​78 vjet nga vdekja e “Mbretëreshës së Malësorëve”

Historia

​78 vjet nga vdekja e “Mbretëreshës së Malësorëve”

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 07:04
​78 vjet nga vdekja e “Mbretëreshës së Malësorëve”

Më 15 nëntor të vitit 1944, vdiq në moshën 80-vjeçare britanikja Mary Edith Durham-artiste, udhëtare, shkrimtare, e cila u bë e famshme për studimet e saj antropologjike të jetës shqiptare në fillim të shekullit të 20-të.

Edith Durham ishte më me e madhja e tetë fëmijëve. Ajo pati një rini tepër të lodhshme; kur i ati i vdiq, Edithit iu desh të kujdesej për gjithë familjen, ndërsa merrej me vetë-arsimim dhe zhvillonte talentin si piktore – Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh.

Më 1913, shëndeti i saj u dobësua, dhe mjeku i rekomandoi pushim, larg halleve ditore. Kështu, Edith Durham u nis nga Londra në Trieste, në Kotor, në brigjet e Dalmacisë, dhe pastaj me rrugë tokësore në Mal të Zi. Ky ishte kontakti i parë me Ballkanin, që do të mbushte pjesën në vazhdim të jetës së saj.

Mary Edith Durham udhëtoi gjerësisht në Ballkan gjatë 20 viteve të ardhshme, duke u përqendruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar.

Puna e saj ishte e një rëndësie të mirëfilltë antropologjike dhe për këtë arsye, Edith Durham u pranua anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror Britanik. Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “High Albania” (1909 ) është më i njohuri, dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut.

Me punën e saj, Mary Edith Durham erdhi duke u njëjtësuar gjithnjë e më shumë me çështjen shqiptare; ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Por Durham pati edhe kritikë të shumtë. Për shembull, ajo sulmohej vazhdimisht nga përkrahësit e shtetit jugosllav, të cilët mbështesnin përfshirjen e Kosovës në Serbi. Kjo e bëri Durhamin gjithnjë e më anti – serbe, duke dalë me shprehjen “paraziti serb” i cili synon jo për të krijuar një Jugosllavi, por për të përmbushur synimet për një Serbi të Madhe …. jo për çlirimin e popujve por për t’i bërë ata edhe më të shtypur se më parë”.

Disa intelektualë britanikë pro-serbë i kritikuan ashpër pikëpamjet e saj. Për shembull, Rebecca West (me një përvojë vetëm disa mujore udhëtimi në Jugosllavi shkroi librin e njohur pro-serb “Black Falkon…”) e quante Durhamin “një udhëtare që i përshkruan shqiptarët masakrues të masakruar”. Ndërsa historiani i njohur RW Seton-Watson komentonte se “duke kritikuar vazhdimisht mendësinë ballkanike, ajo u bë pjesë e kësaj mendësie”.

Nga ana e tyre, shqiptarët e vlerësojnë lart Edith Durhamin, duke i dhënë asaj emrin “Mbretëresha e Malësorëve”. Asdreni i përkushtoi asaj një vëllim poetik, ndërsa, kur Durham vdiq më 1944, mbreti Zog në mërgim u shpreh: “Ajo na dha zemrën e saj dhe u bë zë në veshin e malësorëve tanë”. Në vitet sundimit komunist (veçanërisht gjatë marrëdhënieve shumë të ngushta shqiptaro – jugosllave), emri i M. Edith Durhamit u la në heshtje, u përbuz, u ndalua. Në vitin 2004, presidenti Alfred Moisiu e cilësoi Edith Durhamin si një prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare gjatë shekullit XX.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat