë. Ato nuk u kanë shpëtuar torturave mesjetare të krijuara nga mendjet e sëmura, që merrnin në dorë jetën e njerëzve të pafajshëm që nga çasti i arrestimit të tyre.

Si në rastin e viktimave burra, mes tyre ka pasur intelektuale, mendje të kultivuara e personalitete të spiktatura që e kundërshtuan haptazi të keqen.

Por nuk kanë munguar as gratë e thjeshta, me pak ose aspak arsim e mundësi në jetë, e gjithsesi, me një bërthamë të fortë virtytesh për shpirt, i cili nuk u mposht deri në frymën e fundit.

Disa gra tashmë njihen për heroizmin e tyre, të tjera ende jo. Disa histori janë zbuluar, të tjera i gjen në dokumente e botime më pak të njohura.

Marie Shllaku, Elena Shllaku dhe Bianka Krosaj

Libri “Premtimi i përmbushur” i Gjon Sinishtës, i botuar në ShBA, në vitin 1976 dhe i publikuar në shqip, 40 vjet më vonë, përmend disa prej tyre.

Që nga Marie Shllaku, shkodranja e njohur që dashurinë për Kosovën, komunistët ia llogaritën për krim. Te një listë motrash katolike që i shtohen martirëve që dhanë jetën për besimin e tyre deri te besimtaret e thjeshta që u torturuan.

E megjithatë, nuk i treguan patriotët antikomunistë të fshehur maleve. Si Elena Shllaku, që u dënua me 20 vjet punë të detyruar. Dhe Bianka Krosaj, që humbi jetën pas 14 muajsh në qelinë e ftohtë ku u sëmur nga tuberkulozi.

Bianka, nga fshati Kaçinar i Mirditës, ishte vetëm njëzet vjeçe kur u arrestua në gusht të 1947-ës, shkruan Sinishta në kapitullin me profile martirësh. Të marrë nga numrat e revistës “Zani i Katolikëve shqiptarë në mërgim”, të viteve 1957-1958.

U akuzua se kishte ndihmuar luftëtarët antikomunistë në male, duke u çuar ushqime e barna. Që ditën e parë të burgimit, filluan ta torturonin brutalisht.

E torturuan me shkopinj e me litar të lagur. I futën vezë të ziera në sqetull, derisa lëkura e njomë iu mbush me flluska djegieje. Çdo ditë, e torturonin me korrent, në të gjitha pjesët e trupit. Duke qenë se ajo nuk u dorëzua para gjithë kësaj egërsie mizore. Policia e detyroi të gëlltiste një kilogram kripë dhe nuk i dhanë asnjë pikë ujë, për dy ditë.

I dhanë serum për ta paralizuar

Njëherë ia mbushën kokën e trupin me pleshta (torturë makabre e shpikur nga fantazia e sëmurë e komunistëve ruso-shqiptarë). I bënë edhe një serum për t’i paralizuar arsyen e për t’ia dobësuar vullnetin. Por kjo djallëzi nuk pati efekt te kjo heroinë shqiptare.

Nga goja e saj, nuk doli asnjë fjalë që mund të tregonte se ku fshiheshin patriotët antikomunistë, që luftonin kundër shtypjes. Me një forcë mbinjerëzore, Bianka Krosaj i duroi të gjitha torturat e nuk foli kurrë.

Policët i xhindosi aq shumë qëndresa e saj, saqë ia hoqën dhëmbët me darë e ia shkulën flokët. Kjo torturë zgjati për 14 muaj në një qeli të ftohtë betoni. Derisa ajo mori tuberkulozin. Në pranverë e 1949, Bianka Krosaj vdiq duke dhënë një shembull se si të besojmë në Zotin, e se si të fitojmë kundër armiqve të Zotit e të Atdheut.

Autori i këtij libri, Gjon Sinishta, ish-student i Seminarit Papnor në Shkodër, është një i mbijetuar i regjimit komunist.

U arratis nga Shqipëria për në ish-Jugosllavi, e më pas, në ShBA, ku edhe e shkroi dhe botoi këtë libër si një premtim ndaj Zotit dhe bashkëvuajtësve. Për të rrëfyer historinë e persekutimit të klerit katolik nga komunistët.

Ai ka shfrytëzuar jo vetëm botimet e katolikëve në ShBA, por edhe dëshmitë e të njohurve, të arratisur nga Shqipëria, që kishin parë nga afër vuajtjet e të persekutuarve, dhe njihnin historitë e tyre të toturave dhe qëndresës./kujto.al

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat